Vasillaq Zëri: Ja pse dështojmë në Europë

1148
Sigal

Legjenda e Dinamos bën për “Telegraf” analizën e sezonit futbollistik: “Surpriza ishte Kukësi”

Vasillaq Zëri, një nga lojtarët ofensivë më të mirë që ka nxjerrë shkolla dinamovite, pse jo dhe futbolli shqiptar, bëri për gazetën “Telegraf” një analizë të hollësishme të sezonit që sapo përfundoi. I mbiquajtur “Mesi” shqiptar i viteve 1970-1980, ai vlerësoi Kombëtaren aktuale, pjesë e së cilës ai ka qenë në vitet 1976-1982. Me një karrierë të ndritur me Dinamon (katër herë kampion), por dhe një periudhë të suksesshme me Shkëndinë e viteve 1967-1973, Vasillaqi ishte pjesë e një prej tresheve më të famshme që ka pasur futbollit shqiptar, së bashku dhe me Ilir Përnaskën dhe Shyqyri Ballgjinin.

 – Zoti Zëri, tashmë është mbyllur sezoni futbollistik 2012-2013. Cilat janë të veçantat e tij, në syrin e një specialisti?

– Duke e analizuar atë në të gjithë aspektet dhe parametrat, gjykoj se kampionatin ka qenë në përgjithësi me nivel më të mirë, në krahasim me sezonet e tjera. Dua të theksoj se, ka qenë më i disiplinuar, apo ka pasur me shumë ‘fair-play’. E veçanta e këtij kampionati, përveç kampionit Skënderbeu, ishte Kukësi. Vendi i dytë dhe pjesëmarrës në Ligën e Europës. Ishte më të vërtete një surprizë. Gjithsesi, e meritoi të qenit nënkampion, pasi ka bërë ndeshje të mira. Më vjen mirë që, do të marrë pjesë në Ligën e Europës.

– Flitet shumë se, ekipet me projekte të financuara apo të mirëmenaxhuara, jo vetëm që fitojnë trofe, por dhurojnë edhe një futboll cilësor dhe mbushin stadiumet me shikues. Sa ndikon ana financiare në futbollin shqiptar?

– Kriteri financiar, kjo e parë dhe në kushtet tona, luan një rol kryesor, si në nivel ashtu dhe në renditje. Shembujt janë: Skënderbeu, një skuadër shumë mirë e financuar doli tri herë rresht kampion. Të njëjtën gjë vërtetoi dhe Kukësi. Gjithsesi, ana financiare duhet menaxhuar mirë. Nëse shohim Flamurtarin, klubi vlonjat është një nga ekipet që ka shpenzuar shuma të konsiderueshme, duke pasur edhe lojtarë cilësorë, por menaxhimi i tyre la për të dëshiruar. Nuk e justifikoi atë shpenzim të madh financiar. Te Tirana e këtij viti pamë diçka tjetër, pasi mesa jam i informuar përmes medias, ka pasur probleme me pagesat e lojtarëve, të cilat kanë ndikuar negativisht.

– Në fakt, ka shumë lojtarë që ankohen se nuk paguhen rregullisht nga klubet. Si mund të zgjidhet kjo situatë?

– Mendoj se, klubet duhet ta zgjidhin anën financiare përpara se të fillojë sezoni. Kjo duhet të jetë e qartë. Buxheti duhet jetë i konfirmuar, sipas rregullave.

– A ka nevojë për një reformë në këtë drejtim?

– Sigurisht, që po. Unë mendoj se, para fillimit të sezonit futbollistik, problemet financiare, sidomos çështjen e respektimit të pagesave të lojtarëve duhet të jenë të zgjidhura, me qëllim që lojtarët mos të rinë të presin deri në katër muaj për të marrë rrogën e tyre. Nuk më ka ardhur mirë, kur kam parë futbollistët e Tiranës, disa dhe të ekipit Kombëtar, të grumbulluar para Bashkisë, në pritje të pagesave. E konsideroj anormale. S’e imagjinoj dot që, një klub si Tirana të përfundojë në atë gjendje.

– Ju keni qenë lojtar i Dinamos, skuadrës së dytë me më shumë tituj në vendin tonë. Kur shohim ekipet e kryeqytetit kemi një panoramë në kontrast: Tirana ka disa vite që nuk fiton kampionatin, Partizani u rikthye pas katër vitesh mungesë në Superligë, ndërsa Dinamo ia doli t’i shpëtojë rënies në Kategorinë e Dytë. Si i shihni këto ekipe?

