Unal Karaman:“Kujdes nga Kukësi!”

529
Sigal

Drejtori sportiv i Trabzonsporit, Unal Karaman: “Janë surpriza e këtij viti në Ligën e Europës”

Drejtori sportiv i Trabzonsporit, Unal Karaman, paralajmëroi qartësisht skuadrën e tij, për të mos ta marrë aspak si një ballafaqim të lehtë sfidën me Kukësin në fazën “play-off” të Ligës së Europës. Duke folur për mediat turke, Karaman tregoi respekt për kundërshtarin surprizë nga Shqipëria. Kukësi eliminoi në tre turet e para, skuadra dukshëm me emër se ai në Europë: estonezët e Flora Talinit, boshnjakët e Sarajevos dhe ukrainasit e Metalurg Donteskut. “Edhe pse ne ende nuk mund ta vlerësojmë plotësisht Kukësin, duhet të themi se futbolli shqiptar është shumë i afërt me atë turk. Ne e dimë se, surprizat janë gjithmonë të mira. Megjithatë, nuk luan asnjë rol se kush është kundërshtari. Ne do të përgatitemi për këtë në mënyrën me serioze, pasi dëshirojmë me patjetër që të futemi në fazën e grupeve. Të jemi të ndershëm, duhet ta respektojmë kundërshtarin”, – tha Karamani për “NTVSpor”. Trabzonspori është në kërkim të një sulmuesi. “Ne dëshirojmë të kemi edhe një sulmues tjetër. Nuk dëshirojmë të bëjmë asnjë gabim, pasi do të ishte shumë e dhimbshme”. Takimi i parë midis Kukësit dhe Trabznosporit do të luhet, më 22 gusht në “Qemal Stafa”. Trabzonspori është ekipi i pestë turk që, do të përballet me skuadrat shqiptare. Më parë kanë luajtur edhe Gallatasaraji, Fenerbahçe, Beshikatashi dhe Kaiserspori. Për Trabzonsporin kjo është hera e dytë që, luan kundër një ekipi nga vendi ynë, pasi më parë Vllaznia e Shkodrës ka përjetuar një shkatërrim total në ndeshjen e parë të turit të dytë të Kupës Intertoto, duke pësuar humbje të thellë 6-0 (8 korrik 2007) nga turqit e Trabzonsporit, me nga tre gola në çdo pjesë loje. Në ndeshjen e kthimit në “Loro Boriçi”, Trabzonspori fitoi 4-0 (14 korrik 2007), por ndeshjet u mbuluan me një perde dyshimi shumë të fortë për një rezultat të trukuar. Shqipëria dhe Turqia janë ndeshur dhjetë herë në nivel klubesh. Bilanci është shumë trishtues, pasi në dhjetë takime kemi pësuar po aq humbje, duke shënuar vetëm dy gola kundër 30 të turqve. Pra në dhjetë ndeshje kemi: 0 fitore, 0 barazime dhe 10 humbje. Janë katër skuadrat tona, të cilat janë ndeshur me skuadrat turke. Tirana është  ndeshur në turin e dytë të Kupës UEFA (2006-2007) me Kaisersporin, pasi më parë kishin eliminuar kroatët e Varteksit të Varazhdinit. Në takimin e parë në “Selman Stërmasi” humbi 2-0, ndërsa në Kajseri humbi 3-1. Golin për Tiranën e shënoi Hamdi Salihi. Partizani ka pasur për kundërshtar Fenerbahçen, me të cilën u përballën në turin e parë të Kupës UEFA në sezonin 1995-1996. Dy ndeshje, dy humbje: 2-0 në Stamboll dhe 4-0 në Tiranë.

Dinamo luajti ndaj Beshiktashit të Stambollit, në sezonin 1986-1987 të Kupës së Kampioneve (sot Liga e Kampioneve). Në Tiranë humbën 1-0, ndërsa në ndeshjen e kthimit në Stmboll, 2-0.

  Çernomorets paralajmëron Skënderbeun, mund Dinamon e Kievit

 Çernomerets Odesa, skuadra kundërshtare e Skënderbeut në fazën “play-off” të Ligës së Europës, iu bëri një paralajmërim të fortë në distancë kampionëve të Shqipërisë. Ekipi ku miltojnë mbrojtësi Kristi Vangjeli dhe mesfushori Elis Balaj fitoi 2-1 në transfertën me një nga ekipet më të mira të Ukrainës, Dinamon e Kievit. Vangjeli luajti gjatë gjithë takimit, duke bërë një paraqitje të mirë dhe mbyllur disa kundësulme të shpejta të Dinamos së Kievit. Çernomerets kaloi në avantazh me Prijomov në minutën e 42-të, por Dinamo barazoi me Sidorçuk në të 54’. Golin e fitores e realizoi Samodin në minutën e 87-të pas një asisti të Fontanelos. Bakaj vazhdon të jetë i dëmtuar.

 Miqësore, Teuta mund Iraklisin

 Teuta fitoi 1-0 miqësoren me Iraklisin e Selanikut, në një ndeshje të zhvilluar në Bansko të Bullgarisë, atje ku durrsakët po kryejnë pjesën e dytë të fazës përgatitore. Golin e vetëm të ndeshjes e shënoi Bledar Mancaku në minutën e 59-të. Të shtunën, Laçi humbi 3-0 me Hellas Veronën e Italisë, test ky i zhvilluar në Austri.

