Usain Bolt nis stërvitjen me Borussia Dortmund

628
Më shumë se 50 media televizive dhe të shkruara sidhe qindra tifozë ishin të pranishme në seancën e parë stërvitore të Usain Bolt si futbollist.
31-vjeçari shpreson të përfitojë një mundësi për të realizuar ëndrrën e tij të shfaqur kohë më parë. Po stërvitet me Borussian, një mundësi e ofruar nga sponsori teknik i tij dhe njëkohësisht i kësaj skuadre.
Megjithatë xhamajkani nuk e ka fshehur se është tifoz dhe shpreson që një ditë të veshe fanellën e Manchester United. Disa herë medalisti olimpik ka theksuar se do t’i nënshtrohet stërvitjes dhe provës tek Borussia për të kuptuar nëse është në lartësinë e duhur për të qenë një futbollist profesionist. Ky është një kapitull i ri në jetën e tij pranë sportit.
Pas nxemjes ai është përfshirë edhe në një ndeshje kontrolli ku është aktivizuar në repartin e sulmit nga krahët dhe në qendër për të përcaktuar se cilat janë aftësitë e tij. Sigurisht shpejtësia nuk i mungon por duhet kuptuar më mirë aftësia e tij në këtë sport kolektiv.
Bolt e mori seriozisht dhe shënoi edhe një gol, madje me kokë duke finalizuar më së miri asistin e Mario Goetze.
Nëse me kokë ai shënoi lehtësisht nuk mundi ta bëjë një gjë të tillë me këmbën e djathtë, por me të majtën në një goditje penalltie nuk gaboi.
Sigurisht seanca stërvitore ka qenë edhe një show për spektatorët dhe Bolt nuk mundi të largohej pa dhënë autografe.
Sigal