Sigal

“Patëm fat, pasi nëse nuk do të ishin tërhequr disa pilotë, ne do ta kishim mbyllur garën në vendin e 10-të”, ka deklaruar piloti italian Valentino Rossi, që në garën e zhvilluar në pistën e Aragon e mbylli atë në vendin e tetë. Legjenda e garave të Moto GP e nisi këtë garë nga vendi i 18-të, por në fund u rendit i teti, një rezultat që konsiderohet si një “fitore” për Rossin, që e sheh se me këtë motor Yamaha që ka në dispozicion nuk mund të bëjë asgjë më shumë.

Ky është potenciali ynë, për momentin nuk mund të bëjmë asgjë më shumë. për fat të keq kjo situatë është shqetësuese. Honda, Ducati por edhe Suzuki kanë bërë një hap të madh përpara, madje edhe Aprilia është para nesh. Nuk na mbetet gjë tjetër veçse të vazhdojmë të punojmë dhe të presim rezultatet”, tha Rossi.

Duke folur se përse motori Yamaha nuk është në gjendje të rivalizojë, Rossi shton: “Pyesni japonezët për këtë gjë. Zakonisht, në pistën e Brno provonim diçka të re për sezonin e ri, por u bënë dy vite që nuk po ndodh më kjo gjë. U bënë dy vite që xhirojmë kot në pistë. Kur bën modifikime të mëdha dhe motori nuk të përgjigjet, ky është një problem. Në garën e fundit humbisja gati 1.5 sekondë për xhiro nga kreu, një skandal”, tha Rossi.