Universiteti i Sporteve, mësimdhënie me staf akademik bashkëkohor

1488
Nga Agron KAJA

INTERVISTA/ Flet për “Telegraf” Rektori i institucionit më të rëndësishëm sportiv në Shqipëri, nga karriera e shkurtër si atlet, tek aktiviteti i gjatë akademik
Një ish-atlet, sot Rektor i Universitetit të Sporteve në Tiranë, si ndjehet Agron Cuka në këtë pozicion?
Natyrisht që ndjehem i vlerësuar dhe i respektuar nga mbështetja që më ka dhënë trupa pedagogjike dhe studentët. Më duhet të kujtoj se unë në këtë pozicion kam kandiduar edhe në vitin 2008, por votat për mua u vodhën nga drejtuesit e atëhershëm të këtij institucioni. Gjithsesi, sot jam këtu i mbështetur nga një staf akademik i kualifikuar në standarde të kohës.

Duke u ndalur pak te karriera juaj sportive, cili ishte Agroni atlet?
Në fakt, unë kam pasur një karrierë të shkurtër si atlet, sepse dëmtimet e shumta nuk më dhanë mundësi për një kohë më të gjatë. Në familjen time, sporti ka qenë aspekt i vlerësuar dhe prindërit i kisha shumë dashamirës të sportit. Por, njeriu im i afërt Ylljet Aliçka më ofroi në ekipin e atletikës te 17 Nëntori, ku ai kishte vite që stërvitej në garat e kërcimit së gjati dhe tre hapësh. Më pas, në moshën 14 vjeçare u inkuadrova në ekipin e të rinjve të 17 nëntorit, me trajner Sabaudin Ramkun.

E mbani mend garën tuaj të parë zyrtare në atletikë?
Ka qenë viti 1969 në Kampionatin Kombëtar të të Rinjve në Elbasan. Mbaj mend që kam ndjerë shumë emocion, më dukej si diçka e “magjishme”që hyra në pistë dhe kjo gjendje emocionale bëri që të mos e arrija rezultatin 5.80 m në kërcimin së gjati, por 20 cm më poshtë. Sot mendoj se ka qenë mosha ajo që më gjeti disi në këto emocione, të cilat gjithsesi, më shoqëruan fuqishëm gjatë gjithë karrierës.

Po rezultatin tuaj më të mirë, në cilën garë e keni arritur?
Duke qenë se unë shkova në Kinë me studime, aty u përgatita më mirë dhe arrita Kategorinë e Parë në garat e kërcimit së gjati dhe tre hapësh. Por, ajo që mua më bën pak nostalgjik në karrierën time, është fakti se gjatë gjithë kohës kam pasur dëmtime të shumta, për shkak të ngarkesave stërvitore që merrja, si në Kinë, ashtu edhe këtu në Shqipëri.

Natyrisht që çdo sportist e ka edhe një trajner të parë në elitë. Pas Sabaudin Ramkut në start, me cilët trajnerë jeni stërvitur?
Bazat e stërvitshmërisë unë i kisha nga trajneri Sabaudin Ramku, për të cilin ruaj respekt të veçantë, si një njeri shumë punëtor, i urtë dhe i sjellshëm me atletët. Por, në këtë ecuri unë do të kujtoj përsëri me respekt edhe atletët e mëdhenj të asaj kohe, si Koço Mulla, Arben Papuli e Maks Laho, të cilët me atmosferën që krijonin, kanë vlera të veçanta në karrierën time.

Nga Tirana në Pekin, si ka qenë ecuria e karrierës suaj sportive?
Nga Tirana në Pekin, dhe anasjelltas, për mua ka qenë një karrierë sa e shkurtër, aq e gjatë dhe e bukur. Them kështu sepse unë pata karrierë të shkurtër, për arsye dëmtimesh, por ajo mbetet e bukur sepse aty, veç formimit si sportist, unë mësova kulturën sportive, te 17 Nëntori mësova shumë gjëra të cilat më kanë shërbyer gjatë karrierës pas lënies së sportit.

