Viron Bezhani/ Të gjithë së bashku, për një sport pa barriera

521
Sigal

Sporti nuk njeh barriera, ai është i të gjithëve dhe të gjithë duhet të kontribuojnë çdo ditë për të

Me ndryshimin e qeverisë e gjithë Shqipëria po hyn në një fazë të re, atë të integrimit të përhershëm në Europë, ëndrra e të gjithëve. Dhe pjesë e këtij integrimi do të jetë edhe sporti, i cili ka mbetur pas, ndonëse duhej të ishte në krye. E them këtë pasi sporti nuk njeh barriera, ai është i të gjithëve dhe të gjithë duhet të kontribuojnë për të. Sporti nuk është vetëm i atyre që e bëjnë atë, sportistëve e trajnerëve, drejtuesve dhe federatave, por edhe i sportdashësve. Në fund të fundit ai është argëtim dhe për këtë duhet të mendojmë në radhë të parë, se si ta zhvillojmë atë që të kënaqim njerëzit që vijnë në stadiume e pallate sporti. I lënë në harresë për 8 vjet me radhë sporti shqiptar ka lënguar shumë dhe sot është në këtë gjendje të mjerueshme, pasi nuk është vlerësuar ashtu si duhet. Por ai dhe njerëzit që e bëjnë atë janë krenarë dhe dinë të mbajnë kokën lart edhe mes vështirësive.

Për të mbajtur gjallë sportin sot duhet një politikë e detajuar, një politikë e hapur, gjithëpërfshirëse dhe mbështetëse për sportin, që ai të shohë me shpresë nga e ardhmja. Filozofia e sportit është e qartë: Ai ka vlera edukative dhe shëndetësore, pasi një popull aktiv dhe që merret me sport do të vuajë më pak, do të konsumojë më pak ilaçe e shërbim shëndetësor. Ai largon rininë nga veset e këqija, kazinove e drogës, duke e bërë atë të përgjegjshme për të ardhmen e saj. Sporti vërtet do të ndryshojë, pasi ai sot është pranë arsimit, ndërkohë që të gjithë duhet të mendojmë për të rritur masivizimin. E në këtë mes duhet të jetë edhe Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar me politikat e tij. Një sport që t’i ketë të gjithë së bashku, pa asnjë barrierë mes palëve, pasi të gjithë duhet të punojnë për të mbajtur lart flamurin kuqezi,, kudo që ai valëvitet.

Sot, më shumë se kurrë, duhet punuar për ta shtrirë sportin në çdo qelizë të saj. Hartimi i programeve inkurajuese e mbështetëse, që synojnë dhe nxitin një pjesëmarrje të gjerë duhet të jetë në themel të sportit shqiptar. Politika jo vetëm të një Ministrie, por me bashkëpunimin e KOKSH-it dhe Federatave sportive. Kjo duhet të shtrihet në çdo grupmoshë, në ndërtimin e ekipeve zinxhir që te fëmijët e vegjël, moshë ku duhet të brumoset se sporti është shëndet dhe të largon nga veset. Rikthimi i aktiviteteve sportive me fëmijët, adoleshentët apo të rinjtë duhet të jenë kryefjala e politikave sportive, duke rritur masivitetin. Duhet trokitur në çdo shkollë, që të afrohen sa më shumë të rinj, për të pasur një bazë sa më të gjerë. Vetëm kështu mund të shpresojmë se sporti do të mbijetojë.

Sporti shqiptar nuk duhet të ndihet inferior me fushat e tjera në aspektin financiar, por i barabartë, pasi është ai që e ngre flamurin kuqezi në çdo cep të botës. Në dy veprimtaritë e fundit më të mëdha ndërkombëtare  – Lojërat Olimpike dhe Lojërat Mesdhetare, –  shteti nuk akordoi asnjë qindarkë, sikur këta sportistë nuk përfaqësonin shtetin shqiptar. Kjo nuk duhet të ndodhë më, pasi pa mbështetje financiare nuk ka kurrë zhvillim. Çdo politikë zhvilluese ka një faturë financiare dhe ajo duhet të jetë e mjaftueshme për të qenë të denjë kudo që përfaqësohemi. Sporti e meriton vëmendjen jo vetëm të qeverisë por të të gjithë komunitetit, pasi ai duhet të jetë i pranishëm dhe i prekshëm kudo. Të gjithë të bashkëpunojmë për një sport më të mirë, pa barriera dhe mashtrime, për të treguar se sa të aftë jemi për të thënë me krenari kudo fjalën tonë.

 Në garë për kreun e olimpizimit shqiptar janë Viron Bezhani, Genc Boga dhe Martin Biba

 Sot, KOKSH-i me President të ri

  Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar do të zgjedhë Presidentin e ri të tij, një midis Viron Bezhanit (shefit të Komisionit Teknik të KOKSH-it), Martin Bibës (presidenti i Federatës së Mundjes, por që nuk njihet nga KOKSH-) dhe Genc Bogës (jurist, kreu i studios legale “Boga&Associates”). Asambleja e 17-të e Përgjithshme Zgjedhore do t’i zhvillojë punimet e saj në Hotel “Tirana International”, salla “Akernia” duke nisur nga ora 11:00. Propozimet pëe tre kandidaturat për Presidentin e ri të KOKSH-it kanë ardhur nga anëtarët në bazë të nenit 16, pika 2.3 e Statutit të KOKSH-it. Anëtarët e Asamblesë me të drejtë vote do të votojnë dhe zgjedhin edhe zëvendëspresidentin e ri, ku kandidatë janë Gergji Ruli dhe Vojo Malo. Kandidat i vetëm për mbajtjen e Thesarit është Floben Dilaveri, duke qenë tashmë i zgjedhur. Po sot do to të zgjidhen e edhe anëtarët e rij. 18 kandidatët për anëtarë të Komitetit Ekzekutiv janë Agim Çiraku, Agron Cuka, Alketa Çaushi, Ela Tase, Elez Gjoza, Erald Dervishi, Erzen Breçani, Genti Malko, Gëzim Panariti, Gjergj Leqejza, Hyrmete Gjetaj, Ilir Gusho, Labo Çapo, Linda Spaho, Majlinda Pilinci, Skënder Anxhaku, Stefan Rrufa dhe Vladimir Gjonaj. Aktualisht, KOKSH-i ka President ne detyrë zonjën Ela Tase, pas dorëheqjes së Agim Fagut. Ish-basketbollisti i njohur u vetëlargua para më një viti e gjysmë, pas pakënaqësisë së tij ndaj drejtuesve.

KANDIDATËT PËR PRESIDENT

 Genci Boga

Martin Biba

Viron Bezhani

KANDIDATËT PËR ANËTARËT E KOMITETIT EKZEKUTIV

 Agim Çiraku

Agron Cuka

Alketa Çaushi

Ela Tase

Elez Gjoza

Erald Dervishi

Erzen Breçani

Genti Malko

Gëzim Panariti

Gjergj Leqejza

Hyrmete Gjetaj

Ilir Gusho

Labo Çapo

Linda Spaho

Majlinda Pilinci

Skënder Anxhaku

Stefan Rrufa

Vladimir Gjonaj