Vllaznia fiton “in extremis”, Tirana dyshon te Skënderbeu

530
Sigal

Shkodranët besojnë te mbijetesa. Korçarët goditën tranversën, por nuk u panë aktivë në lojë

Një gol i thjeshtë i Ndriçim Shtubinës në një portë thuajse bosh në minutën e 89-të i dhuroi tri pikë të arta Vllaznisë, në fitoren minimale 1-0 ndaj Skënderbeut. Shkodranët me suksesin ndaj liderit të kampionatit lanë pas Flamurtarin dhe Tiranën, duke qenë përkohësisht jashtë zonës së rënies kur duhen edhe shtatë javë nga përfundimi i Kategorisë Superiore. Në fakt, fitorja e Vllaznisë kishte kohë që përflitej, madje nga kampi i Tiranës në jo pak deklarime ishte përfolur për një tolerim të mundshëm të kampionëve në fuqi, që për ironi të fatit do të luajnë javën e ardhshme kundër bardhebluve në Korçë. Vllaznia vuajti tepër në një “Loro Boriçi” që, vendosi rekordin sezonal të pranisë së spektatorëve, kjo dhe për shkak të çmimeve të lira të biletave, por më në fund trajneri Dervish Haxhiosmanoviç iu gëzua tre pikëve, në fitoren e dytë në po aq ndeshje të malazezit në bankinën e shkodranëve. Rastet e panumërta të shkodranëve përgjatë 90 minutave u konvertuan në vetëm një gol i realizuar nga Ndriçim Shtubina 2 minuta para përfundimit të kohës së rregullt. Vllaznisë i mjaftuan vetëm 25 sekonda për t’iu afruar golit me Bushic, por finalizimi i malazezit kontrollohet nga portieri Shehi. Në minutën e 12-të këmbëngul Shtubina nga e majta, por Dimo largon rrezikun që kanosej në zonë nga Hajdari. Në të 24-tën kuqeblutë këmbëngulin nga e djathta, por Vukçeviç nuk gjen kuadratin me një goditje të fortë me kokë pas krosimit të Hajdarit. Rastin i fundit i rrezikshëm i pjesës së parë i takon minutës së 36-të teksa Tomiç përfiton nga pasiguria e mbrojtjes shkodrane, por topi përfundon jashtë ngjitur me shtyllën e djathtë pingule. Pas tentativës me kokë të Miroslav Bushiçit në të 52’, Shehi bëri mrekullinë në 12 minuta më pas duke shmangur një autogol të Bicajt. Në rastin e parë të rrezikshëm në këtë pjesë, kampionët në fuqi tronditnin traversën me Bledi Shkëmbin, i cili e ka të vështirë t’u besojë syve me topin që rikthehet në lojë. Goli që vendosi sfidën erdhi në minutën e 88-të pas një momenti të dyshimtë në mesfushë. Hajdari pasi futet në zonë pason në qendër për Shtubinën, i cili e ka të thjeshtë për të dërguar topin në rrjetë. Protestat e korçarëve për një ndërhyrje të parregullt ndaj Dimos janë të pavlefshme, pasi për kryesorin Ziri nuk ka kthim pas. Në javën e 27-të, Vllaznia do të luajë në Lushnjë, kurse Skënderbeu do të presë Tiranën. Mesa duket ndeshja direkte midis Vllaznisë dhe Tiranës (do të luhet në javën e 30-të në “Qemal Stafa”) do të vendosë se, cila nga këto dy skuadra do të bjerë në Kategorinë e Parë, teksa edhe Flamurtari është i rrezikuar pas barazimit pa gola me Partizanin. Për Flamurtarin, sfida me Partizanin ishte ajo që duhej fituar, por skuadra e Ernest Gjokës, nuk arriti të marrë tre pikët duke ndjerë tashmë pas shpine zonën e ftohtë të renditjes dhe rrezikun serioz të rrëzimit. Një 11-metërsh i humbur i Zeqirit por dhe një Super Hoxha nuk lejuan prekjen e rrjetës së kryeqytetasve, që gjithashtu humbasin terren në garën e tyre për vendin e dytë me këtë barazim 0-0.

