Vetëm tre ekipe shqiptare janë kualifikuar në Ligën e Kampioneve

563
Sigal

Sot, Skënderbeu-Neftçi. Korçarwt i kanw të gjitha mundësitë të bashkohen me Tiranën, Vllazninë dhe Dinamon

Skënderbeu është para një misioni historik, kur të përballet sot në mbrëmje (20:00) kundër azerbajxhanasve të Neftçit, me synimin e madh për t’u kualifikuar në turin e tretë të Ligës së Kampionëve, duke u bërë kështu skuadra e katërt shqiptare që ka mundur të kalojë një tur. Më parë këtë e kanë realizuar Tirana (6 herë, një rekord shqiptar), Vllaznia (1) dhe Dinamo (1).

Takimi i parë në Baku u mbyll në barazim pa gola, kështu që kampionëve të Shqipërisë u duhet patjetër fitorja për të kaluar në turin e tretë, atje ku priten të gjejnë fituesin e çiftit BATE Borisov-Shahktar Karagandy. Në dy pjesëmarrjet e para të Ligës së Kampionëve, katër herë kampionët e vendit u eliminuan nga qipriotët e APOEL Nikosisë dhe çekët e Debrecenit. Presidenti Artan Takaj ka vendosur 100 mijë euro për kualifikimin kundër Nefçit, ndërkohë që në Korçë besojnë te mrekullia.

KUALIFIKIMET

Edhe pse Shqipëria mori pjesë për herë të parë në edicionin 1962-1963 në kompeticionin më prestigjioz për klube, me Partizanin kundër suedezëve të IFK Norkeping, asaj ju deshën 20 vjet për të kaluar një tur. Pikërisht këtë e bëri Tirana në edicionin 1982-1983. Tirana eliminoi Lindfild të Irlandës së Veriut. Fitoi 1-0 në “Qemal Stafa” me golin e Augustin Kolës, humbi 2-1 në Belfast (vendosi goli i Arben Mingës, që hapi dhe takimin). Në turin e dytë, shorti e vendosi përballë Dinamos së Kievit, por skuadra ukrainase bënte pjesë në atë kohë në ish-Bashkimin Sovjetik. Politika e Tiranës nuk i lejonte përballjet me skuadrat sovjetike dhe ndeshja u fitua aforfe nga Dinamo e Kievit. Ishte sërish Tirana ajo që kaloi një tur në Ligën e Kampioneve, pikërisht në edicionin 1988-1989. Eliminoi në turin e parë Hamrun Spartanin e Maltës: humbi 2-1 në Maltë, fitoi 2-0 në Tiranë. Në turin e dytë u eliminua nga Goteborgu i Suedisë: 0-3 dhe 0-1. Në edicionin 1989-1990, Tirana eliminoi Sliema Uonderesin: humbi 1-0 në Maltë, fitoi 5-0 në “Qemal Stafa”, njëherësh edhe fitorja më e thellë e një skuadre shqiptare në Europë. Në turin e dyte, bardheblutë u eliminuan me dy humbje nga Bajerni i Munihut: 3-1 (gol i Mingës) dhe 3-0. Vllaznia në edicionin 2001-2002 eliminoi në tyrin e parë Rejkavik të Islandës: humbi 2-1 në Rejkavik dhe fitoi 1-0 në Shkodër, me protagonist absolut Klodian Duron, autorin e dy golave për shkodranët. Në turin e dytë u eliminua nga Gallatasaraji: 0-2 dhe 1-4 (gol i Sinanit). Në edicionin 2002-2003, Dinamo eliminoi Kaunas të Lituanisë: fitoi 3-2 në transfertë (Ahmataj, Pisha, Qorri) dhe barazoi 0-0 në Tiranë. Në turin e dytë u eliminua nga Brondby i Danimarkës: 0-1, 0-4. Vijon një seri prej tre kualifikimesh rresht të Tiranës. Në edicionin 2003-2004 eliminoi në turin e parë Dinamon e Tbilisit: humbi 3-0 në Gjeorgji, fitoi 3-0 në Tiranë, duke u kualifikuar 4-2 me penallti. Në turin e dytë u eliminua nga Sturm i Grazit: 1-5, 1-2. Në sezonin 2004-2005, eliminoi Homel të Bjellorusisë: fitoi 2-0 jashtë, humbi 1-0 brenda. Në turin e dytë, u eliminua nga hungarezët e Ferencvaroshit: humbi 2-3 në “Qemal Stafa”, fitoi 1-0 në Budapest, por me Mukën që humbi një penallti, që do t’i jepte kualifikimin. Në edicionin 2005-2006, Tirana eliminoi Goricën e Sllovenisë: humbi 2-0 jashtë, fitoi 3-0 brenda (Rraklli, Dabulla, Salihi). Në turin e dytë u eliminua nga CSKS e Sofjes me dy humbje 2-0. Sot, Skënderbeu, pas dy dështimeve radhazi i ka të gjitha shanset për të kaluar në turin e tjetër. Le të besojmë!

