Vëllezërit e Kombëtares, nga Ballgjinët te Bashat

247

Kundër Norvegjisë, Shqipëria pritet të ketë në formacion Migjen Bashën e Torinos dhe Vullnetin e Sionit

 Trajneri i Kombëtares shqiptare, Xhani De Biazi, është duke prodhuar një precedent të rrallë në Përfaqësuese. Pikërisht, atë të pranisë së dy vëllezërve në ekip, madje në të njëjtën fushatë kualifikuese dhe në prag të së njëjtës ndeshje. Migjen Basha (25 vjeç) i Torinos në Serinë A italiane dhe Vullnet Basha (23 vjeç) i Sionit të Superligës zvicerane janë ftuar për të qenë pjesë e Kombëtares për ndeshjen e radhës kundër Norvegjisë. Është shumë interesant dhe tepër intrigues ky fakt, por tekniku italian ka vlerësuar tek të dy lojtaret cilësitë e tyre. Nëse Migjen Basha është i njohur për ambientin futbollistik shqiptare, pasi ka luajtur në ndeshjet kundër Norvegisë (të fituar 1-0, në Oslo) dhe në miqësoren kundër Lituanisë (të fituar 4-1, në Tiranë, ku Migjeni shënoi një gol), i vëllai tij, Vullneti është krejtësisht  panjohur, pasi për të është jo vetëm grumbullimi i parë, por ai sapo është pajisur me pasaportën shqiptare. Në historinë e Kombëtares janë disa raste kur fanellën e saj e kanë veshur dy vëllezër: Shyqyri Ballgjini dhe Haxhi Ballgjini; Albert Duro dhe Klodian Duro; Xhevahir Kapllani dhe Edmond Kapllani, ashtu siç është dhe precedenti babë e bir, në rastin  e Panajot dhe Ledio Panos, apo Muhamet Vila dhe Arben Vila, apo dhe Gani Xhafa-Erion Xhafa. Kemi dhe lojtarë të njëjtit trung, si Ramazan Ragami dhe Ferid Ragami; Zyhdi Barbullushi dhe Ardian Barbullushi; Uran Xhafa dhe Gani Xhafa;  Frederik Gjinali dhe Zihni Gjinali, Enver Ibërshimi dhe Refat Ibërshimi, Foto Janku dhe Mikel Janku; Ali Mema dhe Sulejman Mema; Sabri Peqini dhe Kastriot Peqini, ashtu siç kemi dhe dy Artur Lekbello, ish-portierin e Lokomotivës dhe ish-mbrojtësin e Tiranës

 VELLËZRIT BALLGJINI

Ish-sulmuesi Shyqyri Ballgjini (sot 59 vjeç) dhe ish-mesfushori Haxhi Ballgjini (sot 55 vjeç) përbëjnë rastin e parë të dy vëllëzerve në ekipin Kombëtar. Të dy u formuan si futbollistë te Lokomotiva e Durrësit (sot, Teuta), qyteti ku u lindën dhe u rritën. Gjithsesi, rrugët e tyre u ndanë, pasi Shyqyri Ballgjini veshi fanellën e Dinamos, duke u bërë një nga më të shquarit e bluve, në vitet 1970-1980, duke formuar treshen e famshme: Zëri-Ballgjini-Përnaska, ndërsa Haxhiu u bashkua me Partizanin. Të dy fituan tituj kampionë dhe Kupa të Shqipërisë. Shyqyri Ballgjini është aktivizuar 3 ndeshje me Kombëtaren, pikërisht kundër Algjerisë (1976, miqësore), Gjermanisë Perëndimore (1981, El.Botërori 1982) dhe Finalndës (1981, El.Botërori 1982). Duhet theksuar fakti se, në vitet 1972-1980, Kombëtares iu mohua e drejta për të zhvilluar ndeshje ndërkombëtare dhe u paraqitur në eliminatoret e Botërorit 1974 dhe 1978 si dhe në ato të Europianëve 1976 dhe 1980, pas një vendimi absurd të qeverisë komuniste. Në atë kohë, një brezi ta artë futbolliste iu mohua kjo e drejtë. Haxhi Ballgjini ka zhvilluar 14 ndeshje me Kombëtaren, në harkun e viteve 1980-1985, ku përfshihen ndeshje kundër Bullgarisë dhe Austrisë (1980); Finlandës, Bullgarisë dhe Gjermanisë Perëndimore (1981); Austrisë, Turqisë, Irlandës së Veriut (1982), Gjermanisë Perëndimore, Turqisë, Gjermanisë Perëndimore (1983), Belgjikës, Polonisë (1984) dhe Greqisë (1985). Interesant është fakti se, të dy Ballgjinët kanë luajtur së bashku në Finlandë-Shqipëri 2-1 (më 2 shtator 1981, në Helsinki), një ndeshje e vlefshme për eliminatoret e Kampionatit Botëror 1982. Trajner ishte Loro Boriçi, ndërsa golin për ekipin tonë e shënoi Muhedin Targaj me penallti (47’), madje ky ishte dhe goli i parë i ndeshjes, pasi finlandezët i realizuan golat në minutat 61’ dhe 85’.

