Valter Fushaj: Nuk mendoj drejtimin e klubit, jam i gatshëm të blej aksione

835
Nga Agron KAJA
KATEGORIA SUPERIORE/ Vllaznia në krizë, ish-presidenti “zbret” në fushë e përgënjeshtron spekulimet ndaj tij në medie
Keni folur këto ditë në mediet sportive për gjendjen e skuadrës së Vllaznisë në Superiore, mos është nostalgji e vjetër me sinjale rikthimi?
Jo, unë nuk kam ndërmend që të marr përsëri drejtimin e Vllaznisë. Mediet shkruajnë, por e vërteta është se unë jam interesuar vetëm për të blerë aksione, dhe vetëm me opsionet e mia në raport me vlerën aktuale të tyre. Për të tjerat, nuk e di se çfarë mund të them.

Po, por ju në medie keni thënë se largimi i Cungut ishte i duhur në këtë periudhë?
Pikërisht këto janë spekulime ose rreshta gazetarësh që nuk e respektojnë burimin e lajmit. Për Cungun kam shumë respekt, dhe kur kam punuar me të, vite më parë, kemi pasur marrëdhënie shumë të mira. Kisha sugjeruar që ai vetë të largohej, pasi u mbyll sezoni i kaluar, dhe jo për largimin që bëri disa ditë më parë.

Po Ernest Gjokën, ju e keni sugjeruar te drejtuesit aktualë të Vllaznisë?
Si mundet që të sugjeroja unë largimin e një trajneri dhe emrin e zëvendësuesit të tij? Kjo nuk shkon edhe në logjikë. Që te Vllaznia është një situatë jo e mirë, kjo duket, jo vetëm nga rezultatet dhe renditjen në tabelë për shtatë javët e luajtura. Ndryshimin e bënë drejtuesit aktualë të Vllaznisë, por gjithsesi, Gjoka është trajner i mirë.

Në këndvështrimin tuaj, si është gjendja e skuadrës së Vllaznisë në këto shtatë javët e luajtura në Kategorinë Superiore?
Duke iu referuar vetëm rezultateve dhe renditjes aktuale në shtatë javë, gjendja e Vllaznisë sot nuk duket e mirë. Pesë pikë në shtatë ndeshje, nuk janë tregues që justifikojnë emrin e Vllaznisë, ndaj them se kjo nuk është situatë pozitive për skuadrën.

Cilat janë arsyet që mendoni ju për këtë situatë te Vllaznia?
Mund të ketë shumë arsye, nga të gjitha drejtimet, pasi një mendje e kthjellët e kupton se kur diçka nuk shkon, ka diçka tjetër pas saj. Por unë do të preferoja të mos flisja më shumë për këtë situatë, sepse nuk dua që me thëniet e mia të ndikoj në skuadër.

Ju nuk po preferoni të flisni më gjatë e gjerë, por duke u shfaqur në media në këtë situatë, e keni ndonjë qejfmbetje apo diçka tjetër në raport me Vllazninë?
Me skuadrën e Vllaznisë nuk kam pasur dhe nuk kam asgjë të keqe. Ah, po! Kam qejfmbetje që është në këtë situatë në tabelën e renditjes në vendin e 9-të në javën e 7-të. Mendoj se kam qenë korrekt me veten time për atë çka ndjej për Vllazninë, jo vetëm si ish-president i saj.

Ka këtu ndoshta diçka që nuk shkon në raportet tuaja me drejtuesit aktualë?
Unë me askënd deri më sot nuk kam pasur dhe nuk kam gjëra që nuk shkojnë, ndërsa po ju them se si ish-president i FK Vllaznia, drejtuesit aktualë nuk më kanë respektuar në këtë status, qoftë edhe më një vend në tribunën VIP. Kur unë isha president, i kam respektuar edhe paraardhësit e mi, por edhe drejtuesit e bashkisë në tribunën e stadiumit.

Keni ndonjë sugjerim për përmirësimin e gjendjes aktuale të Vllaznisë?
Më duhet që të përsëris edhe një herë atë çka ja u deklarova më sipër, se nuk preferoj të flas më shumë për këtë situatë, vetëm se nuk dua të ndikoj te skuadra. Ajo që më intereson më shumë është ngritja e skuadrës, që në ndeshjen e radhës me Kukësin. Ndaj për këtë, do thosha se Gjoka do mbështetje, jo vetëm me fjalë.
IN MEMORIAM
Vllaznia nën drejtimin e presidentit Valter Fushaj, pas 21 vjetësh i solli Shkodrës Kupën e Shqipërisë. Në sezonin 2007-2008, kuqeblutë triumfuan ndaj Tiranës në finalen e Elbasanit. Trajner ishte malazezi Dervish Haxhiosmanoviç, ndërkohë që në fushë ishin Grima, Sinani, Lici, Osja, Kotrri por edhe të rinjtë e asaj periudhe, si Admir Teli, Albert Kaçi, Xhevahir Sukaj, Gilman Lika, Edmond Doçi, Ilir Nallbani, Marenglen Kapaj, Erion Hoti etj.
Unë me askënd deri më sot nuk kam pasur dhe nuk kam gjëra që nuk shkojnë, ndërsa po ju them se si ish-president i FK Vllaznia, drejtuesit aktualë nuk më kanë respektuar në këtë status, qoftë edhe më një vend në tribunën VIP
7 ndeshje
Kaq ka luajtur edhe Vllaznia në shtatë javët e Kategorisë Superiore, nga të cilat 3 në fushën e saj dhe 4 në transfertë
5 pikë
Kaq pikë ka grumbulluar Vllaznia në shtatë ndeshje, me 1 fitore, 2 barazime dhe 4 humbje, dhe me golavarazhin 3:6

KATEGORIA SUPERIORE
Ndeshjet-java e 8-të
Të shtunën, 28 tetor 2017 
Lushnja-Teuta 14:00
Skënderbeu-Luftëtari 17:00
Të dielën, 29 tetor 2017
Kukësi-Vllaznia 15:00
Partizani-Flamurtari 18:00
Të hënën, 30 tetor 2017 
Laçi-Kamza 14:00
RENDITJA
Skuadrat Nd P
1.Skënderbeu 7 19
2.Kukësi 7 16
3.Flamurtari 7 12 
4.Partizani 7 11 
5.Laçi 7 10
6.Kamza 7 9
7.Teuta 7 7
8.Luftëtari 7 5
9.Vllaznia 7 5
10.Lushnja 7 2
Sigal