Ura e padukshme, por e përjetshme midis sportit dhe artit

807
Nga Bedri ALIMEHMETI
Dossier / Ekzistenca e një lidhjeje që mban pranë njëri tjetrit dy elementë të rëndësishëm të jetës sonë
Nga sporti në art, sa suksese kampionësh
Në përditshmërinë tonë, cilido nga ne fare lehtë konstaton se, jo vetëm ndeshjet e futbollit, aq shumë të dëshiruara e po aq të ndjekura, si drejt për së drejt në shkallët e stadiumeve, ashtu dhe nëpërmjet radios e aparateve marrës televiziv, por edhe një garë vrapimi, kërcimi apo hedhje, një ndeshje boksi, mundje, karateje, basketbolli, volejbolli, një garë noti, një maç në shah, garat me makina, me motorë, demonstrimi në vegla të ndryshme gjimnastikore etj, e kanë në brendësi dramaticitetin, magjinë, emocionet, forcën e bukurinë interpretative, ashtu sikurse po këto elementë i kanë pjesë të përhershme e të pandashme të tyre; shfaqja e një drame, një opere, një baleti, një filmi, një koncerti, një varieteje apo e një spektakli televiziv. Çka do të thotë se e përbashkëta e tyre është arti. Dhe është pikërisht ekzistenca e tij, ajo që ka mundësuar krijimin e një ure të padukshme, tashmë të përjetshme mes tyre. Me çka thamë, bind më së shumti fakti që artistë të njohur, shkrimtarë, piktorë, këngëtarë me famë, arritjet e sukseset e tyre të para i kanë pasur në fushën e sportit, sikurse plot sportistë, madje kampionë e rekordmenë botërorë, kanë arritur suksese në fusha të ndryshme të artit pasi kanë ndërprerë karrierën sportive. Ka ndodhur kështu, sidomos në kinematografi dhe jo vetëm në fillimet e tyre por, edhe pas ndërprerjes së veprimtarisë sportive, çka dëshmon më së miri për prezencën e një ure të padukshme midis sportit dhe artit, që tashmë i ka lidhur përjetësisht me njëri tjetrin.

