Venger: “Ja receta ime për të mundur Bajernin”

539
Sigal

Sot përballja e dy titanëve të futbollit europian: Arsenal-Bajern. Luhet edhe Milan-Atletiko Madrid

Arsenal-Bajern konsiderohet si një ndeshjet më të forta të kësaj faze të Ligës së Kampioneve. Arsenali mbetet gjithmonë një ekip tërheqës, i besueshëm dhe i denjë për të fituar titullin, por ka përballë pikërisht kampionin aktual të Europës, Bajerni e Munihut. Gjermanët, tashmë nën drejtimin e Pep Guardiolës, synojnë të bëhen ekipi i parë që mbron titullin. Trajneri i Arsenalit, Arsen Venger ka besim se skuadra e tij nëse jep maksimumin në fushë mund të kualifikohet në fazën tjetër. “Ne duhet të besojmë te kualifikimi pasi në fazën me eliminim direkt të Ligës së Kampioneve nuk ka më ekipe të dobëta. Pavarësisht se luajmë ndaj kampionëve të Europës dhe Botës nëse futbollistët e mi japin 100% e tyre në këto dy takime dhe sidomos në ndeshjen e parë ne mund të kalojmë në fazën tjetër. Receta? Ndoshta duke ushtruar shumë presing që në mbajtësit e tyre të topit dhe të mos na kapë për asnjë moment frika”. Për trajnerin e Arsenalit fitorja me Liverpulin në Fa Cup ishte shumë e rëndësishme që skuadra e tij të vinte me moral të lartë në sfidën e parë ndaj Bajernit. “Morali është shumë i rëndësishëm në një takim si ky. Vitin e kaluar ne shkuam në këtë sfidë moralisht të shkatërruar, pasi përpara atij takimi ishim eliminuar nga Fa Cup (Kupa e Anglisë) nga një skuadër e Championship siç ishte Bllekbërni. Megjithatë, këtë vit situate është ndryshme fitorja ndaj Liverpulit në fundjavë na jep shumë besim për të bërë të dhënë më të mirën tonë dhe për ta fituar takimin”. Mesfushori i Arsenalit Xhek Uillsher, i cili deklaroi se skuadra e tij duhet të luajë me kujdes në takimin e parë dhe mbi të gjitha duhet të mundohet të mos pësojë gol, pasi sipas tij “edhe nëse sfida e parë në stadiumin “Emirates” mbyllet në shifrat 0-0, lë gjithçka të hapur për takimin e kthimit”. Arsenali i ka humbur tri ndeshjet e fundit në shtëpi kundër skuadrave gjermane, ndërkohë që Bajerni i ka fituar dy transfertat e fundit në Angli. Në fakt, Arsenali i ka humbur vetëm tri nga 18 ndeshjet e fundit brenda në Ligën e Kampioneve, ndërsa Bajerni i ka fituar të pesë ndeshjet e fundit me eliminim direkt, me golaverazh 13-1. Bajerni nuk ka humbur asnjë nga 21 ndeshjet e tij në kampionati gjerman (19 fitore, 2 barazime), ndërkohë që ka humbur një nga gjashtë ndeshjet në Ligën e Kampioneve (nga Mançester Siti). Milan-Atletiko Madrid ofron një tjetër ndeshje interesante të ditës së sotme, pasi në “San Siron” do të përballen shtatë herë kampionët e Europës, me spanjollët që po befasojnë Barcelonën dhe Realin e Madridit. Dy skuadra me histori të ndryshme që nëse fati do t’i përballte disa vjet më parë, llogaritë do të bëheshin ndryshe sepse këtë herë si rrallëherë janë spanjollët ata që trokasin me pretendime në “San Siro”. Pa asnjë humbje deri në këtë fazë të Ligës së Kampioneve, “Los Colcoheros” kanë hedhur kandidaturën për të rivalizuar me më të fortët e kontinentit dhe Milani, sidomos Milani i ditëve të sotme konsiderohet si një pengesë tërësisht e kalueshme për ta. Me petkun e skuadrës bashkëkryesuese në Spanjë, Atletiko zbret në Milano me besimin që i jep ky sezon spektakolar, i ndërtuar nga Simeone pas një pune të gjatë që po jep fryte të dukshme. Përveç statistikave dhe formës fizike që po kalon, Atletiko ka me vete edhe luksin për të zbritur në fushë me një skuadër dukshëm më superiore se kuqezinjtë ende në kërkim të identitetit. Sedorf po e formëson dalëngadalë grupin me të cilin kërkon sukseset dhe në këtë sfidë mund të bazohet mbi të gjitha te një detaj, eksperienca dhe pesha e kësaj fanelle në Europë.

