Viron Bezhani/ Të hapim dyert për njerëzit që e duan sportin!

529
Sigal

Presidenti i KOKSH-it: “Pa sport nuk ka një shoqëri të shëndetshme. Duhet bashkëpunim institucional”

Sporti shqiptar ka nevojë sot të vlerësohet me një monedhë tjetër nga të gjithë ata që e ushtrojnë dhe duan atë, të shihet në një këndvështrim më të gjerë, bashkëpunues dhe gjithëpërfshirës. Në qëllimet e mia si president i Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar ka qenë gjithnjë krijimi i një shoqërie që e do sportin dhe që do të bashkohet me atë. Të afrojmë njerëzit, rininë dhe të gjithë ata që e duan sportin të merren me aktivitete fizike. Dhe kjo është diçka mjaft e mirë, pasi të gjithë ne duam që sporti të jetë gjithnjë e më shumë pjesë e jetës tonë të përditshme.

Sporti sot i bashkon të gjithë njerëzit me një objektiv të vetëm, rritjen e masivitetit, shtrirjen e tij në çdo grupmoshë dhe ndërgjegjësimin e shoqërisë shqiptare se pa aktivitet sportiv nuk ka zhvillim. Dhe sot, që sporti ndodhet pranë arsimit, kemi mundësinë ta shtrijmë atë edhe më shumë në shkolla, duke hapur dyert e palestrave për njerëz që sportin e shohin si argëtim. Dhe kjo do të jetë padyshim fitorja jonë më e madhe pas degradimit që ka pësuar sporti në vitet e fundit. Të merresh me sport është një kulturë për një jetë të shëndetshme dhe larg veseve e kjo duhet të jetë pjesë e rëndësishme e shoqërisë dhe veçanërisht e rinisë sonë. Aktorët që duan të japin kontributin e tyre në zhvillimin e sportit janë shtuar e ky është një lajm i shkëlqyer, pasi më në fund të gjithë njerëzit po kuptojnë se pa qenë të bashkuar sporti nuk mund të ecë përpara. Ndaj, fjala dhe puna e të gjithëve ne do të jetë e rëndësishme, për të bërë atë hop cilësor që sot sporti ka nevojë. Dhe, për këtë, duhet të shtrijmë edhe më shumë bashkëpunimin Shtet-KOKSH-Federatë me institucione të tjera që janë të lidhura me sportin, siç është Universiteti i Sportit apo edhe me aktorë të tjerë. E gjithë shoqëria shqiptare sot duhet të jetë më aktive, të merret me sport në çdo moment, jo vetëm kur i ftojmë. Pa sport nuk ka një shoqëri të shëndetshme, pa sport nuk ka një kulturë e kështu me radhë. Ne duhet të bashkëpunojmë për t’i hapur dyert çdokujt që ka dëshirë të jetë pjesë e familjes tonë, duke e afruar atë gjithnjë e më shumë me sportin në palestrat e shkollave, në stadiume, pallate sporti e ambiente të ndryshme sportive. Sot ne vuajmë për shumë gjëra, nga infrastruktura e degraduar e mjediseve sportive deri te një ligj sporti i mbrapshtë e pak i përdorur, nga masiviteti i munguar e deri te cilësia. Por, duke qenë se sot jemi të gjithë së bashku, të bashkëpunojmë dhe të themi fjalën tonë për zhvillimin e sportit, duke zgjeruar bazën e atyre që janë gati të japin kontributin. Unë jam i bindur se patjetër gjërat do të ndryshojnë për mirë dhe në fund do të shohim se ne do të jemi edhe më të fortë. Të gjithë së bashku duhet të shfrytëzojmë çdo mundësi për të ecur përpara, çdo mjedis për t’u marrë me sport, të ndjekim çdo rrugë që na çon drejt suksesit, pasi në fund ai do të jetë një sukses i përbashkët.