Largimi juaj si sportist, me sa duket erdhi për arsye dëmtimesh se sa moshe?
Eh, më duhet ta përmend edhe një herë, se largimi im ishte i kushtëzuar nga dëmtimet e shumta që pësova. Madje që kur isha me studime në Kinë, duke parë rritjen e nivelit tim në gara, trajneri kinez i rriste periodikisht ngarkesat fizike, pa marrë parasysh mundësitë e mia fizike. Këto sollën dëmtimet e mëtejshme, të cilat u bënë shkak që në vitin 1981 unë ta lija aktivitetin tim sportiv në një mosha fare të re, 26 vjeç.

Dhe nga ky vit e deri në 2015-ën, cili ka qenë aktiviteti juaj, pranë apo larg sportit?
Asnjëherë pa sport, madje edhe sot unë nuk e konceptoj veten time larg sporteve, natyrisht me atletikën në qendër. i edukimit fizik; Menjëherë, sapo u ndava nga pista si atlet, unë fillova si trajner i disiplinave të kërcimit te ekipet e moshave te 17 Nëntori (sot Tirana), kam punuar si mësues i edukimit fizik në shkollën “20 vjetori i çlirimit”në Tirana (sot Dora D’Istria). Nga viti 1982 kam qenë edhe pedagog në ILKF “Vojo Kushi”(Sot UST).

Dhe në vitin 2016 jeni zgjedhur si Rektor i këtij institucioni, si erdhët deri këtu?
Ngjitja e shkallëve në karrierën time akademike nuk është rastësore, apo për faktorë të tjerë. Unë sot jam Rektor i UST-së, detyrë që e quaj edhe si një respekt e shpërblim i gjithë karrierës sime sportive dhe akademike. Por, e quaj edhe një obligim për atë që duhet të bëjmë në përgatitjen e specialistëve të rinj në fushën e edukimit fizik dhe sporteve.

Cila është gjendja e UST-së pasi ju e keni marrë këtë detyrë një vit më parë?
Më duhet tu qartësoj se, unë në këtë detyrë kam qenë që në fillimin e viti 2015 si i komanduar, e më pas u zgjodha sipas procedurave ligjore. Po ju them se ajo çka më dukej më evidente, ishte problemi i marrëdhënieve ndërmjet kolegëve e studentëve, të cilat për mua e shumë të tjerë këtu, ishin të dëmtuara. Gjithsesi, stafi akademik ishte i angazhuar në realizimin e detyrave, dhe këtë situatë jemi munduar së bashku ta kapërcejmë. Sot, secili ndjehet i qetë në pozicionin e tij, çka e bën edhe më cilësorë mësimdhënien e mësimmarrjen në UST.

Po ndonjë ndryshim në drejtim të infrastrukturës dhe cilësisë së mësimdhënies, a keni në këto dy vite në krye të UST-së?
Ndryshime ka, dhe ato kanë ardhur gradualisht. Më evident është përfundimi i përmirësimit të nfrastrukturës në Universitet. U krye rikonstruksioni i plotë i ish-konvktit, i cili është kthyer në auditorë, në laboratorë e në zyra për administratën dhe pedagogët. Në projekt afatshkurtë kemi rregullimin e stadiumit, me mbështetjen edhe të Ministrisë së Kulturës e Sporteve, e cila është e angazhuar që ky projekt të realizohet në kohë dhe me cilësi.

Po për ambientet e tjera, do të ketë përmirësime?
Natyrisht që po. Pasi të përfundojmë zmadhimin e palestrës së gjimnastikës, menjëherë do të fillojë ndërtimi i një pishine të mbuluar me përmasa 25 m. Të gjitha këto, jo vetëm që janë projekte që e risin nivelin e mësimdhënies në UST, por bëhen edhe një infrastrukturë cilësore për veprimtari të ndryshme.