TRE TAKIMET E FUNDIT

Bajern-Arsenal 0-2

Mars 2013

Arsenal-Bajern 1-3

Shkurt 2013

Arsenal-Bajern 1-0

Mars 2005

LIGA E KAMPIONEVE

NDESHJET E 1/8

Dje, 18.02,2014

Mançester Siti-Barcelona

Bajer Leverkuzen-PSG

Sot, 19.02.2014

Milan-Atletiko Madrid

Arsenal-Bajern Munih

Të martën, 25.02,2014

Zenit-Borusia Dortmund

Olimpiakos-Mançester Jun.

Të mërkurën, 26.02.2014

Gallatasaraj-Çelsi

Shalke-Real Madrid

 “Soçi 2014”

Skiatorja Suela Mëhëlli në vendin e 60-të

 Suela Mëhilli, e cila ishte përfaqësuesja e vetme e Shqipërisë në Lojërat Olimpike Dimërore “Soçi 2014”, pas dëmtimit të Erjon Tolas, pas dy zbritjeve kryesisht të mira në slalomin gjigand, është renditur në vendin e 60-të midis 90 pjesëmarrësve. Mëhilli është nisur me numër 82 dhe ka bërë një zbritje të parë tepër të mirë duke dhënë kohën 1.33.55 e cila e renditi në vendin e 65-të provizor. Në zbritjen e dytë edhe si pasojë e kushteve jo të mira të pistës, Suela Mëhilli ka dhënë kohën 1.34.36 dhe falë gabimeve të skiatoreve të tjera është ngjitur deri në vendin e 60-të. Në përfundim të garës kampionia shqiptare ka akumuluar një vonesë prej 31.04 sekonda nga fituesja e garës, sllovenia Tina Maze e cila fitoi medaljen e artë duke përsëritur suksesin e zbritjes së lirë në të cilën u detyrua të ndante majën më të lartë të podiumit me zviceranen Dominik Gisin.

Elbasan

Alpinistët, për një Shqipërië të gjelbër

 Dhjetëra pjesëtarë të ekipit të Alpinizmit, Skive dhe Turizmit malor Elbasan, në bashkëpunim me komunën Gjinar i janë bashkuar nismës së muajit të pyllëzimit duke mbjellë mbi 100 fidanë pishash në zonën turistike të Gjinarit. Fidanët u mbollën në hyrje të zonës së Gjinarit e cila është dhe zona me e bukur turistike e këtij Qarku, ndërsa nismës iu bashkuan edhe nxënës të shkollës dhe banorë të zonës së Gjinarit. Trajneri i ekipit të Alpinizmit, Artur Guni, tha për gazetën se nisma të tilla duhet të mbështeten me qëllim pyllëzimin e të gjitha zonave të dëmtuara dhe se kjo nismë do të vazhdojnë dhe në ditët në vijim dhe në zona të tjera të qarkut të Elbasanit. Nismës së mbjelljes së pemëve në pikën turistike të Gjinarit i janë bashkuar edhe vullnetarë të Korpusit të Paqes që punojnë në qytetin e  Elbasanit. Gjinari është një nga pikat më të rëndësishme dhe më të kërkuarat të turizmit malor në qarkun e Elbasanit. Ajo shquhet për pyjet e dendura të pishës së dhe ahut ku kohët e fundit janë dëmtuar në mënyrë më makabre. Kjo zonë mbart edhe vlera të mëdha historike e kulturore.

Era Çela