Notari Myler, ishte Tarzani i filmit
Që në kohët e lashta, piktorët e skulptorët e antikitetit përjetësuan nëpër veprat e tyre kampionët e olimpiadave të lashtësisë. Njihen nga të gjithë veprat skulpturore “Vrapuesi”, “Hedhësi i diskut” etj. Madje në vendin tonë, është i njohur mozaiku “Vrapuesja ilire”, zbuluar para disa vitesh nga gërmimet e kryera në Durrës. Por, duke u qasur në kohë, konstatojmë se ekzistenca e kësaj “ure” është shumë më evidente në shekujt modernë. Kështu, në dekadat e para të shekullit XX ku ish-kampioni olimpik në garën e notit 100 m stil i lirë Xhoni Vejs Myler, realizoi në kinematografi figurën e famshme të Tarzanit, në filmin me të njëjtin emër. Për të vazhduar më pas me aktorin francez Zhan Pol Belmondo, që në fillimet e tij u mor me boks e më vonë u bë portier i “Rejmsit” të Parisit (skuadër e famshme në vitet 50-60, që tashmë nuk ekziston) e deri kandidat për në ekipin kombëtar të Francës. Madje, falë këtij pasioni e dashurie për sportin Belmondo edhe sot ndonëse në moshë të thyer gëzon fizik të përsosur, plot energji dhe deri vonë shumë nga skenat e filmave ku heroi i tij duhej të hidhej nga kali, makina apo lartësi të ndryshme, kacavjerrje nëpër helikopterë etj, siç e kemi parë nëpër filmat “Kartushi”, “Trashëgimtari”, “Zhoze Profesionisti”, etj, i ka realizuar live, pa përdorur asnjë lloj truku. Këngëtarin e madh spanjoll Hulio Iglezias, ndoshta bota do ta mbante mend vetëm si një futbollist i galaktikëve të “Realit” të Madridit në rolin e gardianit të portës, po të mos i qe bërë shkak sëmundja, e cila e detyroi të braktisë sportin dhe t’i përkushtohet këngës, që e ka përjetësuar tashmë mes yjeve të botës.
Boksieri Muhamed Ali, edhe poet e artist filmi
Kasius Klei, amerikani i njohur me emrin Muhamed Ali, kampioni më i madh i botës në boks, ai që në të gjithë duelet e tij në ring ndaj rivalëve si Liston, Norton, Frezer, Foreman etj, na ka dhuruar gjithnjë spektakle të paparë, pa thënë që në çdo përballje të tij na ngërthenin emocionet e një drame të vërtetë, të cilën në mënyrë të përkryer dinte ta interpretonte vetëm ai, me të mbyllur karrierën sportive shkroi një vëllim me poezi dhe interpretoi me sukses në një film serial, e më pas në një film biografik. Po kështu, boksieri italian Nino Benvenuti, kampion bote, pas zbritjes nga ringu luajti në shumë filma, sikurse edhe sfidanti i tij argjentinasi Karlos Monzon, kampion bote në peshën e mesme.
Lineker, një romancier tërheqës
Futbollisti i kombëtares angleze Geri Lineker, golashënuesi i shquar i Botërorit Spanjë 1982, ka vite që është bërë shumë i njohur me romanet e tij tepër tërheqës, madje ai me titull “Faji është i qendërsulmuesit”, fitoi çmimin si vepra më e mirë letrare kushtuar sportit në Spanjë më 1987, në kohën kur Lineker luante me “Barcelonën” dhe Kombëtaren e Anglisë.
“Herkuli” i fuqishëm i Stiv Riv
Falë dëshirës e pasionit për t’u marrë me sport, artisti i njohur Stiv Rivs, fitoi atë fizik të përkryer, në saj të të cilit përjetësoi në celuloid figurat mitologjike të lashtësisë: Herkulin e Maratonomakun. Ka ndodhur edhe me Silvester Stalonen, që krijoi në film Rambon dhe të famshmin Roki 1,2,3,4,5, sikurse Shvarceneger me heronjtë e tij në filmat Komando dhe Terminator 1, 2, 3.
1
Skiatori i famshëm austriak Toni Zajler kampion botëror e olimpik spikati edhe në disa filma artistik si “12 vajza dhe një djalë” dhe “Blini një balon me ngjyra”, shfaqur edhe në vendin tonë.
2
Patinatorja gjermane Katerina Vit, kampione olimpike dhe botërore për disa vite me radhë ndërpreu aktivitetin sportiv për t’iu përkushtuar kinematografisë, ku deri tani ka realizuar shumë filma.
3
Kurrsesi nuk duhet harruar rasti i boksierit hungarez Lazlo Pap, kampion bote dhe olimpik në “Melburn-1956”, i cili në filmin “Dorezat e rënda” kushtuar jetës së tij sportive interpretoi vetveten.
Heminguej dhe London, më parë boksierë e notarë
Shkrimtari i shquar amerikan Ernest Heminguej, autori i romaneve të famshëm: “Lamtumirë armë”, “Plaku dhe deti”, “Të kesh e të mos kesh”, “Dhe lind dielli” etj, në rininë e tij ushtroi shumë sporte si boksin, notin dhe bejsbollin. Po kështu pati ndodhur që në shekullin XIX me shkrimtarin tjetër amerikan të famshmin Xhek London autorin e romaneve: “Martin Iden”, “Kushtrimi i të parëve”, ” Dhëmbi i bardhë”, “Bisha e tërbuar”, “Meksikanasi” etj., i cili qe dalluar në boks. Radiokronisti e gazetari i famshëm italian Sandro Çoti, autor i librit “40 vite fjalë” fillimisht është dalluar si futbollist e më pas nisi karrierën e gazetarit sportiv, Ndërkohë që derisa qe gjallë ne çdo festival të Sanremos do të ishte një këngë me tekstin e tij poetik si p.sh. “24 mille baci” kënduar nga Adriano Çelentano. Po kështu, futbollisti i njohur i Bajernit të Mynihut dhe kombëtares gjermane kampion bote 1974, Pol Brajtner, pas largimit nga fusha e blertë iu përkushtua gazetarisë sportive.

Vijon nesër


Sigal