Urrejtja vlonjate për Luftëtarin e Gjirokastrës

819
Nga Ergys ALUSHI
DOSSIER/ Në prag të ndeshjes së sotme të javës së 13-të të Kategorisë Superiore, Luftëtari-Flamurtari, ja historia e “derbit të Jugut”
Luhet të hënën e datës 4 dhjetor 2017, në stadiumin e Gjirokastrës, ndeshja Luftëtari-Flamurtari, e quajtur ndryshe si “derbi i jugut”. Përveç rëndësisë që ka ndeshja për pozicionin në renditje, ku Luftëtari ndodhet në vendin e fundit dhe Flamurtari në vendin e 3-të, ndeshja midis këtyre dy ekipeve mbart në vetvete dhe një “inat” historik, sidomos nga ana e vlonjatëve. Në historinë e futbollit vlonjat të para vitit 1990, Luftëtari është ndoshta ekipi më “i urryer” ndër skuadrat e tjera shqiptare, përfshi këtu edhe ekipet e kryeqytetit. Por, ndërsa ekipet e Tiranës, “urreheshin”në Vlorë për shkak të mbështetjes që kishin nga FSHF-ja e kohës, ekipi gjirokastrit i ka hequr Flamurtarit dy tituj kampion. Dhe, krahas urrejtjes, dy ekipet kanë në historinë e tyre dhe ndeshje të luajtura mirë, me rivalitet, me vajtje-ardhje tifozësh, por edhe koincidenca që i lidhin fort me njëra tjetrën.

Vlonjatët në ndeshjen e parë me emrin “Flamurtari”, me Shqiponjën e Gjirokastrës!

Vlorë, 21 qershor 1946
Ndeshja e parë me emrin “Flamurtari”
Flamurtari-Shqiponja 3-2
Flamurtari: Poselli, Isai, Vasiu, Ranxi, Kokona, Palla, Mina, Manushi, Dumani, Goreci, Saraci.
Shënues: Manushi 32’, Isai 39’, Dumani 71’/ Sali 36’, Ihri (p) 52’.

“Një shumicë e madhe publiku, në mes të cilëve edhe 400 e ca punëtorë kuçovarë që kishin ardhur në piknik me punëtorët e qarkut të Vlorës, përshëndetën daljen e skuadrave në fushë, të cilat u rreshtuan në këto formacione… Kokona që e ka për zakon të bëj të qeshi publikun me triblimet e tija, mbasi gënjen tre veta, i jep një top të sigurt Dumanit, që e dërgon në rrjet në të 26-ën…”. (gazeta “Sporti”, 22 qershor 1946 ). Por, para kësaj ndeshjeje, në historinë e takimeve midis skuadrave të dy qyteteve, gjejmë dhe një takim, ku të rinjtë vlonjatë e gjirokastritë, organizoheshin nën siglën e fashizmit, si në prill të vitit 1940.

Vlorë, 21 prill 1940
Të rinjtë fashistë të Vlorës-Të rinjtë fashistë të Gjirokastrës 3-0
Pas një dreke të shtruar në fushën e aeroportit të vjetër, u zhvillua ndeshja e futbollit e vlefshme për Kampionatin e Rinisë së Liktorit Shqiptar.
Formacioni i të rinjve fashistë të Vlorës: Platon Kolea, Pajtim Xhindi, Eqrem Shehu, Nazif Çala, Çin Nika, Hekuran Lalo, Lefter Sallata, Sulejman Veshi, Stefan Kusha dhe Paulin Mamoli.

Pjesa e parë mbyllet në barazim 0-0, me gjithë rastet e shumta për të dy skuadrat. Në minutën e 6-të të pjesës së dytë, Sallata do të shënojë golin e parë. Në minutën e 25-të, Paulin Mamoli do të shënojë golin e dytë me një gjuajtje të fortë, dhe goli i tretë do të jetë një autogol i gjirokastritëve. Loja nuk arrin të përfundojë deri në fund, pasi 10 sekonda para përfundimit, gjirokastritët që shfaqën shenja lodhjeje, nuk pranuan më të luanin, me gjithë thirrjet e arbitrit kapitenit të tyre (Gazeta “Tomorri”, e shtunë 27 prill 1940).

