Viron Bezhani: “Kelmendi dhe Begaj, shpresat tona të mëdha!”

3345
Sigal

Shefi i misionit të delegacionit olimpik shqiptar në “Londër 2012”: “Presim medalje në xhudo dhe peshëngritje”

Shqipëria do të marrë pjesë në Lojërat Olimpike “Londër 2012”, me të njëjtin numër që mori edhe katër vjet më parë, në “Pekin 2008”, pra me 11 sportistë. Për Shqipërinë kjo është hera e gjashtë që merr pjesë në Lojërat Olimpike, pasi ka marrë më parë në “Munih 1972”, “Barcelona 1992”, “Atlanta 1996”, “Sidnej 2000”, “Athinë 2004” dhe “Pekin 2008”. Delegacioni i sportistëve shqiptarë është grumbulluar zyrtarisht prej disa ditësh në hotel “Rogner”, atje ku sot do të kryhet edhe Ceremonia zyrtare e Dorëzimit të Flamurit, nga ana e Kryeministrit Sali Berisha. “Kemi marrë masa, që të marrim maksimumin nga sportistët”, – tha Bezhani për gazetën “Telegraf”. dhe ai pritet të niset në datën 17 korrik drejt Londrës. “Do t’i çojmë dhjetë ditë para në Angli, kjo dhe për t’u ambientuar me klimën e atij vendi, por dhe të nisin përgatitjet në Londër. Kjo bëhet me synimin për t’u krijuar të gjitha kushtet sportistëve, për të marrë prej tyre rezultate maksimale. Shpresojmë të realizojmë, atë ëndërr që e kemi të gjithë, dhe që është dhe në posterin shqiptar të Lojërave Olimpike ‘Londër 2012’: ‘Nuk heqim dorë nga ëndrra’. Pra të marrim rezultate të larta”, – theksoi shefi i misionit, Viron Bezhani.

 Zoti Bezhani, ju jeni shefi i misionit të delegacionit olimpik shqiptar në Lojërat Olimpike “Londër 2012”, që nisin zyrtarisht më 27 korrik. Cilat janë përgatitjet e Shqipërisë për evenimentin më të madh sportiv në botë?

Shqipëria do të marrë pjesë në Lojërat Olimike “Londër 2012”, me të njëjtin numër që mori edhe katër vjet më parë, në “Pekin 2008”, pra me 11 sportistë. Unë besoj se, këta janë sportistët më cilësorë qe në kemi. Në fakt, ne ishim përgatitur për 12, çka do të ishte dhe një rekord pjesëmarrje, por atletja Luiza Gega, e cila ishte me ftesë, nuk do të jetë. Gjithsesi, 11 sportistë në Olimpiada, mbetet edhe numri më i lartë i përfaqësimit tonë.

Për Shqipërinë kjo do të hera e gjashtë që do të marrë pjesë në Lojërat Olimpike. Cila është puna e Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, për të pasur rezultate të nivelit të lartë?

Ajo që duhet ta theksoj me forcë, ka të bëjë me faktin se, ka një interesim të drejtpërdrejtë dhe konkret të të gjitha federatave, por dhe të Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, për të marrë maksimumin e sportistëve në Olimpiadën e Londrës. Në këtë kontekst, u janë krijuar kushtet ideale të mundshme të gjithë sportistëve, që nga akomodimi në Hotel “Rogner”, e deri lehtësitë në transport për procesin stërvitor. Stërvitja e sportistëve si dhe regjimi sportiv është tërësisht i mbikëqyrur dhe i mirëkontrolluar.

Cila është gjendja psikologjike dhe ajo përgatitjes së olimpistëve?

Të marrësh pjesë në evenimentin më të rëndësishëm sportiv në botë, është e natyrshme, që dhe mobilizimi i sportistëve pjesëmarrës është maksimal. Në të njëjtën linjë dhe përgjegjësi janë dhe trajnerët e tyre, ashtu si dhe mbështetja logjistike, nga Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve dhe Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar.

Me sa sporte do të përfaqësohet Shqipëria në “Londër 2012”?

Vendi ynë do të përfaqësohet me 11 sportistë, që përfaqësojnë pesë lloje të ndryshme sporti. Kështu, nga peshëngritja do të marrin pjesë pesë sportistë, katër meshkuj dhe një femër, pra do të jenë Daniel Godelli, Hysen Pulaku, Briken Calja, Endri Karina si dhe Romela Begaj. Noti shqiptar do të përfaqësohet me Sidni Hoxhën dhe Noel Borshin,  si dhe me nga një sportist do të përfaqësohen xhudo, me kosovaren Majlinda Kelmendi; qitja me Arben Kuçanën; atletika me hedhësin e gjyles, Adriatik Hoxha dhe Klodiana Shalën, kjo e fundit do ta ketë për herë të katërt pjesëmarrjen e saj, duke vendosur edhe një rekord absolut për një sportist shqiptar, pasi ka marrë pjesë në “Sidnej 2000”, “Athinë 2004”, “Pekin 2008” dhe tani “Londër 2012”.