 VELLËZËRIT KAPLLANI

Ish-portieri i Teutës, Xhevair Kapllani (39 vjeç) dhe sulmuesi i FSV Frankfurtit, Edmond Kapllani (28 vjeç) është një tjetër dyshe vëllezërish që kanë luajtur për ekipin përfaqësues. Portieri i famshëm durrsak ka luajtur në ndeshjet kundër Irlandës së Veriut dhe Lituanisë (në vitin 1993), ndërkohë që vëllai i tij, Edmondi ka një përfaqësim më të madh: 36 ndeshje dhe 6 gola. Karriera e Edmondit nis në vitin 2004, në një miqësore kundër Lituanisë, ndërkohë që golat e tij janë shënuar kundër Luksemburgut (3), Lihtenshtejnit (1), Bullgarisë (1) dhe Bjellorusisë (1), pesë gola zyrtarë dhe një në miqësore. Kapllani është golashënuesi më i mirë i Shqipërisë, brenda një fushate eliminatore në Europian, pasi shënoi pesë gola në Euro 2008. Edmondi luan në Gjermani me FSV Frankfurtin (këtë vit shënoi 11 gola), ndërsa ka veshur edhe fanellën e Karlsruhes, Augsburgut, Padebornit dhe Koblencit.

 VELLËZËRIT DURO

Ish-mbrojtësi Albert Duro dhe ish-mesfushori Klodian Duro janë një tjetër dyshe vëllezërish që, kanë kontribuar për Kombëtaren tonë. Albert Duro, i cili përveç Elbasanit, Dinamos, Tiranës, Tuetës dhe Besës, ka luajtur edhe me Steaua e Bukureshtit dhe National Bukuresht në Rumani, e ka veshur fanellën e Kombëtares në shtatë takime midis viteve 1999-2003. Klodian Duro është lojtari i dytë me më shumë ndeshje me ekipin Kombëtar, duke u aktivizuar në 78 takime, një më pak se Altin Lala, që mban edhe rekordin me 79 përfaqësime. Të dy lojtarët tashmë janë tërhequr nga futbolli. Lojtari i tretë me më shumë ndeshje është Erjon Bogdani me 76 (ende në aktivitet). Ervin Skela ka 75 ndeshje. Mesfushori elbasanas gjatë karrierës së tij 18-vjeçare ka realizuar 12 gola në ndeshje ndërkombëtare në nivel klubesh dhe me ekipin Kombëtar: 3 në Ligën e Kampioneve; 5 në Kupën UEFA dhe 6 me Përfaqësuesen (4 në ndeshje zyrtare dhe 2 në ndeshje miqësore).

   PANOT, BABË E BIR

 Legjenda Panajot Pano vlerësohet si futbollisti më i mirë që, ka nxjerrë Shqipëria. I nderuar me shumë çmime, trofe dhe tituj, ai është ndër të tjera edhe “Futbollisti i artë i Shqipërisë”, një trofe i dhënë nga UEFA. Panajoti është autori i golit të parë të Shqipërisë në eliminatoret e një Kampionati Europian, ai kundër Danimarkës në vitin 1963. Panajoti numëron 24 ndeshje ndërmjet viteve 1963-1973, ku spikasin katër ndeshje kundër Gjermanisë Perëndimore dhe tre gola me përfaqësuesen, pikërisht kundër Danimarkës, Turqisë dhe Kinës (miqësore). Ledio Pano është një nga ish-lojtarët të njohur në Shqipëri. Ka luajtur me Partizanin dhe ka fituar trofe me skuadrën e kuqe, ashtu siç fitoi edhe të drejtën për të qenë futbollist i Kombëtares, me të cilën zhvilloi 11 ndeshje. Ledio Pano ka luajtur shtatë ndeshje zyrtare me përfaqësuesen, kundër Uellsit (2 herë), Bullgarisë, Polonisë, Moldavisë, Austrisë dhe Gjermanisë, në periudhën 1987-1996 si dhe katër miqësore.

 Katër Berishat e Kombëtares

 Aktualisht në ekipin Kombëtar janë dy Berisha, Etrit Berisha (portier, 8 ndeshje) dhe Ilir Berisha (mbrojtës, thirret për herë të parë). Por, në ekipin përfaqësues kanë qenë dhe dy Berisha të tjerë: Safet Berisha, ish-mbrojtësi i famshëm i Partizanit (20 ndeshje, në periudhën 1970-1981, midis tyre 3 kundër Gjermanisë Perëndimore dhe 2 kundër Gjermanisë Lindore), si dhe sulmuesi Besart Berisha (2006-2009, 17 ndeshje, 1 gol kundër Anglisë).

 Gjashtë debutuesit kuqezinj

 Në listën e Kombëtares janë gjashtë emra të rinj, pra që e veshin për herë të parë fanellën e Kombëtares: Jurgen Gjasula i MSV Duisburgut (Gjermani), Ergys Kaçe i PAOK-ut (Greqi), Azdren Llullaku i Gaz Metan (Rumani), Ilir Berisha i Orebreros (Suedi), Vullnet Basha i Sionit (Zvicër) dhe Amir Abrashi i Grassoperit (Zvicër).