Por, cila është historia që ka shkaktuar “urrejtje” në Vlorë kundër ekipit gjirokastrit? Ngjarjet kanë ndodhur në vitet e largëta, 1986 dhe 1987. Për herë të parë Luftëtari i Gjirokastrës i hiqte titullin Flamurtarit, në qershor të vitit 1986. Luhej java e fundit e kampionatit kombëtar të futbollit. Flamurtari luante në Tiranë me 17 Nëntorin, duke qenë në vendin e parë, 1 pikë larg tij, dhe Dinamos që luante në Gjirokastër. Në atë kohë, të gjithë besonin se titulli do të diskutohej mes Flamurtarit dhe 17 Nëntorit, ku vlonjatët, për shkak të formës së mirë që gëzonin, mendoheshin si më favoritë. Ndeshja në Tiranë u zhvillua mes emocionesh të mëdha, emocione që arritën kulmin kur arbitri i ndeshjes do të anulonte një gol të vlonjatëve, pikërisht në mbyllje të takimit. Atë orë që luhej ndeshja e Tiranës, në Gjirokastër, Dinamo do të fitonte lehtësisht me Luftëtarin me rezultatin 3-0. Dinamo e Flamurtari do ta mbyllnin me pikë të barabarta kampionatin, nga 38, të barabarta kishin edhe fitoret, edhe barazimet e humbjet, por u ndryshonte vetëm golavarazhi, të cilin Dinamo e kishte më të mirë, 49-20, me 42-20 që e kishin vlonjatët.

Kurrë më parë Flamurtari, nuk kishte qenë aq pranë titullit kampion, aq i pjekur teknikisht e taktikisht. Në fazën e dytë kishte humbur vetëm 1 ndeshje, barazoi 3 dhe i fitoi të gjitha të tjerat. Atë ditë, një qytet i tërë priste titullin kampion. Një Shqipëri e tërë ishte e vetëdijshme për Flamurtarin e madh të atij viti, të atyre viteve. Ishim aq pranë titullit kampion, por në Gjirokastër ishte toleruar. Atë ditë në Vlorë, do të kishte shumë habi, çudi dhe njëkohësisht zemërim e urrejtje për ekipin e Luftëtarit, që për vlonjatët ishin fajtorë për humbjen e titullit kampion. Shumë vite më vonë u deklarua nga trajneri i Dinamos i atij viti, Faruk Sejdini, se gjirokastritët kishin toleruar për një bluzë sporti. Ndodhte edhe kështu atëherë në ndeshjet e futbollit në Shqipëri, ku tolerohej për një bluzë sporti, për një orë dore, apo pajisje shtëpiake, e deri për të marrë shkollën e Mjeshtërisë Sportive në Tiranë.

Historia përsëritet edhe në vitin 1987.
Edhe në vitin 1987, Flamurtari, ashtu si edhe një vit më parë, kishte dalë nënkampion. E kishte humbur kampionatin në tre javët e fundit. Dhe e humbet përsëri në Gjirokastër, ashtu si edhe një vit më parë, kur Luftëtari i hapi portën Dinamos në Gjirokastër, e Flamurtari do të barazonte pa gola në Tiranë me 17 Nëntorin. Flamurtari në fazën e parë të këtij kampionati do të ishte kampion i fazës së parë, duke qenë deri në atë moment skuadra që kishte shënuar më shumë gola, e kishte pësuar më pak. Vetëm 1 humbje me Labinotin e Elbasanit, ndoshta sepse mendonte më shumë për takimin e pritshëm me Barcelonën, dhe dy barazime, me Skënderbeun e Besën, të dyja jashtë fushës së Vlorës.

Ja si u zhvilluan tre javët e fundit kampionatit
Java e 24-ët
Luftëtari-Flamurtari 2-2
Shënues: Kalluci ‘50, ’87/ Bubeqi 4’ (p), Ferko 53’. 
Ndeshja ka qenë shumë e tensionuar dhe me ndërprerje të shpeshta të lojës, tensione që kanë vazhduar edhe në përfundim të takimit. Vlonjatët kishin inatin e një viti më parë, dhe ishte përsëri pranë titullit kampion, ndërsa Luftëtari luante në mesin e renditjes.

Partizani-Dinamo 1-0
Renditja
Partizani 34 pikë
Flamurtari 31 pikë
Java e 25-të 
Flamurtar-Lokomotiva2-0
Shënues: Vasil Ruci 24’, 28’
Partizani-17 Nëntori 0-0
Renditja
Partizani 35 pikë
Flamurtari 33 pikë
Java e 26-të (e fundit)
Luftëtari-Partizani 1-1
Shënues: Seiti 70’, Kaçaçi 15’
Tomori-Flamurtari 2-1
Shënues: Arbëri 9’, 50’/ Çipi 63’ (p)

Renditja
Partizani 36 pikë
Flamurtari 33 pikë
Por edhe Kupa e Republikës kishte rezultuar shumë dramatike për Flamurtarin, i cili në gjysmëfinale eliminoi Luftëtarin me dy barazime: 1-1 në Gjirokastër dhe 0-0 në Vlorë. Në finale do të vendoset përballë Vllaznisë.
Sigal