– M’u bë qejfi shumë që, Partizani u rikthye në Superiore, pasi është një klub me traditë. Të njëjtën gjë i uroj edhe Dinamos sezonin i ardhshëm. Mendoj se, i duhet Superligës këto ekipe, pasi janë klube me tradita të mëdha. Rikthimi i Partizanit është një gjë e mirë, por mendoj se ka nevojë të rindërtojë klubin dhe skuadrën ashtu siç duhet, pasi e pret një kampionat me 12 skuadra, ku katër prej tyre do të bien direkt.

– Nga ndeshje me Norvegjinë kanë mbetur edhe 20 ditë. Si e shihni sfidën në “Qemal Stafa”?

– Ekipi Kombëtar ka bërë lojëra shumë të mira. Kam shumë besim te skuadra, pasi rezultatet flasin vetë. I kemi mundësitë për fitore me Norvegjinë. E treguam edhe në Oslo, ku fituam me një lojë shumë kompakte dhe një gol të bukur të Salihit. Do të na mungojnë katër apo pesë lojtarë kryesorë, por unë kam besim se në Shqipëri, edhe me mbështetjen e tifozëve, do të arrijmë ta marrim fitoren që ëndërrojnë të gjithë, për të shpresuar për një vend në finalet e Botërorit.

– Zoti Zëri, ekipet shqiptare nuk shkëlqejnë në kompeticionet europiane. Pse dështojmë gjithmonë?

– Ka shumë faktorë që, ndikojnë në paraqitjen e skuadrave tona, subjektivë dhe objektivë. Nuk konkurrojmë ashtu siç duhet. Mund të kalojmë një tur, kur përballë kemi skuadra të dobëta, por në turin pasardhës eliminohemi. Kryesore është ta kuptojmë se, për të qenë të suksesshëm në Europë, duhet të ndërtojmë klubet me bazë të shëndoshë, duke zbatuar udhëzimet që vijnë nga FIFA dhe UEFA. Nuk duhet të mendojmë për një ndeshje dhe më pas të biem në qetësi.

– Dinamo e kohës suaj ka bërë disa paraqitje të mira në Europë…

– Në fakt, atëherë na binin ekipe shumë të forta, qysh në turin e parë, pasi aplikohej tjetër skemë shorti nga UEFA. Gjithsesi, kemi bërë paraqitje dinjitoze me ekipe të njohura në Europë, përfshirë Ajaksin e famshëm. Dua të theksoj se, ne nuk kishim këto favore që kanë futbollistët e sotëm, të cilët zhvillojnë faza përgatitore jashtë shtetit.

  Katër herë kampion

Mesfushori virtuoz Vasillaq Zëri ka dalë katër herë kampion i Shqipërisë me Dinamon: sezonet 1974-1975, 1975-1976, 1976-1977 dhe 1979-1980.

 5 ndeshje me Kombëtaren

Llaqi është aktivizuar në pesë ndeshjen me Përfaqësuesen A në vitet 1976-1980: kundër Algjerisë, Finlandës, Bullgarisë (2) dhe Austrisë.

 Dy fanellat e Llaqit

Gjatë karrierës së tij të gjatë, Vasillaq Zëri ka veshur bluzat e dy skuadrave: Dinamos dhe Shkëndijës, më këtë të fundit gjatë kohës kur kryente Institutin.

 Super tifoz i Brazilit

Zëri është një tifoz i thekur i Brazilit. “Jam bërë me ta, qysh kur kam qenë fëmijë. Kur ata fituan Kampionatin Botëror të vitit 1962, në Kili. E kam ëndërr të shkoj”

  “E adhuroja Iljaz Çeçon”

