Vlashi Pambuku, “magazina” e enciklopedisë dhe historisë sportive beratase

1312
Nga Sulo GOZHINA
PORTRET/ Pak ditë pas ndarjes nga jeta të gazetarit sportiv, arkivistit dhe fotoreporterit të nderuar që nuk njohu moshë në punën e tij 70- vjeçare
Lajmi për humbjen e Vlashi Pambukut është pritur me një ndjenjë të thellë keqardhjeje në qytetin e Beratit. Një “hyjni” i këtij qyteti, i cili ka lindur në zemrën e tij, në lagjen Mangalem. Një kronikan i rrallë e i talentuar, emblematiku i jashtëzakonshëm, i cili e filloi aktivitetin sportiv që në moshën 14 vjeçare. 
Biografi e “qëndisur” në enciklopedi
Një enciklopedist që mbart me vete 70 vjet jetë sportive, Vlashi ishte edhe një mjeshtër i fotografisë sportive, e për gjithçka, ai mbetet një “ikonë” për Beratin, për atë kontribut të gjatë dhe të vlefshëm në shërbimet e çmuara dhe më gjerë, sepse puna e tij plot vlera është një arkiv i gjallë dhe e pasur për brezat në qytetin muze, dhe kudo në vendin tonë. Sëmundja e papritur dhe mjaft e shpejtë që e ndau nga tre djemtë, nga të afërmit dhe nga shoqëria, natyrisht që e ka tronditur edhe opinionin sportiv, të cilët kanë qenë të lidhur shumë ngushtë me gazetarin dhe fotoreporterin që i ka kushtuar të gjithë jetën e tij fushës së sportit. Sepse Vlashi Pambuku e ka nisur në një moshë fare të re karrierën e fotoreporterit sportiv, profesion të cilin ai e kryente me pasion të veçantë, aq sa e gjithë jeta sportive e qytetit të Beratit për më shumë se 70 vite, ka kaluar pikërisht nga aparati fotografik i Vlashit. Edhe pse kanë kaluar më shumë se tri javë nga ndarja e tij nga kjo jetë, në atmosferën sportive beratase ndihet çdo ditë mungesa e tij fizike, pasi vetë gazetari ka qenë një prej zërave më përfaqësues në punën e tij propagandistike të jetës sportive. Ndërsa si një prej banorëve të hershëm dhe autoktonë të qytetit të Beratit, ai zinte një vend të rëndësishëm dhe të respektueshëm në gjithë sferën intelektuale të këtij qyteti. Gjatë punës së tij, Vlashi ka spikatur fillimisht si një i ri shumë i pasionuar pas aparatit fotografik dhe pasionit që kishte për sportin, në mënyrë të veçantë për futbollin, duke qenë edhe një ish-futbollist në rininë e tij në radhët e Tomorit. Kështu, e gjithë jeta e tij spikati si një prej punonjësve më të përkushtuar, si një propagandues i madh dhe i zellshëm i sportit. Për arsye të punës së tij kolosale si fotograf sportiv, Vlashi është cilësuar në Berat edhe me nofkën si “Marubi i Beratit”, pasi janë me mijëra filma negativë që gjenden në arkivin e tij, e cila aktualisht ndodhet në shtëpinë e tij. Por më së shumti, edhe të pasqyruara në shumë libra sportivë dhe botime, aq sa në këtë fushë Vlashi Pambuku është nderuar edhe me disa çmime në konkurse kombëtare të fotografisë sportive, dhe në atë artistike. Gjithashtu, në punën e tij të gjatë që e ka bërë shumë të veçantë në jetën e tij, Vlashi ka kryer edhe detyrën e përgjegjësit sportiv të ish- shtëpisë së pionierit, por ka punuar edhe si mësues i edukimit fizik, duke u bërë një nga themeluesit e botimit të lojërave popullore në qytetin e Beratit, dhe në të gjithë vendin, për të vijuar ndoshta me një nga arritjet e tij më të mëdha, botimi i Enciklopedisë sportive të Beratit, një vëllim kolosal dhe voluminoz ku pasqyrohet e gjithë jeta sportive në të gjithë sportet e Beratit. Ndërsa në momentet e fundit të jetës së tij, Vlashi ka pasur në dorë botimin e dy librave sportivë që priteshin me shumë interes, kushtuar ish-legjendës së futbollit beratas, Përparim Kovaçi, dhe librin që i kushtohej 150 tifozëve më të njohur “Ultras të Tomorit”, të cilët spikatin me ngjarjet e tyre në jetë në lidhje me futbollin. Puna e tij e gjatë si gazetar sportiv ka bërë që Vlashi të ishte edhe një prej penave të njohura në gazetën e vetme sportive në vendin tonë, Sporti Popullor, ku mbulonte skuadrën e Tomorit, dhe ku ka punuar në të njëjtën kohë edhe si bashkëpunëtor me lajme dhe diçitura të ndryshme në disa media të ndryshme si karikaturist sportiv, pa harruar edhe detyrën si komentator sportiv në emisionin e njohur ” Nga njëra ndeshje në tjetrën ” në Radio Tirana. 
