Viron Bezhani: “Unifikim i ideve të marketingut, baza e suksesit”

602
Sigal

Në Tiranë u zhvillua takimi i strukturave të marketingut me përfaqësues të 16 vendeve Komiteteve Olimpike të rajonit

Të martën, në Tiranë u zhvillua Mbledhja e Grupit të Punës anetarë e të cilit është dhe zyra e Marketingut të Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptare e  ku bëjnë pjesë struktura të menaxhimit të Komiteteve Olimpike të 16 vendeve te rajonit tonë.

Presidenti i KOKSH-it, Viron Bezhani, e konsideroi shumë të rëndësishëm takimin, pasi sipas tij ai do të përgatisë punën për Seminarin e ardhshëm të Marketingut Rajonal, i cili do të mbahet në shtator në Kroaci. “Pavarësisht vështirësive të tregut dhe zhvillimeve të ndryshme të vendeve në rajon, marketingu sportiv, me veçoritë e olimpizmit, mundet sot të përmirësojë praktikat e përbashkëta dhe të zhvillohet më tej, duke i dhënë kështu më shumë mundësi zhvillimi edhe sportit. Sot, zhvillimi i mëtejshëm i sportit në nivele të larta është i lidhur shumë ngushtë me politikat e duhura financiare dhe të të bërit marketing me sponsorë të ndryshëm, duke na vënë të gjithë ne në një provë të vështirë për gjetjen e rrugëve të reja. Ky takim i sotëm është i rëndësishëm në unifikimin e ideve të marketingut sportiv për të gjitha Komitetet Olimpike të rajonit, duke sjellë propozime konkrete te bashkëpunimit ndërmjet vendeve. Të gjithë e shohin si të rëndësishëm bërjen e një marketing efikas në sport, duke sjellë edhe më shumë të ardhura, duke sjellë më pas edhe rezultate më të mira. Gjetja e burimeve të duhura për të ecur përpara është edhe një nga prioritetet tona si Komitet Olimpik.

Takimi kishte për qëllim të përgatiste materialet për mbledhjen e ardhshme të takimit Rajonal të Marketingut, që do të mbahet në shtator në Kroaci. Seminari do të zhvillohet me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të Komitetit Olimpik Ndërkombëtar dhe të ftuar nga disa Top Partner. Në takim u diskutuan një sërë idesh për projekte të përbashkëta dhe unifikim te disa politikave të Marketingut Sportiv. Shqipëria do të jetë pjesë e disa projekteve “Cross Border” mbështetur ne kryesisht ne zhvillimin e zbulimit dhe mbështetjes së talenteve të reja dhe edukimit olimpik në shkolle. Projektet e përbashkëta të rajonit do të synojnë përdorimin e burimeve të përbashkëta të financimit, përpjekje për më shumë vëmendje të Top Sponsoreve si dhe me shume sponsor lokale. Ky material do të përgatitet nga Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar. Gjithashtu, po punohet për përcaktimin e metodave të Kërkimit të Tregut të Marketingut në Rajonin e vendeve të Europës Jugore dhe Juglindore. Grupi i Punës në sesionin e tij të Tiranës përfundoi punimet duke përcaktuar afatet, të cilat duhet të plotësohen me realizimin e projektit të përbashkët me katër vendet e rajonit për trajnimin e talenteve të reja qe do të përgatiten të marrin pjesë në Lojërat Olimpike Rinore “Nanjing 2014” në Kinë. Sipas Bezhanit, politikat e reja te KOKSH-it janë shfrytëzimi aseteve të tjera të KOKSH-it, siç janë Edukimi Olimpik  dhe talenteve e reja, duke e konsideruar sukses pjesëmarrjen e Shqipërisë në Lojërat Olimpike Rinore “Nanjing 2014” me 6 sportistë.