Duke qenë UST-ja institucioni arsimor sportiv më i rëndësishëm në Shqipëri, si është e organizuar këtu mësimdhënia?
Aktualisht, kemi dy fakultete: FSHL-ja (Fakulteti i Shkencave të Lëvizjes) dhe FVFR-ja (Fakulteti i Veprimeve Fizike dhe Rekreacionit), njëherësh edhe Instituti i Shkencës së Mësimdhënies në të dy fakultet. Me bindje e respekt e them se, mësimdhënia zhvillohet nga të gjithë pedagogët me cilësi të mirë, por edhe auditorët kanë ndihmuar shumë në këtë proces, pasi janë të pajisur me mjete didaktike bashkëkohore.

Si është niveli i stafit akademik në këtë institucion?
Në pozicionin e rektorit, por edhe si koleg, unë ruaj respekt për të gjithë stafin akademik në UST, për gjithçka që ata japin në kuadër të mësimdhënies e më gjerë. Gjatë kësaj periudhe që unë drejtoj këtë institucion të rëndësishëm arsimor, ka pasur përpjekje për rritjen e kualifikimin e stafit akademik, si për marrje titujsh shkencorë, ashtu edhe për doktoraturat.

Ka sportistë elitarë që studiojnë aktualisht në UST?
Po, ka shumë, nga të cilët ka edhe nga ata që trajtohen me programe individuale nga ana jonë. Për të gjithë këta, por edhe për të tjerët, unë e them se respekt se ja kanë rritur vlerat institucionit tonë.

Vite më parë kur funksiononte si ILKF “Vojo Kushi”ka pasur edhe ekipe në sporte të ndryshme, sot vazhdojnë të ekzistojnë këtë skuadra?
Fatkeqësisht jo, sepse sot nuk është mundësia për të mbajtur ekipe ne si institucion, pasi ka kosto shumë të papërballueshme për ne. Por, UST-ja organizon dhe merr pjesë në Universiada brenda dhe jashtë Shqipërisë. Pjesëmarrja e fundit ishte në Universiadën e Edrenesë në Turqi, ku në basketboll u renditëm në vendim e parë.

Këtu në UST, vit pas viti kandidojnë shumë nxënës nga shkollat e mesme, por pranohen pak prej tyre. Pse ndodh kështu?
Në fakt, pranimet bëhen në raport me kapacitetet që ka UST-ja, por ne kemi bërë rritje në këto vitet e fundit. Si rezultat i përmirësimit të kapaciteteve pritëse, e rritëm numrin e pranimeve në 150 studentë për çdo fakultet. Kështu do të vazhdohet periodikisht, duke pasur parasysh njëherësh edhe rritjen cilësore të mësimdhënies.

Ndërkohë që ju jeni në periudhën përgatitore të testeve për pritjen e kunkurrentëve të rinj, në cilat specialitet do të pranoni për vitin e ardhshëm akademik?
E veçantë për këtë vit është një forma shumë e përparuar për ne, pasi në Bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit e Sporteve, kemi dërguar pedagogët tanë në çdo drejtori Arsimore në rrethe, për ti informuar për UST-në. Asnjëherë nuk është ndjekur kjo formë, e cila i afron më shumë kandidatët me atë çka ata duhet të bëjnë për tu pranuar si studentë në UST.

Jashtë angazhimit si Rektor në UST, cilat janë hapësirat e aktivitet tuaj?
Nuk e shikoj aktivitetin tim jashtë UST-së të palidhur me të. Natyrisht që është familja bazë e gjithë kësaj hapësire kohe, njëherësh edhe ndjekja e sporteve dhe përgatitja individuale.
Ajo çka më dukej më evidente në fillimin e punës sime si Rektor, ishte problemi i marrëdhënieve ndërmjet kolegëve e studentëve, të cilat për mua e shumë të tjerë këtu, ishin të dëmtuara. Gjithsesi, stafi akademik ishte i angazhuar për mësimdhënie cilësore
Si rezultat i përmirësimit të kapaciteteve pritëse, e rritëm numrin e pranimeve në 150 studentë për çdo fakultet. Kështu do të vazhdohet periodikisht, duke pasur parasysh njëherësh kërkesat e vazhdueshme të rritje, si edhe edhe rritjen cilësore të mësimdhënies