NEFTÇI

Neftçi Baku të Azerbajxhanit në raundin paraeliminator të Ligës së kampioneve. Azerbjaxhanasit u u shpallën kampion në vendin e tyre në sezonin që shkoi, ku në 32 ndeshje arritën 19 fitore, 5 barazime dhe 8 humbje (me një golaverazh 59:32). Po kush është rivali i “ujqërve të dëborës”? Në vitin 2012, Neftçi Baku u bë ekipi i parë që, përparoi në fazën e grupeve të një konkurrimi evropian, duke mposhtur APOEL të Qipros 4-2 në total, në raundin e” play-off”-it të Ligës së Europës për sezonin 2012-2013. Neftçi është themeluar si klub në vitin 1937. Gjatë viteve 1937-1967, ai ishte i njohur si Neftyanik dhe u riemërua Neftçi i në vitin 1968. Neftçi ka luajtur tre kampionate në Top Ligën Sovjetike, më 1949-1950, 1960-1972 dhe 1977-1988, prej një totali 28 vjetësh në rangun e lartë të futbollit Sovjetik. Klubi luajti në Ligën e Parë sovjetike, nga 1946-1948, 1951-1959, 1973-1976, dhe 1989-1991. Neftçi vazhdoi të dominojë futbollin e Azerbajxhanit gjatë viteve 1990. Në garat europiane, klubi azer ka përparuar dy herë edhe në raundin e dytë kualifikues të Ligës së Kampionëve, pasi mundi kampionët boshnjakë të Shirokit dhe kampionët islandezë të FH Hafnarfjarsar, në vitin 2004 dhe 2005. Në vitin 2008, kundërshtari i Skënderbeut avancoi në raundin e tretë të Kupës Intertoto, pasi mundi sllovakët e Nitra dhe belgët e Berschot. Gjërat ndryshuan pozitivisht në dhjetor 2009, kur kontrolli i klubit është lënë në dorë të Sadyg Sadygov. Ardhja e tij u pasua menjëherë me një stuhi ofertash për lojtarë të profilit të lartë ndërkombëtar, të tillë si Bahodir Nasimov, Nicolas Canales, Flavinho, Bruno Bertuçi, Eric Ramos, Igor Mitreski dhe Julius Uobay. Në maj 2010, nën sezonin e parë si trajner, Arif Asadov fitoi titullin e gjashtë në kampionat. Asadov bëhet gjithashtu personi i parë në Azerbajxhan që fiton titullin e ligës si trajner dhe lojtar futbolli.