Trajneri Urs Majer në “qiellin e shtatë”: “Kemi blerë sulmuesin e duhur, ka cilësi të mëdha”

 Armando Sadiku: “Zyrihu, një sfidë e bukur për mua” 

 Në kategorinë e dytë zvicerane Armando Sadiku ishte një “bomber” i vërtetë: 54 gola ne 83 ndeshje nuk janë pak. Tashmë me aventurën e re në Superligën helevet, me fanellën e Zyrihut, sulmuesi i Kombëtares shqiptare i duhet të tregojë aftësitë e tij dhe investimin e bërë nga klubi. Në miqësore kundër MSV Duisburgut, shqiptari 22-vjeçar në paraqitjen e tij të parë me Zyrihun shënoi edhe golin e tij të parë. Trajenri Urs Majer mbeti i kënaqur me debutimin e tij të shkëlqyer: “Armando i tregoi në fushë kundër Duisburgut cilësitë e tij të mëdha. Ai është një finalizues shumë i mirë, edhe në stërvitje më ka bërë një përshtypje të mirë, duke treguar një vullnet të fortë. Unë jam i bindur që, edhe në Superligë ai do të bëjë paraqitjet të mira dhe do të zhvillohet akoma dhe më shumë”. Vetë Armando Sadiku, duke folur për faqen zyrtare të klubit zviceran tha: “Golat në miqësore nuk janë të rëndësishëm. Ato në sfida të vërteta janë”. Ish-sulmuesi i Luganos dhe Lokarnos, gjithmonë ka qenë një makinë golash në ndeshjet testuese. Sadiku tregon vështirësitë e ardhjes në Zvicër, teksa linte 19-vjeç familjen për t’u transferuar tek Locarno në Zvicër, ndërsa thekson se, “virusin” e dashurisë për futbollin ia ngjiti i atij tij, pavarësisht se ky i fundit nuk bëri karrierë si futbollist, por se ai mjaftua për t’i vendosur të birit emrin e Diego Armando Maradonës. “Javët e para ishin shumë të vështira. Në fillim nuk po ndihesha mirë. Është e vështirë për një të huaj sepse ka shumë pritshmëri dhe ka barriera për shkak të gjuhës. Por rashë dakord me familjen që do sulmoj fort dhe do shoh sa shumë mund të arrij me futbollin”. Edhe problemet e gjuhës janë përmirësuar goxha. Armando vazhdon të shkojë në kurs, ndërsa fakti që flet italisht e ndihmon me shumë nga shokët e skuadrës. Dhe në momente vështirësie, është gjithmonë Burim Kukeli për ta ndihmuar. Të dy njihen prej kohësh, pasi janë pjesë e ekipit të Kombëtares shqiptare, dhe për më tepër ndajnë dhomën gjatë grumbullimeve.  Kukeli flet me superlativa për 22-vjeçarin : “Armando nuk e pranon humbjen, as kur bëhet fjalë për playstation. Kur humb kthehet në tjetër njeri (qesh)”. “Unë jetoj për futbollin dhe bëj çdo gjë për të pasur sukses. Do jap gjithmonë maksimumin në fushë për të ndihmuar skuadrën. Kam një ndjesi të mirë për këtë skuadër dhe vitet që vijnë”, – përfundon 22-vjeçari, i paduruar për të nisur aventurën e re. Numri 11 i Zyrihut u rrit në Elbasan, ku dhe luajti me ekipet e moshës së atij qyteti, për të nënshkruar kontratën e tij të parë me Turbinën e Cërrikut, kur ai ishte vetëm 16 vjeç. Më pas erdhën Gramozi dhe Elbasani, ndërkohë që në verën e vitit 2001, kur ai ishte 19 vjeç ai u transferua në Lokarno, i vetëm dhe larg familjes. Sadiku flet edhe për ndryshimet midis tre klubeve, për të cilat ai ka luajtur në Zvicër: Lokarnos, Luganos dhe Zyrihut. “Nuk u mendova dy herë kur më erdhi oferta nga Zxrihu. E kisha ndjekur klubin gjatë kohës sime në Zvicër. Është një klub i madh. Ka shumë ndryshime në krahasim me Luganon. Për shembull, ritmi është më i lartë nga ai që unë isha i ambientuar në Challenge League, kështu që më duhet të punoj shumë”, – tha Sadiku, i cili së shpejti do të jetojë me të fejuarën e tij në Zyrih. Gjuha gjermane është një problem, por ai do të shkojë një kurs gjuhe, për t’u integruar më shpejt. Armando Sadiku ka një premtim për tifozët: “Unë do të jap gjithçka, në mënyrë që ta ndihmoj ekipin sa më shumë. E kam këtë parandjenjë të mirë, por më duhet ta tregoj këtë me golat e mi”.