 Etrit Berisha: “Kievo nuk bën për mua”

 Telenovela “Etrit Berisha” vazhdon. Portieri shqiptar i Kalmarit dhe Kombëtares sonë kishte firmosur një kontratë me Kievon, por më pas agjenti i tij Elver Raça nuk e quajti të vlefshme. Kontrata e Berishës me skuadrën suedeze skadon në muajin janar dhe lojtari është në pritje, për të njohur të ardhmen e tij. “Klubi (i Kievos) ishte në kontakte, por jo me mua. Tani nuk dëshiroj të shkoj atje. Nuk ishte një mundësi e mirë për mua, kështu që nuk kryer asnjë operacion. Kontakte me klube nga Seria A? Kam disa kontakte dhe i çmoj interesante për mua. Janë disa opsione të ndryshme, por nuk kam vendosur akoma. Do të vendos pas ditëve të grumbullimit me Kombëtaren (për ndeshjen me Armeninë, më 14 gusht). Mendoj se, është e drejtë që Kalmari të arkëtojë diçka me shitjen time. Edhe pse nuk ka mbetur shumë kohë (merkatoja në Itali mbyllet, më 2 shtator), do të ishte mirë për mua dhe Kalmarin, nëse do të përfundonte kështu”, citohet Berisha nga portali italian “Lazialita.com”. Etriti kërkohet nga Lacio në Itali dhe Monako në kampionatin francez.

Talenti kosovar luajti për disa minuta si zëvendësues i Robin van Persit

 Adnan Januzaj fiton Superkupën e Anglisë me Mançester Junaitid

 Talenti shqiptar, Adnan Januzaj, zhvilloi ndeshjen e parë zyrtare në Premier Ligë, duke u aktivizuar për disa minuta në fitoren 2-0 të Mançester Junaitid në transfertën kundër Uiganit, në finalen e Superkupës së Anglsë. Adnan Januzaj u fut në fushë në minutën e 84-t në vend të Robin Van Persi. Ishte pikërisht holandezi që shënoi të dy golat për kampionët në fuqi, me nga një gol në çdo pjesë loje: 6’ dhe 59’. Trajneri i ri i “Djajve të kuq” besoi te cilësitë e kosovarit, pasi ky i fundit bëri paraqitje të mira gjatë fazës përgatitore dhe ndeshjeve miqësore. Mesfushori 18-vjeçar vlerësohet shumë në Angli. Aktualisht, ai mban pasaportën belge. Shpejtësia e tij, kontrolli i topit, vizioni dhe aftësitë e pasimit i kanë impresionuar trajnerët te Mançester Junaitid, dhe sigurisht dhe David Mojesin. Januzaj bëri një sezon fantastik me ekipin U-21 të Mançesterit, ndërkohë që mori edhe trofeun “Topit të Artë” në edicionin e 75-të të Kupës së Rinisë të zhvilluar në Cyrih, të Zvicrës. Ai ka marrë përgëzime të vazhdueshme nga media, por më të rëndësishme janë ato të Sër Aleks Fergusonit. Nuk mund të kishte mënyrë më të mirë për Devid Mojes për të nisur eksperiencën e tij te Mancester Junajtid sesa fitimi I një trofeu, dhe tekniku skocez që zëvendësoi një legjendë si sir Alex Ferguson, arriti të rrëmbejë titullin e parë me djajtë e kuq duke mundur në finalen e Superkupës në “Uemblli” Uiganin me rezultatin 2-0. Përballë skuadrës nga Champions, fituese e Kupës, kampionët e Anglisë ju falën magjive të Robie Van Persit. Holandezi ishte protagonist absolut i sfidës duke realizuar një dygolësh, pikërisht atë që i dha fitoren djajve. Mojes, që kishte besuar verbërisht gjatë gjithë verës te 30-vjeçari, e mori shpërblimin e tij pas vetëm 6 minutash lojë, kur holandezi shënoi golin e parë në portën e bardhebluve. Junajtid ishte kryesisht dominues në fushë por për të mbyllur ndeshjen kishte nevojë për një tjetër goditje të saktë të Van Persit në minutën e 13-të të pjesës së dytë, me këtë të fundit që i bëri vetes si dhuratë trofeun, duke qenë se vetëm pesë ditë më parë kishte festuar datëlindjen. Mançester e kontrolli më pas me lehtësi sfidën deri në momentin e vërshëllimës së fundit, kur duart e futbollistëve të djajve të kuq ngritën drejt Londrës trofeun e parë të erës “Mojes”.

Gavazaj: “Genti, një klub i madh”

 Enis Gavazaj është talenti i radhës që prek “tapetet” e nxehta ndërkombëtare. Ish-mesfushori i Prishtinës, pak ditë më parë zyrtarisht ka firmosur për klubin e madh belg, Gent.

Gavazaj, i cili është edhe pjesë e Kombëtares U-21 (është ftuar në takimin kundër Hungarisë, më 14 gusht) është i i lumtur që do të luajë në Belgjikë, në një klub të madh siç është Gent. “Do të jap maksimumin në mënyrë që të bëhem pjesë e rëndësishme e këtij klubi. Punë, punë dhe vetëm punë. Besoj se do të kem sukses në përvojën tim të parë ndërkombëtare. Do të jap maksimumin në mënyrë që të jem pjesë e formacionit bazë të skuadrës sime. Aktualisht jam i përqendruar në klubin tim të ri. Do të mundohem të bëjë më të mirë, dhe nëse gjithçka do të shkon mirë, atëherë përmes skuadrës së Gent mund të transferohem edhe në ndonjë klub më të madh europian”, ka theksuar Gavazaj.