 Vasillaq Zëri, së bashku edhe me sulmuesit Ilir Përnaska dhe Shyqyri Ballgjini, formuan një nga sulmet më të frikshme në Shqipëri në kohën e tyre (1977-1982). Vasillaq Zëri i përket një grupi të artë lojtarësh të Dinamos, me emra të tillë si Iljaz Çeço, Torez Çiraku, Shyqyri Ballgjini, Ilir Përnaska, Gani Xhafa, Faruk Sejdini, Rifat Ibërshimi, Muhedin Targaj, Medin Zhega, Jani Rama, Aleko Bregu, Xhorxhi Puka, etj. Futbollistë pasionantë, të cilët prodhonin spektakël në fushën e lojës. Zëri ishte një nga fantazistët e Dinamos, së bashku me regjisorin e madh Iljaz Çeço. “Shiko, Dinamo ka pasur një grup shumë të mirë, tepër të talentuar. U puqën bashkë disa nga lojtarët më të mirë të vendit. Duhet të kalonin shumë breza lojtarësh që, Dinamo të krijonte një grup të ngjashëm. Kemi qenë më të vërtetë pasionantë apo të çmendur për të dhënë dhe shpirtin në fushë”, – tha Zëri. Vasillaqi ka qenë një lojtar shumë virtuoz, me një teknikë të lartën në përdorimin e topit. “Kur isha i vogël e adhuroja Iljaz Çeçon te Dinamo. Kur unë isha i vogël, ai luante me Dinamon, por fati e solli që të luaja me të. Për mua ka qenë një lojtar i madh. Shqipëria ka nxjerrë shumë lojtarë fantazistë dhe të talentuar, një nga këta është dhe Sulejman Demollari, ndërsa në Kombëtare ka qenë Ervin Skela. Inteligjentë dhe kreativë”.

  “Kur refuzova ofertën e Ajaksit”

 Vasillaq Zëri mund të kishte veshur fanellën e Ajaksit të famshëm, nëse do të ekzistonte gjatë regjimit komunist do të lejoheshin transferimet e lojtarëve shqiptarë në kampionatet e huaja. Pikërisht, kjo ia mohoi Zërit fatin të luante me “harkëtarët” holandezë. Dinamo luajti kundër Ajaksit në sezonin 1980-1981 për Kupën e Kampioneve. Në fakt, i humbi të dyja ndeshjet: 0-2 në “Qemal Stafa” (17 shtator 1980) dhe 0-1 në Amsterdam (1 tetor 1980), por loja e Zërit i bëri shumë përshtypje trajnerit të Ajaksit. “Ne bëmë një paraqitje shumë të mirë ndaj Ajaksit, pavarësisht se i humbëm të dyja takimet, por përballë futbollistvë të niveli të lartë. Të mos harrojmë se, Ajaksi drejtohej nga Leo Benhakeri, që ka drejtuar dhe Realin e Madridit. Në ‘Qemal Stafa’ pati entuziazëm shumë të madh, pasi për Ajaksin ishte hera e dytë që vinte në Shqipëri, pasi kishte luajtur më parë me Tiranën. Të luaja kundër Ajaksit ishte një eveniment”, – tregon Zëri. Drejtuesit e Ajaksit i bënë një ofertë thuajse zyrtare Vasillaqit, por trajneri i Dinamos iu shpjegoi atyre se në Shqipëri nuk ishte praktikë që një futbollist të transferohej jashtë shtetit. “Pasi mbaruam ndeshjen, kur ne ishim në aeroport, më erdhën drejtuesit e Ajaksit. Ata u takuan me trajnerin Saimir Dauti, duke i thënë se do ta mbajmë këtë ‘djalin’. Më thirrën dhe mua. I pranishëm ishte dhe Vasil Prifti, sekretar i klubit të Dinamos dhe përgjegjës i ekipit”.

  Kur luante kundër Fergusonit

 Dy ndeshje të tjera të bujshme të Dinamos, në të cilat ka marrë pjesë dhe Vasillaq Zëri janë ato kundër holandezëve të Ajaksit (1980-1981 për Kupën e Kampioneve: dy humbje 0-2 në “Qemal Stafa” dhe 0-1 në Amsterdam), gjermanolindorëve të Karls Zais Jenës (1981-1982 për Kupën UEFA: 1-0 në Tiranë, 0-4 në Jena) dhe Aberdinit e Skocisë (1982-1983: 0-0 në Tiranë dhe 0-1 në Skoci, për Kupën e Kupave). Aberdini drejtohej asokohe nga trajneri Aleks Ferguson, përpara se skocezi legjendar të ulej bankinën e Mançester Junaitid. Vasillaq Zëri atëherë ishte 31 vjeç: “Unë kam luajtur mirë në të dyja ndeshjet dhe Ferguson erdhi na takoi e na dha dorën. Nuk e patën dhe aq të lehtë, por ne kishim probleme, sepse Përnaska e Ballgjini e kishin lënë futbollin. Në fund të atij edicioni, Aberdini fitoi Kupën e Kupave të Europës”, – kujton legjenda blu.

