Uruguai triumfon në “Markana”, heshtin magjistarët brazilianë

517
Sigal

Brazil 1950/ Atdheu i Sambës organizon Botërorin e Katërt, por ka vetëm lot për ta

Kampionati Botëror “Brazil 1950” ishte i katërti për nga radha. Ai u organizua në Brazil nga 24 qershori deri në 16 korrik. Ishte Kupa e parë e Botës qysh nga viti 1938, pasi kampionatet e planifikuara për në vitin 1942 dhe 1946 u anuluan për shkak të Luftës së Dytë Botërore. Ai u fitua nga Uruguai, që kishte fituar edhe kampionatin inaugurues në vitin 1930, pasi mundi në finale 2-1 Brazilin, pas një skemë të re në finale, ku morën pjesë katër ekipe. Ky ishte dhe turneu i vetëm që nuk u zhvillua një ndeshje të vetme finale. Në të morën pjesë, Uruguai, Brazili, Suedia dhe Spanja. Kjo ishte dhe hera e parë që, trofeu u referua edhe si Kupa “Zhyl Rime”, për të shënjuar 25-vjetorin e francezit Zhyl Rime në krye të presidencës së FIFA-s. Italia, e cila kishte fituar dy kampionatet e fundit në vitin 1934 dhe 1938, udhëtoi me traget, duke mos preferuar të udhëtonte me avion, kjo për shkak të një katastrofe ajrore një vit para se të niste turneu. Për shkak se Brazili dhe Italia ishin kualifikuar automatikisht, ishin 14 vende të vlefshme. Nga këto, shtatë i ishin caktuar Europës, gjashtë dy Amerikave dhe një Azisë. Anglia që për herë të parë denjon të pranojë të ulet në sofrën e futbollit botëror, por shokohet kur humbet 1-0 nga amatorët e Shteteve të Bashkuara. Ashtu si më 1938 Gjermania dhe Japonia, si shtete të mundura në Luftën e Dytë Botërore, nuk ftohen në Brazil. Bashkimi Sovjetik dhe vende të tjera të lindjes nuk marrin pjesë. Po kështu vepron dhe Argjentina. Çuditë në këtë botëror priten nga Brazili që ëndërron më së fundi të fitojë për herë të parë dhe nga Uruguai që ka refuzuar të marrë pjesë dy herë në Evropë. Skuadra e këtij vendi të vogël kërkon të dëshmojë se nuk është më kot fitues i edicionit të parë më 1930 që e ka organizuar vetë. Lojtarët uruguaianë Varela, Andrade, Skiafino do të dëshmojnë se ndonëse nuk kanë elegancën e zhonglerëve brazilianë, janë më racionalë, më të përmbajtur, më të thjeshtë, po, mbi të gjitha, më rezultativë se brazilianët. Finalja dramatike midis Uruguajt dhe Brazilit do të zhvillohej në stadiumin gjigant “Marakana” me 200 mijë vetë mbi shpatulla, e para dhe e fundit herë në historinë e tij me një barrë kaq të madhe, pas zhvillimeve lavdiplotë “Saoveno, o Brazil”, në fund të takimit do të bjerë në heshtje mortore. Italia, dy herë kampione e botës u eliminua nga suedezët shtatlartë që në turin e tretë (3-2). Brazili në delir 50 milion brazilianë kërkojnë fitore e vetëm fitore nga trajneri i tyre Flavio Kosta. Zyrtarisht janë 174 mijë shikues në “Marakana”, por flitet në fakt për 200 mijë të pranishëm në stadium. Friaka shënon për Brazilin në minutën e 47-të. Brazilianëve u duket se ky çast është fillimi i një goleadë. Po uruguaianët nuk e humbasin toruan. Mbrohen dhe kundërsulmojnë. Dhe ja në minutën e 66-të, pas një topi të saktë të Gixhos, barazon Skiafino. Është një çast delikat. Sikur brazilianët të kishin qenë më gjakftohtë e të kishin gjykuar se kundërsulmet e kundërshtarëve ishin vdekjeprurëse, ata, duke e kontrolluar lojën, mund ta kishin mbyllur ndeshjen me barazim, që për ta ishte fitore. Po ata kërkonin fitore madje të bujshme. Ndaj Ademiri me shokë mësynin me forca të shumta portën e portierit Mospoli. Në minutën e 69-të Mikues godet shtyllën dhe 5 minuta më vonë Skiafino fton në aksion Gixhan i cili, ashtu si një kalë gërmuq, pasi çarmatos mbrojtësin e majtë Bigode, shënon. Stadiumi gjigant “Marakana” hesht si të jetë akull. Brazilianët nuk duan tu besojnë syve, e pandehin se futbollistët do lënë fushën pas mbarimit të ndeshjes e do të shfaqen përsëri atje. Por kur Zhyl Rimeja u dhuron kupën uruguaianëve, gjithçka është e qartë. Lotë, klithma, infarkte dhe vdekje ndodhin këto minuta. Rasti më patetik është ai i gjysmëbrojtësit Danilo që kërkon të vrasë veten, po arrijnë ta shpëtojnë. Brazili është në zi. Në “Brazil 1950” morën pjesë 13 ekipe, të cilat zhvilluan 22 ndeshje. U shënuan 88 gola, me një mesatare të lartë: 4 gola për ndeshje. Mbi 1 milion shikues i ndoqën ndeshjet.

