Viron Bezhani:Masivitet dhe vizion për një sport elitar

560
Sigal

Sporti në Shqipëri edhe pse kanë kaluar 23 vite demokraci vijon të mbahet ende gjallë me shpirt ndër dhëmbë në kërkim të një fije shprese, të një shprese që do t’i jepte atij më shumë frymëmarrje. Të gjithë duan të merren me sport, të gjithë janë gati të përfitojnë nga marrja me sport, të gjithë shikojnë sport, por kur vjen puna për ta përkrahur dhe ta ndihmuar i kthejnë krahët. Një shtet që në 8 vitet e fundit mezi kujtohet se ekziston fjala sport edhe kjo më së shumti ndodh kur luan kombëtarja e futbollit. Apo më keq akoma, janë tifozët kuqezinj ata që zgjojnë me patriotizmin e tyre dhe i detyrojnë qeveritarët të kujtohen se duhet përmendur edhe fjala SPORT. Dhe në këtë rast gjithçka është bërë sa për të hedhur hi syve me disa premtime boshe dhe nuk shihet në detaje se ky sport në Shqipëri vuan dhe nuk po arrin të ngrejë kokën lart e të marrë frymë lirisht. Ndonëse ai duhet të jetë i apolitizuar sërish shfrytëzohet nga politikanët shqiptarë, që pak e njohin ose aspak.

Sporti vuan, kjo nuk është një risi dhe të ngresh zërin për sport në një shtet më mijëra halle, ku njerëzit janë të papunë dhe blejnë ushqime me lista, ndoshta mund të duket paradoksale. Por ja që edhe sporti ka rëndësinë e tij dhe duhet parë me kujdes, të paktën nga ata që kanë për detyrë ta bëjnë dhe që janë zgjedhur për të bërë politikat e tij. Por edhe kjo gjë nuk ndodh dhe më së shumti dëgjohet zëri i mbytur i atyre njerëzve që mes mijëra sakrificave e mbajnë gjallë atë, që kërkojnë ndihmë por nuk e gjejnë kurrë atë.

Që të bësh sport sot në Shqipëri nuk mjafton t’i japësh emrin e tij një Ministrie çfarëdo, apo të shpërndash një fond grant sa për të kaluar radhën. Kjo është si të japësh një kafshatë bukë për të mbajtur frymën gjallë dhe jo të bësh sport profesionist e cilësor. Shteti mund të thotë se bën detyrën e tij, ashtu çalë-çalë, por kjo nuk mjafton për të thënë se sporti po lulëzon, përkundrazi, ai po shkatërrohet dita-ditës, po ecën i me paterica. Një patericë e cila një ditë do të thyhet e sporti nuk do të ecë më përpara, do të zhduket.

Sot sporti duhet parë në një këndvështrim tjetër, më të gjerë, jo thjesht si një lojë argëtimi me top, apo një vrapim i thjeshtë për të kaluar kohën. Kjo natyrisht që është diçka shumë pozitive, kur sheh njerëz që merren me një aktivitet sportiv për të qëndruar larg veseve negative, por sporti ka nevojë për strategji. Sot politikat e sportit duhet të ndryshojnë me themel një sistem shumëvjeçar të përgjumur e të dështuar, ku në bazën e tij të jetë masiviteti e në majën e piramidës, cilësia. Fillimisht duhet menduar se si ta shtrijmë sportin në çdo qelizë të jetës dhe më pas të vjelin frytet e të shohim cilësinë, kampionët. Nuk duhet të bëjmë një kampionat sa për të thënë, për të nxjerrë disa kampionë e tu japin medalje. Duhet menduar më gjerë. Mjafton të shohësh përballjet tona në arenën ndërkombëtare për të kuptuar se sa pas jemi, pasi nuk jemi në gjendje të konkurrojmë as me fqinjët tanë.

Hartimi i programeve inkurajuese e mbështetëse, që synojnë dhe nxitin një pjesëmarrje të gjerë duhet të jetë në themel të sportit shqiptar. Kjo duhet të shtrihet në çdo grupmoshë, në ndërtimin e ekipeve zinxhir që te fëmijët 10-12 vjeçarë, moshë ku duhet të brumoset se sporti është shëndet dhe të largon nga veset. Rikthimi i aktiviteteve sportive me fëmijët, adoleshentët apo të rinjtë duhet të jenë kryefjala e politikave sportive, duke rritur masivizimin. Zhvillimi i aktivitetit me shkollat e mesme të Tiranës ishte një hap pozitiv, por ai duhet të pasohet me shumë aktivitete të tjera. Duhet shtrirë në të gjithë Shqipërinë. Duhet trokitur në çdo shkollë, të afrohen sa më shumë të rinj, për të patur një bazë sa më të gjerë. Vetëm kështu mund të shpresojmë se sporti do të mbijetojë. Natyrisht që jo të gjithë do të bëhen kampionë, por nga kjo politikë masivizuese do të dalin edhe më shumë elementë cilësorë, që përbëjnë elitën e sportit, ekipin kombëtar në çdo disiplinë.

Dhe më pas, kjo cilësi mbështetet nga shteti me forma e politika të ndryshme, përkrahet financiarisht për të arritur një rezultat pozitiv në arenën ndërkombëtare. Nuk mund të shpresojmë që të dalim kampionë në veprimtaritë ndërkombëtare në mënyrë sporadike dhe pa një plan të detajuar. Flluskat e momentit nuk zgjasin, ato janë kalimtare dhe më pas sërish kthehemi në mediokritet, në një sport mjeran, sa për të kaluar radhën. Duhet një politikë e detajuar, një politikë e hapur, gjithëpërfshirëse e mbështetëse për sportin, që ai të shohë me shpresë nga e ardhmja. Më shumë masivitet do të thotë më shumë cilësi dhe kjo është ajo që Shqipëria duhet të bëjë, rruga që duhet të ndjekë për të shpëtuar nga sëmundja 23-vjeçare e përgjumjes dhe e kafshatës së mbijetesës nga shteti. Duke pasur  më shumë cilësi sporti e ka më të lehtë për të ngritur zërin dhe të kërkojë të drejtat e tij, biznesi e shteti bëhen më të ndjeshëm, të ardhurat e sportit rriten e kështu krijohet një zinxhir i fortë, hallkat e të cilës mbështesin fort njëra-tjetrën. Kështu sporti jo vetëm që do të mbijetojë, por do të jetë më i fortë dhe do të dijë të thotë fjalën e tij e jo të nëpërkëmbet nga një shtet, që mezi ia ka përmendur emrin.