Shqipëria nuk shkuar më shumë se vendi i 5-të për meshkuj, me peshëngritësin Ilirjan Suli në “Sidney 2000” dhe vendi i gjashtë për femra, me Romela Begajn në “Pekin 2008”. Nga cilët sportistë presim rezultate të nivelit të lartë?

Nga xhudistja kosovare, por që vitet e fundit ka garuar me flamurin shqiptar, Majlinda Kelmendi, ne presim rezultate të mira, për vetë faktin se ajo është një nga sportistet më elitare në botë në peshën e saj në xhudo. Ajo është trajtuar me bursë olimpike nga Komiteti Olimpik Shqiptar. Rezultatet e saj në aktivitetet ndërkombëtare kanë qenë shumë pozitive. Nuk duhet të harrojmë se ajo fitoi medaljen e artë në Kampionatin Botëror për të Rinj, në Paris, në vitin 2009, ndërkohë që në Kampionatin Botëror të Tokios, në vitin 2010, ajo u rendit e nënta në peshën 52 kg.

Në Olimpiadë merr pjesa ajka e sportit botëror, pra sportistët më të mirë në planet. Sa mund të jenë shanset e Shqipërisë për të arritur rezultate të larta, apo pse jo për medalje?

Duhet të jemi realistë dhe të flasim me këmbë në tokë. Askush nuk e diskuton se, të gjithë sportistët do të japin maksimumin e tyre, por ne presim më shumë nga dy olimpistë: xhudistja Majlinda Kelmendi dhe peshëngritësja Romela Begaj.

Begaj është përzgjedhur edhe si flamurmbajtësja e delegacioni shqiptar. Pse u zgjodh ajo?

Romela u zgjodh me një vendim unanim të Komisionit Teknik të KOKSH-it. Begaj është një sportiste e nivelit të lartë, është nënkampione e Europës në peshëngritje, në peshën 58 kg, dhe ajo e meriton nderin që i është bërë.

Zoti Bezhani, ju keni qenë shef misioni edhe në Lojërat Olimpike “Atlanta 1996”, të zhvilluar në Shtetet e Bashkuara. Çfarë progresi ka bërë Shqipëria dhe zhvillimi i olimpiadave në tërësi?

Po, kam qenë në “Atlanta 1996”, ku kanë marrë pjesë si sportistë, Mirela Manjani (hedhje shtize), Vera Bitanji (trehapësh), Besnik Musai (çiklizëm), Diana Mata dhe Enkelejda Shehu (në qitje), Ilrijan Suli (peshëngritje) dhe Shkëlqim Troplini (mundje). Sigurisht, kur kujtoj “Atlanta 1996”, pra organizimin e saj, ne mendonim se organizimi i saj ishte një kulm, por të njëjtin mendim kemi ndarë edhe Olimpiadat pasardhëse, “Sidnej 2000”, “Athinë 2004”, “Pekin 2008”, ashtu siç besoj se dhe “Londër 2012” do të shënoj një tjetër kulm, në pikëpamjen sportive dhe organizative. Përsa i përket Shqipërisë, sigurisht ajo e ka rritur cilësinë e pjesëmarrjes së saj.

Sot, ceremonia e dorëzimit të flamurit

Sot, në orën 20:30 në Hotel “Rogner” do të bëhet edhe ceremonia “Gala” e dorëzimit të flamurit kombëtar, delegacionit sportiv shqiptar. “Do të jetë Kryeministri i vendit, Sali Berisha, ai që do t’ia dorëzojë Romela Begajt flamurin. Kryeministri do të jetë dhe në Ceremoninë e Hapjes së Olimpiadës”, – tha Bezhani, i cili tregon për “Telegraf” të gjitha detajet e ceremonisë zyrtare. “Do të marrin pjesë të gjithë anëtarët e kabinetit qeveritar, zyrtarët të lartë të federatave, ish-pjesëmarrës të Lojërave Olimpike, ish-sportistë dhe sportistë të famshëm. Gjithashtu, do të kemi dhe përfaqësues të lartë nga Kosova, përfshirë ministrin e Sporteve, Presidenti i Komitetit Olimpik të Kosovës, Besim Hasani, ndërkohë që jemi dhe në pritje të konfirmimit të kryeministrit të Kosovës, zotit Hashim Thaçi”, – shtoi Bezhani.

Kostumi zyrtar, i dizenjuar nga stilistë

 Kostumi zyrtar i delegacionit do të jetë një risi e bukur. “Do të jetë diçka e veçantë. Ai është dizenjuar nga një stiliste enkas për Lojërat Olimpike ‘Londër 2012’. Kostumi simbolizon karakteristikat e Shqipërisë. Këmisha është e bardhë, e cila ka viza të kuqe dhe te zeza, çka e dallon atë nga veshjet e mëparshme. Duket shumë bukur dhe është punuar me finesë”, – tha Bezhani.