  Edhe pika e bardhë është kundër Flamurtarit

 Flamurtari dhe Partizani u ndanë në një barazim pa gola, edhe pse të dyja skuadrat luftuan fort për fitoren. Më të pafat vlonjatët, që humbën një penallti me Hair Zeqirin, por edhe një gol të anuluar të Franc Veliut të anuluar për pozicion jashtë loje. Partizani u shfaq agresiv në Vlorë, me Memellin që rrezikoi në  minutën e 13-të. Një rast që do të diskutohet jo pak ishte ai i minutës së 25-të, kur Murati i Partizanit tërhoqi prej fanelle sulmuesin e Flamurtarit, Abilaliajn, por për gjyqtarin Jubica, jo vetëm që nuk ishte 11-metërsh. Memelli ishte më i rrezikshmi në radhët e Partizanit dhe sulmuesi pogradecar kërkoi sërish rrjetën në të 37-tën, por gjeti vetëm pjesën e jashtme të saj. Në startin e pjesës së dytë Memelli i futi të dridhurat vendasve teksa goditi shtyllën pas një pasimi të Nexhipit, që mori krahun e majtë me një zbritje fantastike. Minuta e 66-të mund të kishte ndryshuar rrjedhën e ndeshjes. Rrahmani preku një top me dorë në zonë dhe për gjyqtarin ishte 11-metërsh. Zeqiri mori përsipër ekzekutimin por Hoxha sërish nuk lejoi prekjen e rrjetës. Dëshpërimi i Flamurtarit u pasqyrua i tëri te reagimi i trajnerit Ernest Gjoka. Dueli mes Pepës dhe Hoxhës vazhdoi dhe në minutën e 82-të, kur sulmuesi vlonjateve goditi me kokë por në qendër. Pak sekonda më pas provoi dhe Abilaliaj por goditja e tij përfundoi mbi traversë. Partizani regjistron barazimin e pestë në shtatë ndeshjet e fundit, ndërkohë që Flamurtari tani rrezikon jo pak, pasi është arritur nga Vllaznia dha ka vetëm një pikë më shumë se Tirana e vendit të 9-të.

Kukësi fiton në Kavajë dhe kap vendin e dytë

 Kukësi triumfoi 1-0 me Besën në Kavajë, duke regjistruar fitoren e tretë rresht dhe kapur vendin e dytë në renditje me dy pikë më shumë se Partizani i vendit të tretë.  Ndeshja nisi më mirë për Besën që, pati dy mundësi të mira për të shënuar me Berishën në minutën e parë dhe Jashanicën në të 17-tën. Megjithatë me kalimin e minutave Kukësi reagoi me Izuçukun. Në të 44’ ishte sërish Izuçuku ai që mund të kalonte miqtë në avantazh por kësaj radhe tentativa e tij me kokë brenda zone u ndal nga mbrojtësi i kavajasve Ramadani. Pjesa e dytë nisi më mirë për verdhezinjtë. Në minutën e 56-të sulmuesi kosovar i kavajasve Vedat Muriqi bëri të pabesueshmen kur vetëm 1 metër larg portës së boshatisur e dërgoi topin jashtë. Kamerunasi rregulloi shënjestrën në minutën e 82 kur pas ekzekutimit të një goditje këndi nga Izuçuka. Në takimin tjetër të javës së 26-të Teuta mori një trepikësh me vlera pasi mposhti në “Niko Dovana” 1-0 Kastriotin, më një gol të shpejtë të shënuar nga Batha. Kastrioti rrezikon seriozisht rënien në Kategorinë e Parë.

KATEGORIA SUPERIORE
Java XXVI

Dje, 30 mars

Teuta-Kastrioti 1-0

Besa-Kukësi 0-1

Vllaznia-Skënderbeu 1-0

Flamurtari-Partizani 0-0

Të shtunën, 29 mars

Tirana-Laçi 2-0

Shënim:

Lushnja-Bylis nuk u luajt, pasi Bylisi është përjashtuar. Lushnja e fitoi ndeshjen 3-0 në tavolinë.

