Venger kërkon kujdes nga Milani, Lacio nuk do kënaqet me barazimin

91
Nga Agron KAJA
UEFA EUROPA LIGE/ Luhen sot ndeshjet e turit të 1/8, skuadrat italiane në vështirësinë e kualifikimit, nesër shorti për çerekfinalet
Për ndeshjen e sotme që do të luhet në Londër, mes Arsenalit e Milanit, trajneri i “Topçinjve” ka deklaruar dje në mediat angleze, se Milani nuk duhet nënvleftësuar. Sipas tij, nuk është gjithçka e vendosur për kualifikimin e tyre, edhe pse në ndeshjen e parë në Milano fituan pastër 2-0. “Tani kemi një mundësi në Europa League, dhe këtë na duhet që ta shfrytëzojmë, edhe pse kjo po e shton presionin në skuadrën tonë. Për momentin, duket se është e vështirë, pasi ne jemi në një moment të keq. Por mendoj se ka edhe një shans për kthesë, sepse në situata të tilla tregohet forca dhe cilësia, e skuadra mund të mësojë shumë nga këto vuajtje”, kështu ka deklaruar dje trajneri i Arsenalit, duke menduar më shumë përqendrim nga lojtarët e tij. Venger e pranon se skuadra e tij është e dëshpëruar nga disa humbje rresht, por kërkon që kjo situatë të kalohet. “Lojtarët janë me moralin paksa të ulët, ata duan të fitojnë me Milanin, sepse në jetë harrohet shpejt sa i zoti je, nëse nuk e bën diçka të tillë. Duhet të vendosim objektiva të arritshëm, të përqendrohemi tek ato që mund të përmirësojmë, dhe të mos kemi shumë frikë nga pasojat e një rezultati të keq. Për mendimin tim, do të jetë një sfidë shumë e ekuilibruar, sepse Milani po ecën shumë mirë në këtë moment”. Ndërsa për Gatuzon e Milanit, kjo do të jetë një sfidë e forcës së karakterit që ka skuadra, ndaj edhe ai nuk e mendon shëtitje takimin e sotëm ndaj Arsenalit. “Skuadra ka treguar karakter në ndeshjen e parë në Milano, ndaj ne nuk themi se jemi dorëzuar nga ajo humbje. Në Londër gjithçka e hapur”. Nga skuadrat italiane që luajnë sot në këtë tur të UEFA Europa Ligë, është edhe Lacio, ku luan portieri i Kombëtares sonë, Thomas Strakosha. Ukrainasit ishin në grup me Skënderbeun e Korçës, ndërsa në turin e kaluar eliminuan me shumë vuajtje, pas dy barazimesh, AEK-un e Astrit Hajdareviçit, mesfushorit të kombëtares sonë. Ndërkohë, në takimin e parë në Romë, barazimi 2-2 me Dinamon e Kievit, e ka bërë edhe më interesante këtë sfidë, edhe pse ukrainasit janë më të avantazhuar për kualifikim, pasi kanë shënuar dy gola në fushë kundërshtare. Atletiko e Madridit që është dy herë fituese e Europa Ligë (2010, 2012), sot do do të ndeshet me Lokomotivën e Moskës, ndërsa ndeshjen e parë e ka fituar pastër 3-0, por ndryshe janë situatat për Borusian e Dortmundit, e cila do të ndeshet me Salzcburgun, që në ndeshjen e parë në Austri e ka mundur 2-1. Të dy golat për skuadrën austriake i shënoi Valon Berisha, futbollisti që luan me Kombëtaren e Kosovës.
Venger mendon se kanë një mundësi në Europa League, dhe këtë duhet që ta shfrytëzojmë. “Kjo po e shton presionin në skuadrën tonë. Për momentin, duket se është e vështirë, pasi ne jemi në një moment të keq. Por mendoj se ka edhe një shans për kthesë”
UEFA Europa Ligë-Turi 1/8 
Ndeshjet sot, 15 mars 2018 
Lokomotiv-Atl.Madrid17:00
Ndeshja e parë, 3-0 për Atletiko
Atl.Bilbao-Marsejë 19:00
Ndeshja e parë, 3-0 për Marsejë
Dinamo Kiev-Lacio 19:00
Ndeshja e parë, barazim 2-2
Plzen-Sporting 19:00
Ndeshja e parë, 2-0 për Sporting
Zenit P-Leipzig 19:00
Ndeshja e parë, 2-1 për Leipzig
Arsenal-Milan 21:05
Ndeshja e parë, 2-0 për Arsenal
Lion-CSKA Moskë 21:05
Ndeshja e parë, 1-0 për Lionin
Salzburg-Dortumund 21:05
Ndeshja e parë, 2-1 për Salzburg