Urani Kondi Çeliku, “dallëndyshja” e volejbollit vlonjat

Nga Bedri Alimehmeti

Dossier/ Ja si kujtohen pesëdhjetë vite më parë, kur vajzat e Flamurtarit shpalleshin kampione të Shqipërisë

Dinastia “Çeliku”, jo vetëm në volejboll
Në rrugën “Ali Pashë Gucia” janë disa dinasti sportive. Si; Kasmi, Mata, Tafaj etj, mes tyre spikat dhe dinastia Çeliku. 

Së pari, me Agimin atlet i garave të thellësisë e më pas futbollist me Tiranën e Pogradecin. Pas kësaj deri në vitet ’90-të Agim Çeliku ka qen anëtar i kryesisë së klubit 17 nëntori. Bashkëshortja e tij, Urania, në vitet 60-te ka qenë nga volejbollistet e shquara të vendit. Në rolin e shuteres, ajo renditej pas të paharruarës Fahrije Hoti. I vëllai Agimit, Zeneli dhe dy djemtë e tij, Besmiri e Albi, kanë luajtur futboll me Tiranën. Madje Besmiri edhe me kombëtaren U-21. Urani Kondi vajzë e një familje të nderuar e të respektuar qytetare vlonjate ende e vogël në moshë falë shtat- lartësisë u vu në fokusin e specialistëve të Sportit, të cilët menjëherë e provuan në disa lloje sporti. Por, ishte syri i mprehtë i trajnerit Vllasi Opingari, që pikasi tek ajo të dhënat e para të një volejbollisteje me të ardhme. Dhe vërtet Urania ishte vetem 14 vjeç kur u afrua pranë ekipit të të rriturave, kurse pas një viti u rreshtua në gjashtëshen e parë. Ndërkohë nga dita në ditë falë kujdesit të trajnerit Opingari, por dhe pasionit e përkushtimit vetjak, Urania i ngjiti shpejt shkallët e mjeshtërisë. Bashkë me të edhe Flamurtari u bë një ndër skuadrat e forta të vendit. Dhe s'kish si të ndodhte ndryshe e aq më tepër ngaqë kishte në përbërje një shutere të fuqishme me zhytjet në pozicionin diagonal si Urani Kondi. Ndërkohë falë këtij ekipi simpatik, që kishte nisur të rivalizonte me sukses, 17 Nëntorin e Fahrije Hotit parku sportiv “Eftimi Bako” i lojërave me dorë të asaj kohe, mbipopullohej nga sportdashësit e shumtë, që e mbështetnin pafund ekipin e volejbollit të vajzave të profesor Vllas Opingarit.

Suksesi te Flamurtari dhe kalimi me 17 Nëntorin
Dhe pas kësaj, sukseset e Flamurtarit në volejbollin e femrave nuk do të vonojnë, ndërkohë niveli cilësor në lojën e Uranisë njeh gjithnjë rritje, madje si shutere për nga forca goditëse radhitej ndër më të mirat, pas Fahrije Hotit. Në sezonin sportiv 1965-1966 vajzat e profesor Opingarit triumfuan mbi të gjitha rivalet, dhe në fund me meritë të plotë u shpallën Kampione të Shqipërisë. Mbahet mend ende ajo natë, ku e gjithë Vlora e festoi gjatë. Pas këtij suksesi, Urania shkoi në Tiranë për të vazhduar studimet e larta. Ndërkohë në sezonin e ri 1966-1967 kampione në volejbollin e femrave u shpall ‘17 Nëntori’, i cili po atë vit mori pjesë për herë të parë në kompeticionin evropian të Kupës së Kampioneve. Me që ishte pjesëmarrja e parë ‘17 Nëntorit’ që drejtohej nga trajneri Harun Dojaka u përforcua edhe me volejbollistet më të mira të vendit. Kështu Fahrije Hotit, Vera Selimit, Raimonda Beqos etj, iu bashkuan dhe Urani Kondi, Valentina Foto e Sasha Azemi, që luanin me Studenti, Lumnije Pelinku me Vllazninë dhe Engjëllushe Qato me Tomorin. Një skuadër vërtet e fuqishme, ç'ka e dëshmoi që në turin e parë duke eliminuar kampionen e Turqisë Fenerbahcen 3-0 dhe 3-2. Të gjithë bashkëkohësit e mbajnë mend takimin me turkeshat dhe sigurisht kapitenen elegante Aishe Koç dhe sidomos lojën e bukur të Fahrije Hotit, Urani Kondit, Lumnie Pelinkut me shoqe. Në turin tjetër ‘17 Nëntori’ nuk arriti t'u bëjë ballë një ekipi të fortë si Dinamo e Bukureshtit.

Edhe mësuese, edhe “shutere” e dalluar
Me ekipin e Studentit, që drejtohej nga trajneri Ilia Kaçka, loja e Uranisë u ngjit në një stad tjetër cilësor, ku nuk munguan edhe sukseset në rang kombëtar duke u shpall Kampion në vitin 1969. Pas kësaj, falë lidhjes martesore me Agim Çelikun, ajo me përfundimin e studimeve kalon në radhët e ‘17 Nëntorit’, ku bashkë me Fahrie Hotin e ngrenë edhe më lart nivelin e lojës së ekipit. Me ndërprerjen e aktivitetit sportiv, i përkushtohet me pasion mësuesisë. Fillimisht në gjimnazin “50 vjetori”, dhe deri sa doli në pension në shkollën pedagogjike “17 Nëntori”.

TE VEÇANTA

DËSHIRA
E ka pasur të madhe, që njëra nga vajzat të ndiqte rrugën e saj të sportit. Por, Aurora e Sonila tashmë nëna me fëmijë, studiuan në fusha të tjera. Megjithatë, Urania u gëzohet shumë nipave e mbesës.

PENGU
Uranisë i është fiksuar fakti që volejbolli i femrave në Vlorë nuk është ngjitur më në podiumin e kampiones, ashtu siç bëri ajo me Altrimen, Sofikën, Engjëllushen etj. Dikur, gjysmë shekulli më parë.

Skeda
Emri e mbiemri: Urani Kondi Çeliku
Datëlindja: 1 gusht 1944/ Vendlindja: Vlorë
Arsimimi: ILKF “Vojo Kushi”, dega mësuesi
Ekipet ku është aktivizuar: Flamurtari 1959-1967, Studenti 1967-1970, 17 Nëntori 1970-1973
Trofe: Kampion me Flamurtarin 1966, me Studentin 1969
Tituj që mban: “Mjeshtre e Sportit”, “ Medalje e Artë”; në arsim Medalje “Naim Frashëri”