Publicisti Simon Vrusho: Vlashi i ktheu çastet në foto, fotot në ekspozita
Ndoshta troket më fort CV-ja e shkurtër, të cilën publicisti Beratas Simon Vrusho e ka përshkruar në këto pak radhë. “Në memorien time, Vlashi Pambuku mbetet gazetar dhe fotograf me një pasion të lindur, unik. Unik për kronikën sportive të Beratit, ku pa dyshim, vendin e parë e zinte futbolli. Kronikan me aparat fotografik në sy dhe me bllok e stilolaps në dorë. I lindur në Lagjen “Mangalem”, Vlashi shpesh thoshte me humor, se po qe mangalemas, je fotograf prej natyre. Ai i ktheu çastet në foto, fotot në ekspozita, ekspozitat në ngjarje, jo thjesht për sportdashësit, por mbarë qytetarinë beratase…”.
Mbeti një psikolog i jetës së fëmijëve
Vlashi do mbetet i gjallë tërë kohën, kryesisht me “Enciklopedinë sportive të qytetit tim”, si edhe me “Historiku i futbollit ‘Tomori’”. E thonë vetë titujt, enciklopedi e vërtetë, historik i thellë, ku në çdo rresht ndihet nervi “vlashian”, plasticiteti i gjuhës, qetësia e gjerë e stilit, theksimi i detajeve, përjetimi emocional i publikut. Vlash Pambuku kishte talent edhe për të trajtuar me art, artistikisht, botën dhe ëndrrat e fëmijëve me një sërë krijimesh sa origjinale, aq edhe fine. Ishte psikolog i botës fëminore.
Sa herë që do të flitet për sportin në Beratin e shekullit XX dhe fillimin e shekullit XXI, vetvetiu mendja, kujtesa, gjuha, fjala të shkon tek Vlashi Pambuku, kjo pasqyrë gjithëpërfshirëse që të kujton pasqyrat cilësore të stacioneve astronomike, por me dallimin që Pasqyra-Vlash qe kthyer me fytyrë, me sy dhe me zë nga fusha, palestra, këndi i lojërave, nga sheshi, rruga ku rendnin atletët, sikur rendte vetë koha
Botimet e rralla ndër vite
1. Histori e futbollit beratas; 2. Enciklopedia sportive e Beratit; 3. Sporti i alpinizmit beratas; 4. Lojëra popullore; 5. Mjeshtri i pesë dekadave – Ibrahim Keli; 6. Propaganda sportive; 7. Sport, sport… Presin në flesh; 1. Gol Kovaçi; 2. Forca Tomori; 3. Populli në lojë. 
Organet mediatike ku bashkëpunoi
Gazeta “Sporti”, “Sporti Popullor”, “Pionieri”, “Fatosi”, “Ylli”, “Shqiptarja e Re”, “Bashkimi”, “Zëri i Rinisë”, “Kushtrimi”. Bashkëpunëtor i Radio Tiranës me lajme e kronika sportive… Berati e njeh, por vallë sa e kanë kuptuar heshtjen e urtë dhe të palodhur të tij?
Sigal