 GJASULA – Mesfushori Jurgen Gjasula pritet të jetë debutuesi i radhës për Kombëtaren shqiptare në ndeshjen eliminatore kundër Norvegjisë që do të luhet në Tiranë. 27-vjeçari tiranas, por i rritur në Gjermani, aktivizohet me Duisburgun e Bundesligës 2 dhe ka një vizion dhe teknike të admirueshme që mund të jetë një zgjidhje për mungesën e Alban Mehës në ndeshjen kundër Norvegjisë. Ai ka lindur në Tirane dhe me parë ka luajtur per SC Freiburg, FC Kaiserslautern, FC St Gallen, FC Basel dhe FSV Frankfurt.

 KAÇE – Mesfushori i talentuar i PAOK-ut, Ergys Kaçe, do të jetë në listën shtesë prej tetë lojtarësh të Kombëtares, që do të publikohet më 2 qershor. Kaçe konsiderohet si një mesfushor me të ardhme dhe si pasardhësi i denjë i ish-kapitenit Altin Lala, kjo më së shumti nisur nga fiziku dhe roli në të cilin ai luan në fushën e lojës. Kaçe është rritur në akademinë e klubit të PAOK-ut dhe u afrua në ekipin e parë selanikas nga trajneri Jorgo Donis. Në sezonin e fundit 20-vjeçari ka qenë titullar i padiskutueshëm në skuadrën bardhezi të Selanikut. Madje, ai shënoi edhe një supergol në fitoren 4-2 ndaj Panioniosit.

 LLULLAKU –  Futbollisti shqiptar Azdren Llullaku është emri tjetër i ri në listën e shpallur nga De Biazi. 25-vjeçari me origjinë nga Istogu luan me Gaz Metan, skuadër në elitën e futbollit rumun. Ai deri tani ka shënuar 5 gola në 20 ndeshje (1374 minuta), duke qenë ai golashënuesi i dytë më i mirë i ekipit rumun (pas jordanezit Al Bauab, 10 gola). Kohëve të fundit trajneri italian i Kombëtares Xhani De Biazi ka krijuar një revolucion në Kombëtare duke sjellë emra të shumtë, përfshirë dhe Vullnet Bashën, vëllain e Migjen Bashës dhe Amir Abrashin e Grasshopersitm që të dy luajnë në kampionatin zviceran.

  Super rekordi në FIFA para Norvegjisë!

 “Vendi i 43-të në renditjen e FIFA! Forca Shqipëria!” Një tjetër rekord i vendosur nga Kuqezinjtë, që tani e shohin veten në muajin maj, të pozicionuar në vendin e 43-të në botë, pesë vende më lart se në muajin prill, atëherë të 48-tët. Vendi i 43-të është pozicioni më i mirë historik i Shqipërisë, në një listë ku përfshihen 209 ekipe përfaqësuese nga i gjithë planeti. Shqipëria lë shumë vende pjesëmarrëse në kampionatet botërore, përfshirë emra të rëndësishëm të futbollit si Senegali, Egjipti, Kameruni, Australia, Zelanda e Re, Koreja e Jugut dhe e Veriut, etj.. Edhe në renditjen kontinentale, pra të UEFA-s, Shqipëria është ngjitur një vend, 24, pas Serbisë e 23-ta dhe para Turqisë, e 25-ta, me turqit kemi ndërruar vendet e muajit prill.  Kombëtarja jonë lë pas vendet 25-53: Turqinë, Uellsin, Bullgarinë, Sllovakinë, Slloveninë, Izraelin, Poloninë, Bjellorusinë, Austrinë, Skocinë, Finlandnë, Maqedoninë, Armeninë, Estoninë, Gjeorgjinë, Letoninë, Lituaninë, Irlandën e Veriut, Azerbajxhanin, Qipron, Moldavinë, Kazakistanin, Lihteshtejnin, Luksemburgun, Maltën, Ishujt Faroe, San Marinon. Duke parë renditjen aktuale në FIFA, vëmë re se është Zvicra (e 14-ta), me pozicionin më të mirë. Norvegjia është e e 31-ta, pra me 12 vende më mirë se Shqipëria. Tre kundërshtarët e tjer   ë janë poshtë kuqezinjve tanë: Sllovenia, në vendin e 55-të; Islanda, në vendin e 73-të dhe Qipron, në vendin e 123-të. Në “Uleval” të Oslos fituam 1-0 me eurogolin e Hamdi Salihit, që na çoi në vendin e dytë në grupin tonë, me 9 pikë, po aq sa Islanda. Kundër norvegjezëve do të luajmë shanset për të siguruar një vend në “play-off”, pasi për momentin Zvicra ka dy pikë më shumë, kur kanë mbetur edhe pesë ndeshje. Për fat të mirë, me Zvicrën do të luajmë në Shqipëri, por jashtë kemi Slloveninë, Islandën dhe Qipron.