KALIMI I NJË TURI

LIGA E KAMPIONEVE

Tirana: 6 herë (1982-1983, 1988-1989, 1989-1990, 2003-2004, 2004-2005, 2005-2006)

Vllaznia: 1 herë (2001-2002)

Dinamo: 1 herë (2002-2003)

LIGA E KAMPIONEVE

Turi i dytë

17 korrik 2013

Neftçi-Skënderbeu    0-0

Sot, 23 korrik 2012

Skënderbeu-Neftçi    20:00

Kualifikimet në Europë

në të gjitha kupat

1. Tirana       11

2. Vllaznia     5

3. Dinamo       3

4. Partizani    2

5. Teuta        1

6. Besa         2

7. Elbasani     0

8. Flamurtari   3

9. Skënderbeu   0

10. Albpetrol   0

11. Apolonia    0

12. Tomori      0

13. Bylis       0

14. Laçi        0

Mesfushori i Kombëtares dhe i Torinos: “Nëse kualifikohemi, heq dorë nga muaji i mjaltit”

 Migjen Basha: “Statujë në Shqipëri, po shkuam në Brazil”

 Migjen Basha për herë të parë në karrierën e tij nuk është në huazim apo në bashkëpronësi, dhe tashmë i përket 100 për qind Torinos. Lojtari i Kombëtares shqiptare (3 ndeshje/ 1 gol) luan nga vera e vitit 2011 me Torinon dhe trajneri Ventura beson shumë tek ai duke i dhënë më shumë përgjegjësi. Në një intervistë të dhënë për të përditshmen italiane “La Stampa”, Basha flet për kombëtaren, De Biazin dhe ndryshimet në jetën personale. “me Kombëtaren mund të luajmë në ndeshjet “play of” të Botërorit falë De Biazit që po bën një punë të mrekullueshme. Po kërkon futbollistë dhe i provon të gjithë. Kush e meriton grumbullohet. Nëse do të shkojmë në Brazil, do të na bëjnë një statujë në Shqipëri”

 – Migjen Basha, tani është radha juaj ta merrni për dore Torinon. Jeni këtu nga vera e vitit 20011 dhe Ventura beson tek ju për mesfushën…

– Unë jam i gatshëm dhe disa përgjegjësi më duhet ti marr patjetër. Edhe për faktin se, për herë të parë jam 100% i një skuadre, qysh kur kam ardhur në Itali kjo nuk më kishte ndodhur kurrë. Huazime dhe bashkëpronësi qysh nga viti 2005, por tani jeta ime ka ndryshuar.

– Si?

– Më parë nuk ndjehesha i qetë pasi isha gjithë kohës në pikëpyetje. Mendoja se mund të më largonin nga njëra ditë në tjetrën, ndërsa tani shpresoj të rri sa më gjatë. Kjo sepse ndjehem krenar që jam te Toro dhe më gëzon fakti që klubi beson tek unë. Kontrata më skadon pas dy vjetësh, por në shtator mund të rinovojmë.

– Sezonin e kaluar luajte shumë pak. Përse?

– Ishte faji im që luajta pak sezonin e kaluar. E nisa mirë por më pas kisha probleme me kaviljen dhe nuk shkova as tek mjeku dhe as tek trajneri. Nuk stërvitesha në 100% të mundësive pasi kërkoja të ruaja vendin. Ja përse dola jashtë formacioni, por mu desh pak kohë për të rikuperuar dhe më pas trajneri më riktheu besimin. Shpresoj të kem rritje në krahasim me vitin e kaluar, pasi më parë ekzistonte ankthi se nuk kisha luajtur ndonjëherë në Serinë A.

– Këtë vit jeni bërë lojtar edhe i Kombëtares shqiptare. Sa flisni për Torinon me trajnerin De Biazi?

– Flas shpesh me De Biazin, dhe ai më thotë “për të qëndruar tek demat duhet të jesh një dem, kështu që mos më mërzit dhe rri aty”. Ai është ndjerë mirë në Torino por i vjen keq për mënyrën se si shkuan gjërat. Kjo është jeta, por ne tani me Kombëtaren mund të luajmë në ndeshjet “play of” të Botërorit falë De Biazit që po bën një punë të mrekullueshme. Po kërkon futbollistë dhe i provon të gjithë. Kush e meriton grumbullohet.