Rezultatet

Brazil–Meksikë         4-0

Jugosllavi–Zvicër      3-0

Brazil–Zvicër            2-2

Brazil–Jugosllavi      2-1

Zvicër–Meksikë        2–1

Spanjë–SHBA           3–1

Angli–Kili                 2-0

Spanjë–Kili        2-0

SHBA–Angli                    1-0

Spanjë–Angli            1-0

Kili–SHBA                5–2

Suedi–Itali          3-2

Suedi–Paraguaj          2-2

Italia–Paraguaj          2–0

Uruguai–Bolivi         8–0

Brazil–Suedi              7-1

Uruguai–Spanjë         2-2

Brazil–Spanjë            6-1

Uruguai–Suedi          3-2

Suedi–Spanjë             3-1

Uruguai–Brazil          2–1

Finale

16/07/1950, Rio de Zhaneiro

Uruguai–Brazil   2–1

Shënues: Friaka (B) 47’; Skiafino (U) 66’, Gixha (U) 79’

Uruguai: Maspoli, M. Gonzales, Tjera, Gambeta, Verela, Andrade, Gixha, Perez, Miguez, Skiafino, Moran

Brazili: Barbosa, Augusto, Juvenal, Bauer, Danilo, Bigobe, Friaka, Zizinja, Ademir, Zahir, Kiko

Përbërja simbolike e botërorit 1950

Ramalets (Spanjë), M. Gonzales (Uruguai), Varela (Uruguai), Zizinjo (Brazil), Tahera (Uruguai), Bauer (Brazil), Skiafino (Uruguai), Gixha (Urugua), Ademir (Brazi), Skoglund (Suedi), Xhair (Brazi)

Ademir, “Këpuca e Artë” e Botërorit

Në Botërorin e Brazilit, Ademir ishte fituesi i vetëm nga vendi organizator. Ai shënoi tetë gola në gjashtë ndeshje, duke pasur një mesatare mbi një gol për ndeshje. Me Brazilin ai shënoi 32 gola në 39 ndeshje. Fitues i Botërorit doli Uruguai, vendi i dytë i takoi Brazilit, ndërkohë që Suedia dhe Spanja u renditën përkatësisht në vendin e tretë dhe i katërt.

Metjusi

Në Botërorin e vitit 1950 është 35 vjeç, më i moçmi i tërë lojtarëve. Luan me Stok Sitin. E mbyll karrierën në moshën 50 vjeç. Zhvillon 698 takime në kampionate duke shënuar 71 gola, kurse me kombëtaren 54 takime me 11 gola.

Skoglundi

Luan në radhët e Interit deri në vitin 1959 duke zhvilluar 240 ndeshje e shënuar 55 gola, e duke fituar dy herë titullin kampion. E mbyll jetën sportive me Palermon më 1963. Në atdheun e tij mahnit të vegjlit me xhonglimet e tij klasike.

