Viron Bezhani: Kjo është “autostrada” e sportit shqiptar për Lojërat Olimpike “Tokio 2020”

1031
Nga Agron KAJA
KOKSH/ Ndahen Bursat Olimpike për sportistët elitarë në Shqipëri, flet për “Telegraf” presidenti i olimpizmit shqiptar
Dje paradite, në një ceremoni shumë sportive, KOKSH-i organizoi një konferencë për shtyp, në të cilën mes të tjerash bëri publikë emrat e sportistëve elitarë, të cilët do të trajtohen me bursa olimpike. “KOKSH ka qenë gjithnjë pranë sportistëve elitarë dhe të talentuar, duke i mbështetur ata, por edhe mjaft kampionë të tjerë, pasi ne synojmë gjithnjë rritjen e cilësisë sportive dhe arritjen e rezultateve të larta në arenën ndërkombëtare:, kështu theksoi mes të tjerash Presidenti i KOKSH, Viron Bezhani, në intervistën e tij për gazetën “Telegraf”. 
Konferenca juaj për mediat, a na jep të drejtën që të pyesim më shumë se sa ju paraqitët?
Natyrisht që po, sepse ju për punën po interesoheni. Në materialin që unë deklarova, ishin disa nga pikat kryesore, duke u përqendruar tek bursat olimpike, por që në punën tonë ka shumë hapësira për të folur.

Dhe konkretisht, çfarë keni bërë ju si KOKSH, ndryshe nga vitet e kaluara?
Ka një ndryshim shumë të madhe, e unë do ta quaja cilësor. Sepse ndryshe nga vitet e shkuara kur bursat jepeshin në periudha të ndryshme, këtë herë ne i dhamë ato para zhvillimit të Lojërave Olimpike Botërore “Tokio 2020”.

Çfarë synohet më shumë prej jush me këtë shpërndarje në këtë periudhë?
Synimi ynë është që ne si Shqipëri, të kemi një bërthamë me sportistë elitarë, që ta përfaqësojnë vendin tonë në të gjitha veprimtaritë sportive ndërkombëtare. Unë këto bursa olimpike do ti quaja si “autostrada” e sportit shqiptar për Lojërat Olimpike “Tokio 2020”.

Cilët sportistë e mbyllën në këtë periudhë trajtimin me bursë olimpike?
Vitet e fundit kemi mbështetur me bursë olimpike dy sportistët që morën pjesë në Olimpiadën dimërore, Erjon Tola e Suela Mëhilli, të cilët i falënderojmë për paraqitjen e tyre në “Pyeongchang 2018”. Por, tashmë ka ardhur koha për të parë përpara, për eventet e tjera të rëndësishme ndërkombëtare që na presin.

Mos është ky një shpenzim i madh me këto bursa olimpike, me 8 sportistë elitarë?
Ju konfirmoj se KOKSH ka negociuar edhe me Solidaritetin Olimpik për të siguruar këto Bursa për sportistët tanë më të mirë dhe të perspektivës. Ne si KOKSH, por besoj se i gjithë sporti shqiptar, synojmë që të kualifikohemi për në Olimpiadën e Tokios me sa më shumë sportistë dhe për ne kjo do të ishte fitorja e parë.

Si ka qenë në këtë rast bashkëpunimi i KOKSH-it me MASR?
Bashkëpunimi me Federatat sportive, Ministrinë e Sportit dhe të gjithë aktorët e tjerë, do të na mundësojnë një përfaqësim sa më të madh e dinjitoz në të gjitha eventet olimpike, duke bashkërenduar veprimet tona dhe në fund arritur rezultatet që dëshirojmë.

Për vitin 2018, cilat janë veprimtaritë sportive ndërkombëtare që Shqipëria do të përfaqësohet?
Këtë vit, në muajin qershor kemi Lojërat Mesdhetare në Tarragona të Spanjës, më pas, në muajin tetor zhvillohen Lojërat Olimpike Evropiane. Këto veprimtari, njëherësh edhe ato që do të kemi gjatë vitit 2019, do të jenë baza që ne do të na përfaqësojë në Olimpiadën e “Tokio 2020”.

Ky është synimi i KOKSH-it për këtë sportistë elitarë?
KOKSH synon që këta sportistë të përgatiten sa më mirë, për të arritur kualifikimin për në Lojërat Olimpike “Tokio 2020”. Edhe pse duhen më shumë se 2 vite që të nisë Olimpiada, ne kemi vendosur që t’i mbështesim më herët këta sportistë, në mënyrë që të ndërtojmë një ekip olimpik të fortë e solid për Olimpiadën e vitit 2020. 
KOKSH do të bëjë përpjekjet maksimale për të mbështetur këta sportistë, ashtu siç ka bërë gjithnjë, duke bashkëpunuar me të gjithë aktorët kombëtare e ndërkombëtarë, për të bërë të mundur këtë gjë. Ju uroj atyre suksese në stërvitje e gara!
Kualifikimi i trajnerëve e arbitrave, prioritet për vazhdimësinë
Një nga prioritetet e KOKSH për vitin 2018 e në vazhdim është kualifikimi i trajnerëve të shumësporteve. Dhe për këtë prioritet, Presidenti Bezhani, mendon se do të bëhet më mirë lidhja cilësore sportist-trajner. “Ne kemi pasur ndër vite sportistë cilësorë, por në raste të veçanta ata nuk kanë pasur trajnerë të kualifikuar. Kjo ka qenë një mangësi e së shkuarës, e cila mendohet të riparohet shumë shpejt nga ana jonë. Po kështu do të veprohet edhe me arbitrat, me sportistët e trajnerët, me të cilët do të organizohen kualifikime jashtë Shqipërisë. Këtë muaj e mbyllën trajnimin e tyre në Poloni, tre mundës cilësorë”.
Sportistët me bursë olimpike

Emri i sportistit Sporti Vlera përfituese
Izmir Smajlaj Atletikë 900 USD/muaj
Luiza Gega Atletikë 800 USD/muaj
Evangjeli Veli Peshëngritje 800 USD/muaj
Nikol Merizaj Not 500 USD/muaj
Jon Vrenozi Xhudo 500 USD/muaj
Erigle Prizreni Mundje 500 USD/muaj
Xhino Toli Karate 500 USD/muaj
Elord Gjana Taekwondo 500 USD/muaj
(Periudha e përfitimit të Bursës Olimpike është, 
nga 1 janar 2018 e deri më 31 gusht 2020)
Qëllimi i Bursës Olimpike
Bursat Olimpike janë një mënyrë mbështetjeje dhe motivimi, ndihme dhe inkurajimi për sportistët përfitues, që të përgatiten seriozisht për kualifikimin në këto Lojëra. Bursa nuk është një rrogë, por ajo është një ndihmë financiare dhe teknike për sportistët, e cila i mundëson ata të kenë kushte më të mira: Trajner të specializuar; Kontroll të rregullt mjekësor dhe shkencor; Sigurim për aksidentet dhe sëmundjet; Shpenzime akomodimi dhe qëndrimit; Shpenzime transporti; Kampe trajnimi jashtë vendit etj.
Sigal