Viron Bezhani/ Xhelal Mziu, sporti nuk është prona juaj private

497
Sigal

Kryetari i Bashkisë së Kamzës mbylli stadiumin dhe pengoi zhvillimin e ndeshjes Kamza-Luftëtari

Kemi 8 vjet të qeverisjes Demokratike që nuk është bërë asgjë për sportin, madje e kanë shkatërruar edhe më keq atë. Kjo është konfirmuar edhe ditën e shtunë, me nisjen e kampionatit të futbollit. Në Shqipërinë e vitit 2013, kur të gjithë synojnë integrimin është një njeri që ende punon së prapthi, që në vend të ecjes përpara shkon prapa, mbyll mjediset sportive dhe u vë kyçin atyre sikur të ishin pronë e tij private. Dera e mbyllur e sportit, për të cilën kam ngritur zërin prej kohësh, u konfirmua të shtunën në Kamëz. Xhelal Mziu, kryetari i Bashkisë së Kamzës tregoi edhe një herë se sa shumë e do ai sportin, sa shumë bën ai për komunitetin e tij, duke kyçur dyert e stadiumit. E pabesueshme, madje e paimagjinueshme një veprim i tillë, që një kryetar bashkie të mos lejojë qytetarët e tij të shikojnë një ndeshje futbolli! Turp! Vërtet jemi kthyer pas në kohë, duke kujtuar shprehjen

“Topi është i imi, penalltinë do e gjuaj vetë”.

Por, për fat të mirë, kjo fushë sportive nuk është e juaja z.Mziu, nuk është ndërtuar në oborrin e shtëpisë tuaj, nuk është prona juaj private. Edhe pse ju mund të mbani të varur në qafë çelësin e derës së atij stadiumi ai nuk ju përket juve, por një komuniteti të tërë, që duan të argëtohen duke parë futboll, duke luajtur sport e duke harruar disi hallet e tyre të jetës së përditshme. Por ju as këtë nuk e bëni, në kundërshtim me çdo parim, ligjor dhe moral, duke i vënë drynin një stadiumi pa menduar se janë me mijëra ata që vijnë aty për t’u argëtuar, për të kaluar disa orë larg zhurmës, stresit dhe lokaleve. Mos harroni se me këtë veprim ju i vutë drynin një bashkie të tërë, madje një qyteti të tërë, mijëra njerëzve që jetojnë në Kamëz e zonat përreth, të cilët mezi prisnin të shikonin skuadrën e tyre të zemrës për të luajtur futboll.

Dhe, si të mos mjaftojë kjo, pas jush vijnë një sërë militantësh nën uniformën e policit bashkiak, madje edhe ata të policisë së shtetit, që tundin një letër në dorë dhe nuk e kuptojnë se po vrasin një komunitet të tërë, që të shtunën qëndroi pa parë futboll. Në vend që të hapen mjediset sportive ato mbyllen. Ky është integrimi që ju kërkoni z.Xhelal Mziu, kjo është ecja përpara e një qyteti të tërë? Ju harroni se ai nuk është stadiumi juaj, por i të gjithë qytetarëve, madje jo vetëm i atyre të Kamzës. Ne duhet të lejojmë dhe kërkojmë shtimin e mjediseve sportive e jo t’i kyçim ato, pasi kështu vrasim një popull të tërë, që sheh te sporti mjetin e vetëm argëtues në këtë Shqipëri të zymtë që ju po lini në ikje e sipër.

Këto që bëni ju janë një tragjedi-komedi ajo që pamë dhe dëgjuam të shtunën nga Kamza, nga qyteti ky ju jeni zgjedhur kryetar z.Mziu. Sportistë, trajnerë, tifozë etj., që kërkojnë të luajnë futboll e të argëtohen dhe një njeri që nuk i lejon të luajnë në një stadium që i përket të gjithë komunitetit. Ju kujtohet shumë mirë zoti Xhelal kur ju kërkonit të futnit me zor ne pallatin “A.Rusi” ekipin e basketbollit të Kamzës kur nuk pranonit të paguanit asnjë lekë sikur ta kishit pronën tuaj . Kështu po veproni edhe me stadiumin . Një gjë mos e harroni z.Mziu, ai stadium i përket të gjithë komunitetit. Është vërtet e turpshme dhe e trishtuar të shikosh ata të rinj që rrinë jashtë dyerve të stadiumit, ndërkohë që një kryetar i paaftë dredh zinxhirin e çelësave. Kjo është pasqyrë reale e asaj që qeveria në ikje ka bërë për sportin, duke i marrë frymën atij dhe nuk i ka lënë liri veprimi, duke i marrë çdo mjedis sportiv dhe duke ndërtuar kudo pallate. z.Mziu, nuk është kjo e ardhmja e Shqipërisë dhe ju nuk e keni kuptuar ende se nuk jeni më pjesë e një shoqërie që kërkon ndryshimin. Ndaj dhe ju mund t’i vërtitni ato çelësa, por nuk do ta mbyllni kurrë derën e sportit.

