Venger: Manchester United nuk duhet të luajë në “Champions League”, jam kundër formulës

90
Nga sezoni i shkuar fituesi i “Europa League” ka një favor shumë të madh pasi ky trofe i mundëson pjesëmarrjen direkte në grupet e kompeticionit më të rëndësishëm në Europa, “Uefa Champions League”.
Kundër kësaj formule është trajneri i Arsenal i cili këtë vit e ka të pamundur pjesëmarrjen në Ligën e Kampionëve pasi kampionatin e përfundoi në vendin e 5-të. Pas shumë vitesh “topçinjtë” mungojnë, por për “Premier League” nuk është aspak keq pasi këtë vit përfaqësohet me 5 ekipe pasi United triumfoi në “Europa League” kundër Ajax.

Kjo sipas Venger, në një intervistë për mediat angleze e dëmton shumë kampionatin pasi në një moment të caktuar ky ekip mund të heqë dorë nga gara në kampionat.

“Kam qenë gjithmonë kundër. Me përjashtim të Manchester United, çdo ekip i mëparshëm që fitonte trofeun e Europa League, ishte një skuadër e cila ishte eliminuar më parë nga Champions League. Nuk mund të zhvillosh një sezon duke menduar se mund të kualifikohesh në Champions League duke fituar Europa League. E gjithë kjo mund të ketë një ndikim në kampionat.

Nëse një skuadër në një kohë të caktuar të sezonit ndodhet në një pozicion të favorshëm për të fituar Europa League, në krahasim me arritjen mes katër vendeve të para në kampionat, kjo gjë mund ta detyrojë që të heqë dorë nga kampionati për tu përqëndruar në maksimum te Europa League. Por, kjo zgjedhje rezulton me kompromentim të rregullshmërisë së kompeticionit”, deklaroi Wenger.