  Në një skuadër me Agronin, djalin e Kadri Hazbiut

 Vasillaq Zëri ka luajtur në skuadër edhe me Agron Hazbiun, djalin e ish-ministrit të Brendshëm (1954-1979) dhe të Mbrojtjes (1979-1982), Kadri Hazbiu, të arrestuar më pushkatuar në 15 tetor 1982 dhe të pushkatuar më 10 shtator 1983. “Agroni ishte një futbollist shumë i mirë. Në radhë të parë, ishte tepër i pasionuar pas futbollit. Ishte një dinamovit i lindur, me gjak blu, nëse mund të shprehem kështu. Ishte një lojtar që, mund të luante disa role. Ka luajtur nga krahu i djathtë i mbrojtjes së Dinamos. Kishte një pasion, disi të tepruar, pasi dëshironte vetëm të fitonte. Ishte energjik. E ndjente shumë nga në të gjithë, humbjen apo fitoren e Dinamos”, – thotë Zëri. “Na erdhi keq, kur në vitin 1982, ai iku nga Dinamoja, për shkak të problemeve që pati i ati dhe familja e tij. Mbaj mend një ndeshje kur u kthyem nga Skocia, pasi u ndeshëm me Aberdinin në Kupën e Kupave. Ndaluam në Vjenë, pasi erdhëm këtu bëmë nja dy ndeshje kampionati, dhe Goni i dha fund futbollit. Më pas ndodhën të gjitha, nga pushkatimi i të atit, Kadriut, e deri te vetëvrasja e Agronit”. Agron Hazbiu, i cili në futboll, njihej me emrin Agron Dautaj, sipas versionit zyrtar, kreu vetëvrasje në janar të vitit 1989, në galeritë e minierës së kromit në Kurbnesh, në moshën 30-vjeçare.

Laçi, apo Bylis do ta fitojë Kupën?

 Sot do të luhet finalja e Kupës së 61-të të Kupës së Shqipërisë, ku përballë do të jenë Bylisi dhe Laçi, dy ekipe që eliminuan në gjysmëfinale, Skënderbeun dhe Kukësin, dy ekipet që zënë dy vendet e parë në Superligë. Një finale disi e pazakontë, pasi të dyja skuadrat mbërrijnë për herë të parë në një finale. Fituesi i trofeut do të hyjë në “Librin e Artë” të kompeticionit, si skuadra e dhjetë që fiton një Kupë të Shqipërisë, duke u bashkuar kështu me Tiranën (15 trofe), Partizanin (15), Dinamon (13), Vllazninë (6), Flamurtarin (3), Teutën (3), Elbasanin (2), Apoloninë (1) dhe Besën (1). Fituesit i Kupës do të marrë pjesë në Ligën e Europës, teksa do të përfitojë 5 milionë lekë nga FSHF-ja dhe 90 mijë euro nga UEFA për pjesëmarrjen në Ligën e Europës. Laçi-Bylis nuk është finalja e parë e “pazakontë”. Ka disa precedentë. Në vitin 1998, finalja u diskutua midis Apolonisë dhe Lushnjës, me fierakët që e fituan trofeun. Elbasani-Besa luajtën në vitin 1992, fitoi Elbasani. Besa-Teuta u luajt në 1995, me durrsakët triumfatorë.

FINALJA

Laçi-Bylis

17 maj 2013, 20:00

Stadiumi “Qemal Stafa”, Tiranë

LIBRI I ARTË

15: Partizani

15: Tirana

13: Dinamo

6: Vllaznia

3: Teuta

3: Flamurtari

2: Besa

2: Elbasani

1: Apolonia

SHKURT

 Kombëtarja/ Grumbullimi

 Edhe pse u fol gjatë për një grumbullim të Kombëtares në Zvicër, madje edhe për një miqësore me Turqinë (më 1 qershor), Përfaqësuesja do të grumbullohet në Durrës. Sipas burimeve zyrtare të FSHF-së, kuqezinjtë do të bashkohen në “Resort Tropikal”, më 29 qershor (ora 12:00).

 Lacio/ Elseid Hysajn

 Pasi luajti si titullar në sezonin e tij të parë në Serinë B, vetëm 19 vjeç, Elseid Hysaj mund të jetë gati për të bërë kapërximin e madhe në kampionatin maksimal italian, Serie A. Mesfushori shqiptar i Empolit është në fakt, prej shumë kohësh në shënjestrën e Lacios.

 FSV Frankfurt/ Odise Roshi

 Mesfushori i avancuar shqiptar, Odise Roshi, pritet të luajë edhe sezonin tjetër me FSV Frankfurtin. Lajmin e raportuan mediat gjermane. Roshi është i huazuar nga Këlni. Odiseja ka treguar një formë të mirë me FSV Frankfurtin, skuadër me të cilën luan edhe sulmuesi durrsak Edmond Kapllani (10 gola).