25 mijë tifozë në prezantimin e Bejlit

 Rreth 25 mijë tifozë mbushën shkallët e stadiumit “Santiago Bernabeu” për t’i uruar mirëseardhjen blerjes me të fundit të Realit të Madridit, Garet Bejlit. Uellsiani u shfaq në ambientet e klubit merengues në praninë e presidentit Florentino Perez duke pozuar me fanellën me numrin 11. Bejl theksoi se transferimi i tij te Reali i Madridit është realizimi i ëndrrës së tij si futbollist. Presidenti Florentino Perez e pranoi se negociatat me Totenhemin kanë qenë të gjata dhe të vështira. Bejl tha: “Shpresoj që të arrijmë të fitojmë trofeun e dhjetë në Ligës së Kampioneve. Për mua është një ndjesi e jashtëzakonshme që ndodhem këtu. Forca Real”. Garet Bejl nënshkroi një kontratë 6-vjeçare me Realin e Madridit ku do të përfitojë 15.6 milionë euro në sezon.

Rinovohet kryesia e notit, plotësohet pika e statutit

 Federata Shqiptare e Notit, në asamblenë e jashtëzakonshme, e cila është zhvilluar dje pasdite në ambientet e kompleksit “Dinamo”, e ka rinovuar kryesinë e saj. Madje, ka plotësuar dhe një pikë të statutit, pikërisht neni 24, pika 1, që është cituar dhe nga Presidenti i Federatës Shqiptare të Notit, Agim Çiraku, teksa minimalisht një anëtare duhet të jetë femër. Të paktën këtë ka deklaruar i pari i Federatës Shqiptare të Notit, në hapjen e asamblesë, teksa propozimi ka nga 1/3 e komunitetit. “Dhe këtë propozim të komunitetit, – ka thënë Çiraku – ne e morëm parasysh në mbledhjen e kryesisë së 2 gushtit, duke qenë të detyruar për ta bërë këtë asamble”. Në asamblenë e jashtëzakonshme, atje ku, sekretarja e Përgjithshme Suela Haxhija, ka pranuar se kanë qenë 2/3 për ta quajtur zyrtare këtë mbledhje, kanë qenë përfaqësuesit e 15 klubeve, të cilat ishin si më poshtë: Partizani, Studenti, Tradita, shoqata e notit “Vjosa”, Tornado 2011, Saranda Not Sport, Flamurtari, Butrinti, Shoqata “Alb-Sport”, Vlora Not Sport, Shoqata e Veteranëve, Vlora Not, Akademia Te Stela, Tirana, Shoqata e Ujit Tirana dhe Nobis. Dhe ndër 11 kandidatë të propozuar nga klubet dhe shoqatat anëtare të Federatës Shqiptare të Notit, në kryesinë e re janë: Eduard Mehmeti (17 vota), Viktor Dhimgjini (17 vota), Gloris Nesturi (16 vota), Kejda Ushtelenca (14 vota), Shpëtim Hasanaliaj (14 vota) dhe Robert Sedaraj (13 vota). Kjo asamble është përshëndetur dhe nga anëtari i Komitetit Drejtues të Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, Viron Bezhani, i cili ka deklaruar se është federata më model në sportin shqiptar. “Madje, po bëhen përpjekje që Federata juaj të ketë dhe një pishinë të sajën, gjë që unë e përshëndes. Ju uroj për zgjedhjet e kryera dhe për gjithçka që bëni, sepse jeni në rrugë të mbarë”, ka theksuar Bezhani, kurse më pas është bërë dhe një mbledhje e kryesisë, atje ku presidenti Çiraku ka kërkuar që të njohë nga afër bashkëpunëtorët e rinj që do të ketë në kryesi. Për t’u evidentuar është fakti se më 4-5 shtator, në Akuadromin e Tiranës do të bëhet Kampionati Kombëtar i të Rriturve në Not.

Gj.Vyshka