Uniforma “greke” e kombëtares kuqezi

572
Sigal

Pas fitores së fatit të mirë me Qipron në fund, por edhe meritës së Çanit e Bogdanit në rastin e dy golave të tyre, askush nuk foli më për futboll….ndaj Zvicrës. Duke e parapërgatitur këtë betejë të vështirë dhe delikate për ecurinë tonë në këto kualifikuese në mënyrën më të gabuar. Nuk po flas këtu për trajnerin De Biazi, që ashtu si paraardhësit e tij të huaj tregohet i sinqertë dhe i vërtetë vetëm kur flet për mediat e huaja, ku 24 orë para sfidës në Lucernë zbuloi edhe objektivin me kuqezinjtë: të kapim vendin e katërt në grup! Që nga kreu i federatës e deri te gazetari më i thjeshtë, që kishte mundësinë të shkruante diçka, folën vetëm për tradhti, patriotizëm, shqiptarë e antishqiptarë, ndasi dhe jobashkim, a thua do të përcaktonim ndonjë kufi shtetëror-politik e jo po luanim një 90-minutësh futboll. Ky shpërqendrim, i cili u rrezatua dukshëm nga lojtarët në fushën e lojës, tregoi sërish sa amatorë e joprofesionistë jemi në trajtimin si duhet të situatave të veçanta, por edhe të një ndeshjeje futbolli në tërësi. Nuk ngurrojmë aspak të mallkojmë dhe anatemojmë vëllezër e miq, shokë e kundërshtarë, ashtu siç bëmë me Behramin, Shaqirin, Xhakën etj…, por të themi dy fjalë për gafat e mbrojtjes sonë që në ndeshjen me Qipron, prej nga e pësuam edhe në Lucernë, e kishim të pamundur. E keqja jonë nuk është ajo pesëshe e Zvicrës, por kalon nëpër çudira nga më të pamendueshmet për të siguruar profesionalizëm e cilësi, sipas mundësive tona, në futboll. Një nga absurditetet e kësaj ndeshjeje me Zvicrën ishte edhe uniforma që mbante veshur Lorik Cana me shokë, teksa tatuazhi i Iliridës në shpatull bënte kontrast të jashtëzakonshëm me fanellën “fotokopje” të kombëtares së Greqisë. Uniforma jonë e dytë ishte e bardhë, e përshkuar me vija blu? Një “shpikje” absurde në dizenjim i firmës prodhuese, padija e njerëzve që rrethojnë kombëtaren, apo servilizëm partiak me kombëtaren karshi atyre që qeverisin sot vendin, si për t’u thënë se ja, edhe futbolli është juaji? Cila nga këto shkaqe mund të kenë çuar në këtë gafë të kombëtares në ndeshjen ndaj Zvicrës, e cila ua kalon edhe dy gafave të mbrojtjes sonë në momentet e golave të helvetëve? Ta shohësh kombëtaren të veshur bardhë e blu, me një dizenjim identik të uniformës së kombëtares greke, duket sikur nuk je në një situatë festive të 100-vjetorit të Pavarësisë. Një gjë e tillë binte më shumë në sy në atë luftën kombëtariste e nacionaliste, në kryqëzimin që po i bënim në kor Behramit, Xhakës, Shaqirit etj., të cilët edhe pse luanin me Zvicrën i ekspozonin me krenari shqiponjat si tatuazh, flamurin shqiptar në këpucët e sportit etj, ndërsa uniforma e kombëtares sonë ishte “fotokopje” e asaj të Greqisë. Të kuptohemi, ne nuk humbën nga uniforma, por simbolet janë simbole, ato duhen kuruar deri në detajin më të vogël!