RENDITJA
1 Skënderbeu      54

2 Kukësi             43

3 Partizani    41

3 Laçi           40

5 Teuta         39

6 Besa          34

7 Vllaznia           32

8 Flamurtari 32

9 Tirana       31

10 Kastrioti  26

11 Bylis       24

12 Lushnja          23

NDESHJET E MBETURA

Faza e tretë

Java 27/(5 prill)

Skënderbeu-Tirana

Laçi-Flamurtari

Partizani-Besa

Kukësi-Teuta

Lushnja-Vllaznia

Kastrioti-Bylis

Java 28/(12 prill)

Flamurtari-Skënderbeu

Besa-Laçi

Teuta-Partizani

Kukësi-Kastrioti

Tirana-Lushnja

Vllaznia-Bylis

Java 29/(19 prill)

Skënderbeu-Besa

Laçi-Teuta

Partizani-Kukësi

Lushnja-Flamurtari

Bylis-Tirana

Kastrioti-Vllaznia

Java 30/(26 prill)

Teuta-Skënderbeu

Kukësi-Laçi

Partizani-Kastrioti

Besa-Lushnja

Flamurtari-Bylis

Tirana-Vllaznia

Java 31/(30 prill)

Skënderbeu-Kukësi

Laçi-Partizani

Lushnja-Teuta

Bylis-Besa

Vllaznia-Flamurtari

KastriotiLaçi-Tirana

Java 32/(3 maj)

Partizani-Skënderbeu

Laçi-Kastrioti

Kukësi-Lushnja

Teuta-Bylis

Besa-Vllaznia

Flamurtari-Tirana

Java 33/(10 maj)

Skënderbeu-Laçi

Lushnja-Partizani

Bylis-Kukësi

Vllaznia-Teuta

Tirana-Besa

Kastrioti-Flamurtari

Edmond Kapllani del i gjakosur nga fusha. Odise Roshi godet shtyllën horizontale

 Shkëlzen Gashi shënon golin e radhës

  Shkëlzen Gashi shënoi me penallti në fitoren 3-1 të Grasshopersit ndaj Tunit në ndeshjen e vlefshme për javën e 27-të të kampionatit zviceran. Sulmuesi i Kombëtares sonë realizoi golin e parë të ndeshjes në minutën e 56-të. Për Gashin ky ishte goli i tij i 11-të në Superligën zvicerane, duke qenë së bashku edhe me Gavranoviçin e Zyrihut dhe Martinezin e Jang Bojsvave golashënuesit më të mirë të kampionatit. Për Grasshopersin luajti nga fillimi edhe mesfushori Amir Abrashi. Lucerni i Jahmir Hykës humbi në shtëpi 2-0 me Bazelin. Mesfushori Hyka luajti si zëvendësues nga minuta e 66-të, ndërkohë Taulant Xhaka, edhe ky një lojtar i Kombëtares sonë u aktivizua gjatë gjithë ndeshjes për Bazelin, që kryeson i sigurt kampionatin. Sulmuesi Armando Sadiku luajti si zëvendësues nga minuta e 72-të në humbjen 3-0 me Lozanën. Në Bundesligën e 2-të gjermane, derbi midis shqiptarëve të ekipeve, FSV Frankfurt-Padeborn, u mbyll me fitoren 3-1 të Padebornit të Alban Mehës, që konsolidoi kështu vendin e tretë në renditje, pozicion që të çon në “play-off” me vendin e tretë nga fundi të Bundesligës 1. Alban Meha ekzekutoi disa goditje të lira, por pa rezultat. Sulmuesi Edmond Kapllani e la fushën qysh në minutën e 17-të, pasi pësoi një çarje në fytyrë, ndërkohë që gjaku nuk i pushoi, gjë që detyroi trajnerin e FSV Frankfurtit, Beno Mëloman ta zëvendësonte. Mesfushori Odise Roshi, i cili shënoi golin e fitores një javë më parë kundër Erzgebirge Aue, kësaj radhe nuk pati fat, pasi goditi me kokë shtyllën horizontale. Në Itali, Lacio iu rikthye fitores, pasi mposhti 3-2 Parmën. Etrit Berisha nuk u aktivizua në portë, ndërkohë që Lorik Cana luajti si zëvendësues nga minuta e 66-të dhe sigurisht u ndëshkua me një karton të verdhë. Torino e Migjen Bashës fitoi 1-0 me Kaljarin. Mesfushori i Kombëtares sonë luajti nga fillimi dhe u zëvendësua në minutën e 80-të. Në Greqi, PAOK-u i Ergys Kaçes fitoi 2-1 me Kallonin në javën e 32-të. Kaçe ishte i pezulluar. PAS Janina e Andi Lilës dhe Emiljano Vilës e mbylli takimin me një lojtar më pak dhe humbi 1-0 me Ergotelesin. Vetëm mesfushori i avancuar Vila luajti (u zëvendësua në minutën e 83-të). Në Spanjë, Real Valadolid i Valdet Ramës fitoi 1-0 me Almerian. Rama nuk ishte në 18-she.