Flamurmbajtësja Romela Begaj: “Dua t’u përmbush ëndrrën shqiptarëve”

 Peshëngritësja Romela Begaj, nënkampionia e Europës, në peshën 58 kg, do të jetë dhe flamurmbajtësja e delegacionit shqiptar në Lojërat Olimpike “Londër 2012”. Ajo do të jetë sportistja e katërt femër, që do të ketë këtë detyrë, pas Afërdita Tushes në “Munih 1972”; Mirela Manjanit në “Atlanta 1996” dhe Klodian Shalës në “Athinë 2004”. Për Begajn, kjo do të jetë hera e dytë që do të marrë pjesë në një Olimpiadë, pas asaj në “Pekin 2008”, ku ajo u rendit në vendin e gjashtë, rezultati më i mirë për një sportiste femër dhe i dyti më i mirë i Shqipërisë, pas atij të peshëngritësit Ilirjan Suli, vendi i pestë në “Sidnej 2000”. Begaj u bë e famshme në “Pekin 2008” edhe për foton e saj, që bëri xhiron e botës, kur ajo pasi kreu me sukses ngritjen, e festoi atë me një kërcim akrobatik. Në “Londër 2012”, Begaj do të mbajë flamurin shqiptar. “Ishte diçka që e prisja, – tha Begaj për emisionin televiziv “Zig-zag” të Televizionit Publik Shqiptar. – I falënderoj të gjithë ata që besuan tek mua, përfshirë Komitetin Olimpik dhe sekretarin e tij, zoti Stavri Bello. Jam flamurmbajtëse dhe, të them të vërtetën është një shtysë më shumë. Është një gëzim akoma më i madh për mua, që i shtohet edhe pjesëmarrjes për herë të dytë në Lojërat Olimpike. Dua t’i nderoj të gjithë shqiptarët me rezultatet e mia”. Begaj, e cila doli e treta në shtytje në Kampionatin Botëror të Parisit dhe nënkampione e Europës në Antalia të Turqisë, sapo është kthyer nga një fazë përgatitore në Greqi, me ndihmën e Ministrisë së Sporteve: “Nuk mund të them se, do të marr medalje, pasi është shumë e vështirë, por jam e bindur se do të jap gjithçka dhe do të marr rezultate personale më të larta. Është një ëndërr për Shqipërinë, që të marr një medalje, por për mua është shumë e vështirë. Kam punuar shumë për atë, por duhet dhe pak fat. Jam më e fortë, ndihem e qetë dhe mund të japë gjithçka. Dua shumë të sjell një medalje nga Olimpiada”.  “Ne do të donim, që Romela të na e shpërblente me medalje”, – tha shefi i misionit të delegacionit olimpik shqiptar, Viron Bezhani.

FLAMURMBAJTËSIT NË OLIMPIADA

“Munih 1972”         Afërdita Tusha       (qitje)

“Barcelona 1992”           Kristo Robo          (qitje)

“Atlanta 1996”       Mirela Manjani       (shtizë)

“Sidnej 2000”        Ilirjan Suli         (peshëngritje)

“Athinë 2004”        Klodiana Shala       (atletikë)

“Pekin 2008”         Sahit Prizreni       (mundje)

“Londër 2012”        Romela Begaj         (peshëngritje)

SPORTISTËT NË “LONDËR 2012”

Romela Begaj

Briken Calja

Daniel Godelli

Endri Karina

Hysen Pulaku

PESHËNGRITJE

ATLETIKË

Klodiana Shala

Adriatik Hoxha

NOT

Sidni Hoxha

Noel Borshi

QITJE

Arben Kuçana

XHUDO

Majlinda Kelmendi

Ja pse nuk u pranua Luiza Gega

 Deri në orët e para të mëngjesit të djeshëm, rekordmenia shqiptare e 1500 metrave, Luiza Gega, ishte pjesë e delegacionit sportiv në Lojërat Olimpike “Londër 2012”, por një mail i nisur nga Komiteti i Organizimit të Lojërave Olimpike, pikërisht Piter Talbot, me detyrën e administratorit të regjistrimit të sportistëve europianë, i komunikoi Sekretarit të Përgjithshëm të Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar edhe arsyet e mospranimit të Gegës. “Ne kemi kontrolluar së bashku edhe me Federatën Botërore të Atletikës, dhe ata kanë konfirmuar se regjistrimi i Luiza Gegës në atletikë, nuk do të pranohet pasi rezultati i saj në 1500 metra (B) u arrit në një garë mikse dhe Federata Botërore e Atletikës (IAAF) nuk i pranon perfomanca të tilla për qëllime kualifikuese. Ne ju kërkojmë që të hiqni Luizën nga lista e regjistrimit të sportistëve”. Kështu, tani atletika shqiptare do të përfaqësohet me Klodiana Shalën (200 metra) dhe Adriatik Hoxhën (në hedhje gjyleje).