Var kundër racizmit në Serie A, Infantino: “T’i përjashtojmë racistët nga të gjitha stadiumet

447
Sigal

Racistët duhet të “përjashtohen” nga stadiumet. Presidenti i FIFA, Gianni Infantino, insiston në betejën kundër racizmit në futboll, duke lëshuar një propozim për një përjashtim në nivel botëror për tifozët që këndojnë kore raciste kundër futbollistëve. Duke folur nga Bangladeshi, pak ditë pas ngjarjeve të Bullgari-Angli, numri 1 i futbollit botëror është shprehur: “Nëse do të ketë kore raciste që abuzojnë me lojtarët, duhet të ndalojmë ndeshjet”.

“Nuk mund të lejojmë që racistët të fitojnë. Duhet të kapen dhe të përjashtohen nga stadiumi, nuk duhet të autorizohen të futen më dhe duhet të fillojnë procedimet penale kundër tyre”, sulmoi Infantino, duke marrë një pozicion të fortë, se nëse një vend përjashton një spektator për shkak të racizmit, “FIFA do ta shtrijë në gjithë botën dënimin, sepse racistët nuk kanë vend në futboll, në një stadium futbolli ose në cdo vend të botës”.

Në të njëjtën linjë edhe presidenti i Federatës Italine të Futbollit Gabriele Gravina, që ka bërë të ditur risinë në luftën kundër racizmit: “Nuk kam ndërmend të ul mbrojtjen, më befason se ndonjëherë disa kore dallohen, herë të tjera jo. Nëse e gjitha kjo nuk është normale, do të përdorim sistemin Var edhe për thirrjet raciste”. Numri 1 i Figc ka vetëm një synim të menjëhershëm, të përballet me racizmin: “Duhet të jemi të gjithë pjesëmarrës të një rrugëtimi të përbashkët, mund ta fitojmë betejën nëse jemi të gjithë të bashkuar e të përqendruar në një objektiv të vetëm, duke i larguar këto probleme nga kompeticionet tona”, ka deklaruar Gravina për Sky.