Sigal

Përfaqësuesja i nis me humbje kualifikueset e Evropianit 2020, turqit shënojnë nga një gol për çdo pjesë


Shqipëria e ka nisur një mënyrën më të keqe këtë fushatë të re kualifikuese, e vlefshme për Euro 2020, pasi u mund ditën e djeshme në “Loro Boriçi” të Shkodrës, me rezultatin 0-2 nga Turqia. Përpos rezultatit negativ, kombëtarja jonë vijon të futet në fushën e lojës pa një identitet të sajin dhe pa një ide të qartë loje. Në vigjilje të kësaj përballjeje u fol shumë së kjo do të ishte ndeshja e kthesës për skuadrën kuqezi, por duket se ky trajner dhe kjo kombëtare nuk ka më ç’të japë. Kundër Turqisë sot, kuqezinjtë shfaqën probleme serioze dhe trajneri manifestoi se ka limite të mëdha sa i përket mënyrës se si kërkon që skuadra e tij të marrë fitore. As disiplina aq e trumbetuar dhe as eksperimentet në formacion e në skema nuk kanë mundur dot të ndihmojnë trajnerin italian që të përmirësojë imazhin e tij në drejtimin e kuqezinjve, që në sfidën ndaj Turqisë vinin me statistikat në favor të tyre, tashmë edhe ato të përmbysura. Tashmë nga 11 përballje me Turqinë, Shqipëria numëron 4 fitore, 2 barazime dhe 5 humbje, ndërkohë që ishin kuqezinjtë ata që kishin fituar me rezultatin 3-2 përballjen e fundit të zhvilluar në itin 2017, në një ndeshje miqësore.

Momentet e ndeshjes, Shqipëria e nis me vrull, turqit ndëshkojnë me të parën

Në fakt Shqipëria e ka nisur me një start perfekt duke presuar në gjysmëfushën e Turqisë në 20 minutat e para. Mjaftueshëm për të regjistruar dy raste flagrante për gol, fillimisht për Balajn në të 14’, më pas me Balliun në të 20’, që të dy të ndalur në limite. Por kaq ka zgjatur lavdia e kuqezinjve. Pas dy rasteve të shpërdoruara nga skuadra jonë, ka ardhur ndëshkimi i turqve. Burak Yilmaz kaloi Turqinë në avantazh pasi përfitoi dhe shfrytëzoi maksimalisht gafën e tretë radhazi të Gjimshitit në vetëm pak minuta, duke dërguar topin në rrjetë. Uzuni në të 33’ shpërdoroi rastin më flagrant për gol dhe për të barazuar shifrat, kur pas shërbimit perfekt nga Hysaj, depërtoi në zonë, por vetëm pak metra nga porta nuk ka mundur të zotërojë topin, duke e goditur me gju dhe dërguar jashtë kuadratit.

Me fillimin e pjesës së dytë, mesfushori i Milanit Çalhanoğlu zbehu thuajse çdo shpresë të kuqezinjve për një barazim, pasi në të 55’ realizoi një gol fantastik, personal, por duke përfituar edhe nga hapësirat e vëna në dispozicion nga difensiva e përfaqësueses së Shqipërisë. Gjuajtja e tij e fuqishme nga jashtë zone është ndalur vetëm nga rrjeta, me Berishën të pafuqishëm për ta frenuar 0-2. Asgjë për tu shënuar në favor të kuqezinjve në minutat e mbetura, pavarësisht ndryshimeve të tentuara nga tekniku italian Panuçi, me Shqipërinë që ndonëse ka provuar të reagojë në limite, ka rrezikuar të çahet sërish në mbrojtje, pas gabimeve të shpeshta.

Pas kësaj disfate, Shqipëria renditet në vend të parafundit në Grupin H, me 0 pikë, po aq sa Andorra dhe Moldavia, ndërkohë që kryesojnë me 3 pikë Franca, Turqia dhe Islanda. Dita e hënë, datë 25 mars do të rikthejë në fushë të dy formacionet, përkatësisht Shqipëria do të luajë në transfertë ndaj Andorra, ndërsa Turqia do të presë në shtëpi Moldavinë. 

Shqipëri-Turqi 0-2

Shënues: Burak Yilmaz 20′, Çalhanoğlu 55′

Shqipëria: Berisha, Balliu, Hysaj, Veseli, Xhimshiti, Memushaj, Xhaka, Ismajli, Balaj, Uzuni, Abrashi

Turqia:  Günok, Kaldırım, Belözoğlu, Yokuşlu, Gönül, Tosun, Çalhanoğlu, Tekdemir, Demiral, Yılmaz, Ayhan