Viron Bezhani: “Bashkëpunim me të gjithë aktorët e sportit”

492
Sigal

Jemi mbledhur në këtë takim të përbashkët, për vlerat dhe dobësitë që mbart sot sporti shqiptar dhe mundësitë për një zhvillim të tij në çdo hallkë nëpërmjet një qeverisje më të mirë.

Të gjithë e shikojmë se sporti shqiptar po kalon probleme nga më të ndryshmet dhe ndodhet shpesh në një ngërç institucional. Mendoj se drejtuesit tanë nuk kanë qenë të përgatitur për të përballuar me sukses momentet delikate të tranzicionit që kalon vendi ynë. Duhet sikur ky sport po na rrëshqet nga duar dhe ndihemi shumë të zhgënjyer.

Shpesh njerëzit e sportit nuk janë karakterizuar nga një mendim apo një ide e përbashkët lidhur me zhvillimin dhe perspektivën e sportit në vendin tonë.

Sot kemi më shumë njerëz që kanë dëshirë, pasion, përkushtim dhe interes për të përmirësuar si performancën personale ashtu edhe performancën e organizatës, shoqatës apo institucionit sportiv që ata drejtojnë.

Ndaj kërkojmë që specialistet që drejtojnë sportin shqiptar, në çdo institucion të përfitojnë sa më shumë nga përvoja ndërkombëtare, në mënyrë që të kontribuojnë efektivisht në shërbim të sportit nëpërmjet rritjes profesionale dhe frymës së bashkëpunimit. Ne duhet të bashkëpunojmë për t’i hapur dyert çdokujt që ka dëshirë të jetë pjesë e familjes tonë, duke e afruar atë gjithnjë e më shumë me sportin në palestrat e shkollave, në stadiume, pallate sporti e ambiente të ndryshme sportive.

Sporti ka një rëndësi të veçantë për shoqërinë shqiptare. Pa sport nuk ka rini aktive dhe të shëndetshme, pra nuk ka të ardhme. Sporti ka nevojë sot të vlerësohet nga të gjithë me një çmim tjetër: Së pari nga ata që e ushtrojnë, së dyti nga ata që bëjnë politikat e tij dhe së treti nga ata që e drejtojnë atë.

Për Komitetin Olimpik është shumë e rëndësishme që të afrojmë dashamirës të sportit dhe njerëz që duan të merren me aktivitet fizike, për ta bërë natyrshëm pjesë të jetës sonë të përditshme.

Synimi dhe objektivi i këtij takimi është që specialistë dhe vullnetarë të apasionuar, që punojnë në organizatat sportive, të jenë të aftë për të drejtuar dhe mirë-qeverisur institucionet e tyre, për të patur më pas sukses, në veprimtaritë sportive.

Ky takim, synon rëndësinë dhe rritjen profesionale të kuadrit drejtues, në çdo institucion të sportit shqiptar, për t’i bërë më efektivë dhe bashkëpunues mes tyre. Kjo vlen për të gjithë aktorët që duan të zhvillojnë dhe të kontribuojnë në fushën e sportit.Ne dëshirojmë që bashkëpunimi SHTET – KOKSH – FEDERATE të zgjerohet edhe me të gjitha institucionet e lidhura me sportin, që zhvillojnë dhe përhapin frymën e “FAIR – PLAY”. Për të bërë një hop cilësor të sportit shqiptar sot nevojitet kontributi i të gjithë aktorëve të tij. Sporti në Shqiperi duhet të funksionojë dhe zhvillohet në forme të një piramide, ku një bazë e gjerë dhe e shëndoshë garanton një majë të fortë dhe solide, që di t’i rezistojë në çdo moment problemeve. Unë i uroj punë të mbarë seminarit: “Forcimi i sportit nëpërmjet qeverisjes së mirë”, si një domosdoshmëri për institucionet sportive, qofshin ato qeveritare apo jo-qeveritare.