Agron Cuka
Datëlindja: 9 dhjetor 1955
Vendlindja: Tiranë
Sporti që ka ushtruar: Atletikë
Garat: Kërcim së gjati dhe Tre hapësh
Skuadra që ka garuar: 17 Nëntori (sot Tirana) në periudhën 1978-1982
Arsimimi: Shkolla e Mesme “Sami Frashëri”, Tiranë në periudhën 1970-1974, Instituti i Edukimit Fizik Fizik në Kinë, në periudhën 1974-1978
Pas lënies së sportit: Mësues i edukimit fizik; Trajner me moshat tek Tirana; Pedagog në ILKF (Sot UST); Aktualisht Rektor i Universitetit të Sporteve Tiranë
Aktiviteti Akademik: Në vitin 1995 Doktor i Shkencave, në vitin 2004 Prof. Asoc. Dr., në shkurt 2016, Profesor
Hobi: Të gjitha sportet
Së shpejti, një pishinë e mbuluar dhe një palestër
“Aktualisht ne kemi dy fakultete: FSHL-ja (Fakulteti i Shkencave të Lëvizjes) dhe FVFR-ja (Fakulteti i Veprimeve Fizike dhe Rekreacionit), njëherësh edhe Instituti i Shkencës së Mësimdhënies në të dy fakultet. Me bindje e respekt e them se, mësimdhënia zhvillohet nga të gjithë pedagogët me cilësi të mirë, por edhe auditorët kanë ndihmuar shumë në këtë proces, pasi janë të pajisur me mjete didaktike bashkëkohore. Ndërkohë që në infrastrukturë, ndryshime ka, dhe ato kanë ardhur gradualisht. Më evident është përfundimi i përmirësimit të infrastrukturës në Universitet, ku është kryer rikonstruksioni i plotë i ish-konviktit, i cili është kthyer në auditorë, në laboratorë e në zyrat për administratën dhe pedagogët. Në projekt afatshkurtër kemi rregullimin e stadiumit, me mbështetjen edhe të Ministrisë së Kulturës e Sporteve, e cila është e angazhuar që ky projekt të realizohet në kohë dhe me cilësi. Pasi të përfundojmë zmadhimin e palestrës së gjimnastikës, menjëherë do të fillojë ndërtimi i një pishine të mbuluar me përmasa 25 m. Të gjitha këto, jo vetëm që janë projekte që e risin nivelin e mësimdhënies në UST, por bëhen edhe një infrastrukturë cilësore për veprimtari të ndryshme”.
Rritet me 150 numri i pranimeve
Pranimet në UST bëhen në raport me kapacitetet që ka institucioni ynë, por ne kemi bërë rritje në këto vitet e fundit, ku si rezultat i përmirësimit të kapaciteteve pritëse, e rritëm numrin e pranimeve në 150 studentë për çdo fakultet. Kështu do të vazhdohet periodikisht, duke pasur parasysh njëherësh edhe rritjen cilësore të mësimdhënies nga stafi ynë akademik.

Dokumentet që plotësojnë kandidatët për tu pranuar në UST
Fotokopje e dokumentit të identifikimit (pasaportë biometrike ose letërnjoftim – kartë identiteti)
Foto dokumenti 4×6 copë 2(dy)
Formulari i kartelës mjekësore i plotësuar me firmë dhe vulë tek mjekët përkatës. Komisioni Mjeko-ligjor me tre firma dhe vula (bashkëngjitur këtij formulari edhe EKG e zemrës).
Mandat pagesa e paguar në çdo bankë të nivelit të dytë.
(Këto janë dokumentet e vitit akademik në vazhdim)
Sigal