Vasil Ruci: Administratori Idrizi dhe Flamurtari, binom i frymës së progresit

815
Nga Agron KAJA
INTERVISTA/ Flet për “Telegraf” ish-sulmuesi i skuadrës vlonjate dhe i Kombëtares, ja skaneri i tij për 13 javët e luajtura
Si e shikoni situatën aktuale te Flamurtari, në rrugën e duhur, apo duhej më shumë?
Besoj se me këtë performancë që ka treguar në këto 13 javë, Flamurtari është në rrugë të mirë. Është një ekip praktik se sa i bukur, është i përgatitur mirë nga trajneri e stafi i tij, njëherësh edhe i mbështetur fuqishëm nga Administratori Sinan Idrizi.

Cili është sipas jush ndryshimi i skuadrës sot, nga ajo e sezonit të kaluar?
Nga sezoni i kaluar, kjo skuadër sot prodhon futboll, nuk merret me të kaluarën, por sheh më të mirën nga ndeshja në ndeshje. Përmirësimi është i dukshëm, edhe pse pritshmëritë kanë qenë për më shumë. Gjithsesi, ndryshimi është pozitiv.

Ju i quani të gjitha repartet funksionalë në këto 13 javët e luajtura në Kampionat?
Për deri sa skuadra ka funksionuar mirë në grup, atëherë edhe repartet kanë qenë në harmoni me njeri-tjetrin, përjashto rastet kur nuk kanë konkluduar, ose kanë pësuar. Kjo mendoj se është pjesa më solide e kësaj skuadre, e nisur që nga faza përgatitore e deri më sot.

Po drejtimi i Klubit nga Administratori Sinan Idrizi, si ka ndikuar në këtë sezon te skuadra?
Në gjykimin tim, Administratori Sinan Idrizi dhe Flamurtari, janë bërë binom i frymës së progresit. Nga ana e tij, ai këtë sezon ka gjetur profesionistë për bankinë dhe fushën e lojës, të cilët janë bërë një frymë e përbashkët, ose të themi binom i këtij progresi.

Ndoshta Flamurtari vuan edhe nga një merkato më cilësore?
Nuk ka qenë merkato pengesë te Flamurtari në këto 13 ndeshje të luajtura në Kategorinë Superiore. Por, duke qenë se pjesa tjetër është e plotë, që të arrijë synimet do ti duhet domosdoshmërish një mesfushor organizator i mirëfilltë. Këtu duhet të sakrifikojë në merkaton e dimrit.

Nga drejtuesit e Flamurtarit ka pasur pretendime për arbitrimet, si kanë ndikuar ata te skuadra juaj?
Nëse do të kishim arbitra më të mirë, Flamurtari do të ishte shumë afër me pikë me Skënderbeun. Janë bërë publike nga klube raste të shumta kur gjykimet e njëanshme dhe me vendime të paqenë, e kanë dëmtuar Flamurtarin. Janë disa penallti të mohuara hapur fare!

Por, Flamurtari ka pasur disa dënime e penalizimi, kryesisht tifozët, ju e quani normale një lojë pa tifozë?
Loja pa tifozë është pa emocion, por edhe dënimet duhen kur e meritojnë. Sepse janë dënuar me 4 ndeshje tifozët e Flamurtarit për një banderolë, dhe janë dënuar me 2 ndeshje ata tifozë të dhunshëm, që edhe në fushën kanë hedhur sende çfarë kanë mundur.

Keni akuzuar shpesh FSHF-në se ju kundërvihet, pse?
Sepse FSHF-ja po tregon dy standarde me Flamurtarin. Rasti i tifozëve besoj se është flagrant, por që asnjëherë nuk e kanë ulur ritmikën e mirë të skuadrës dhe të drejtuesve të saj. Me këtë menaxhim e drejtim nga Idrizi, me një trajner shumë profesionist si Shpëtim Duro, Flamurtari do t’i sfidojë të gjitha këto padrejtësi.

Kaq padrejtësi të thellë i janë bërë Flamurtarit?
Po të përgjigjem me një shembull: Flamurtari në vitet 1990-1991 ishte një nga ekipet më demokratike në Shqipëri. Vërtet demokracinë e sollëm, por me të njëjtin regjim të kaluar në futboll. Sepse për të pasur futboll të mirë, së pari duhet drejtësi, dhe pa drejtësi nuk ka futboll të pastër.

Këtë fundjavë prisni Vllazninë në Vlorë, si e mendoni këtë ndeshje?
Për Flamurtarin, kjo është ndeshja më e rëndësishme e kampionatit, sepse, me fitoren e çon në Evropë, me një rezultat tjetër e mban në vendet e mesit të tabelës. Ndaj besoj se nga stafi teknik janë marrë të gjitha masat që në këtë sfidë të dalin vetëm me tri pikë.
FSHF-ja po tregon dy standarde me Flamurtarin. Rasti i tifozëve besoj se është flagrant, por që asnjëherë nuk e kanë ulur ritmikën e mirë të skuadrës dhe të drejtuesve të saj. Me këtë drejtim nga Administratori Idrizi, me një trajner profesionist si Shpëtim Duro, besoj se Flamurtari do t’i sfidojë të gjitha këto padrejtësi 
Ndeshjet-Java e 14-të
Të shtunën, 09.12.2017 
Kukësi-Lushnja 13:00
Flamurtari-Vllaznia 16:00
Të dielën, 10.12.2017 
Laçi-Skënderbeu 13:00
Kamza-Luftëtari 13:00
Partizani-Teuta 16:00 

RENDITJA
Skuadrat Nd P
1. Skënderbeu 13 31
2. Kamza 13 23
3. Kukësi 13 22
4. Flamurtari 13 22
5. Laçi 13 18
6. Partizani 13 18
7. Teuta 13 15
8. Vllaznia 13 12
9. Luftëtari 13 10
10. Lushnja 13 5
Sigal