UEFA e ka vendosur tashmë dhe parashikon të nisë përdorimin e sistemit të videoarbitrimit për herë të parë në ndeshjen e Superkupës së Europës, vitin e ardhshëm.

Ndeshja në fjalë do të luhet në Stamboll, më 14 gusht të vitit 2019, mes fituesit të Champions League dhe atij të Europa League.

“Për Championsin e sivjetëm është shumë shpejt dhe nuk mund të themi se kur do të mund të adoptohet”, tha presidenti i UEFA-s, Aleksander Ceferin.

Kjo deklaratë lë të kuptohet se, sistemi i videoarbitrimit VAR do të mund të përfshihet në Champions dhe Europa League duke nisur nga viti 2020.

Edhe pse presidenti Ceferin është shprehur se VAR-i ka funksionuar më mirë nga sa parashikohej gjatë Kupës së Botës, duket se teknikisht është më e vështirë për UEFA-n ta bëjë funksionale në të gjitha ndeshjet që luhen njëkohësisht në të gjithë Europën.

Argumenti i krerëve europianë të futbollit është se, vende dhe stadiume të ndryshme kanë nevojë për më shumë kohë sesa një turne tejet i rëndësishëm si Kupa e Botës, i cili është i përqëndruar në vetëm një vend unik.

Gjatë ditëve të kaluara, Ceferin mohoi në mënyrë kategorike hipotezën e hedhur nga “Times”, se UEFA mund ta prezantojë VAR-in nga çerekfinalet e Championsit që fillon këtë shtator.