Alcide Gixha

Më 1950, Gixha mbush 24 vjeç. Luan në radhët e Romës, nga viti 1953 deri 1961. Aktivizohet në 201 ndeshje duke shënuar vetëm 19 gola. Telashet shtohen kur e lë e shoqja e pasur. Kjo e shtrëngon të kthehet të punojë në kazinotë e Montevideos.

Ademiri

Ademiri luante me skuadrën e Vasko de Gama dhe në Brazil e mbajnë si të ishte perëndi. Vërtet është 32 vjeç, por ka ende për të dhënë në futboll. Gjatë periudhës 1945-1953 zhvilloi 39-të ndeshje me kombëtaren duke shënuar 32 gola, nga të cilët tetë në botërorin e 1950-ës.

Legjenda braziliane e futbollit: “Kombi ynë duhet ta harrojë dështimin në vitin 1950”

Pele: “Brazili duhet ta fitojë Kupën e Botës”

Pele i bëri thirrje Brazilit të rifitojë Kupën e Botës në vendin e tij gjatë kësaj vete, për të harruar përfundimisht atë humbje të tmerrshme me Uruguain në finalen e vitit 1950 në Rio. Humbja 2-1 në “Marakana” 64 vjet më parë qëndron ende në kujtesën e brazilianëve si më e dhimbshmja në historinë e suksesshme të vendit të dashuruar me sportin. Duke folur me disa lojtarët të Kombëtares aktuale të Luis Felipe Skolarit, Pele pranoi se vendi i tij do të përballet me disa skuadra shumë të forta. “Për këtë nuk ka asnjë dyshim”, – tha 73-vjeçari për “Telefoot”. “Brazili mund të hakmerret për Kupën e Botës së vitit 1950 me një fitore në shtëpi”. Trajneri Luis Felipe Skolari bëri të ditur skuadrën e tij prej 23 lojtarësh, duke lënë jashtë grupit lojtarë më përvojë të tillë si Kaka, Robinjo dhe Ronaldinjo. David Luiz nuk ka asnjë dyshim se, Brazili ka dëshirën dhe talentin për ta fituar Kampionatin Botëror. “Ne dëshirojmë t’i tregojmë Botës se në jemi një vend i madh në çdo fushë”, – tha mbrojtësi. “Kultura braziliane është t’u japë njerëzve dashuri dhe lumturi kurdoherë që ata do të vijnë në vendin tonë. Ne mund dhe do ta bëjmë atë. Unë besoj te shokët e mi, te trajneri im dhe të ky ekip i jashtëzakonshëm”. Lojtari i Çelsit, Oskar, tha se “armiku më i madh i Brazilit është Brazili”. “Ne të githë dëshirojmë ta fitojmë Kupën e Botës. Ne vetëm mendojmë për fitoren. Nëse ne e bëjmë atë, do të kemi një festë dyvjeçare non-stop”.

Krujf: “Mesi nuk e fiton dot i vetëm Botërorin”

Legjenda holandeze e futbollit, Johan Krujf, u shpreh se Lionel Mesi i vetëm nuk mund t’i japë kombëtares argjentinase Kupën e Botërorit 2014. “Në Kupën e Botës, fati gjithmonë varet nga futbollistë të mirë, por kjo nuk është garanci për asgjë. I vetëm Mesi nuk mund të fitojë një Botëror. Argjentina është dhe gjithmonë ka qenë një ekip i fortë, por edhe kjo sërish nuk është një garanci për suksesin sepse Spanja po ashtu është e fortë, ashtu si Brazili e Gjermania. Mundësitë janë të mira për shumë skuadra, do të ketë një rivalitet të ashpër”.

GRUPET E BOTËRORIT

Grupi A

Brazili

Kroacia

Meksika

Kameruni

Grupi B

Spanja

Holanda

Kili

Australia

Grupi C

Kolumbia

Greqia

B. Fildishtë

Japonia

Grupi D

Uruguai

Kosta Rika

Anglia

Italia

Grupi E

Zvicra

Ekuadori

Franca

Hondurasi

Grupi F

Argjentina

Bosnja

Irani

Nigeria

Grupi G

Gjermania

Portugalia

Gana

SHBA

Grupi H

Belgjika

Algjeria

Rusia

Koreja e Jugut

Ndeshja hapëse: Brazil-Kroaci, 12 qershor 2014, ora 17:00