– Dhe nëse do të shkoni në Brazili vitin tjetër?

– Do të na bëjnë një statujë në Shqipëri. Është e vështirë por mund të shkojmë në “play-off”. Nëse do të kualifikohemi me kënaqësi do të heq dorë nga muaji i mjaltit.

– Kur do të martohesh?

– Do të martohem pas pak ditësh, sapo të përfundojë grumbullimi në Bormio. Kthehem në Kosovë për tre ditë feste dhe martohem më 31 korrik me Desan. Jemi njohur në Zvicër.

– Çfarë Torino është duke lindur?

– Vitin e kaluar ishin dy lojtarë të rëndësishëm, ndërkohë që tani pikat e referimit duhet t’i gjejmë brenda vetes dhe përgjegjësitë duhet t’i marrim të gjithë nga pak. Tani nuk e kemi më Biankin dhe Ogbonën dhe duhet të ndërtojmë rrugën tonë për ta çuar Torinon drejt rezultateve të mëdha.

– Cili është objektiv tënd personal, një gol kundër Juventusit?

– Jo një gol i imi, por dua rezultat të mirë në derbi. Duhet të mësojmë të mos gabojmë nga mungesa eksperiencës, të evitojmë gabimet foshnjarake dhe të marrim pikë me skuadrat e mëdha. Objektivi është një dhe i vetëm, të bëjmë më shumë pikë sesa sezonin e kaluar

– Në derbi a do ta ndërrosh bluzën me Ogbonën?

– Nuk i ndryshoj bluzat, nuk është në ADN-në time. Në vitin tim të parë në Serinë A kërkova vetëm një bluzë: atë të Zanetit.

Etrit Berisha kërkohet nga Lacio

 Nuk është Samir Ujkani, por Etrit Berisha portieri që kërkohet nga Lacio si zëvendësues i Federiko Marketit pas largimit të Bizarrit drejt Xhenoas. Lajmi është dhënë nga gazeta sportive italiane “Corriere dello Sport”. Pista është ajo e duhura, por gabimi qëndronte vetëm te emri. Një fjalë e drejtorit sportiv Igli Tare, duket se është keqkuptuar, deri diku nga mediat, pasi është e vërtetë që Lacio dëshiron të blindojë portën me portierin e kombëtares shqiptare, por në këtë rast bëhet fjalë për numrin një të Kalmarit në kampionatin suedez. Një tjetër duel i fituar nga Berisha ndaj Ujkanit, i cili e ka humbur vendin e titullarit në përfaqësuesen kuqezi pikërisht falë formës së jashtëzakonshme që ka shfaqur 24-vjecari i Kalmarit. I lindur në Prishtinë, si Lorik Cana, Berisha luan prej disa vitesh në Suedi ku ka realizuar edh dy gola. Tranfserimi i Berishës në kryeqytetin italian pritet të shtyhet për disa javë, pasi ai është në pritje të pasaportës suedeze, që do ta shndërronte në një futbollist komunitar. Etrit Berisha ka kontratë me Kalmarin deri më 31 dhjetor, por presidenti Lotito nuk dëshiron të presë qoftë 5 muaj për të rrezikuar që ta humbasë. Gjithsesi, trajneri Vladimir Petkoviç mund të presë disa javë, derisa Berisha të marrë pasaportën suedeze, ndërsa në fillim të sezon dëshiron ta ketë nën urdhrat e tij. Një tjetër portier premtues te Lacio është edhe Tomas Strakosha, i cili u shpall kampion i Italisë për kampionatin U-19. Gjithsesi, djali i Foto Strakoshës për momentin konsiderohet portier i tretë, pasi i duhet shumë më tepër eksperiencë për të pretenduar rolin e titullarit.