UEFA “mbledh” korçarët në protestë: Mos na dënoni, Skënderbeu për ne është gjithçka!

560
Nga Agron KAJA
TRUKIMET/ Rreth 35 mijë qytetarë të moshave e profesioneve të ndryshme, kanë dalë dje në shesh për skuadrën e futbollit, jo për politikën 
Shqiptarët në shesh jo për politikën. Dje Korça ka qenë e bashkuar për Skënderbeun, dhe ajo që ka ndodhur dje në këtë qytet, ndoshta është për t’u përgëzuar e duartrokitur gjatë. Kanë qenë rreth 35 mijë vetë që kanë protestuar paqësisht në shesh, në një tubim të organizuar në mbështetje të skuadrës së futbollit të Skënderbeut, e cila rrezikon të dënohet me 10 vjet nga UEFA, për dyshime në trukime ndeshjesh në futbollin shqiptar, por edhe në disa jashtë Shqipërisë. Ndoshta kjo protestë paqësore nuk do të ndryshojë asgjë në planet e UEFA-s, e cila nuk ka treguar se mund të preket në të tilla raste, por përtej debatit se, ka të drejtë UEFA apo Skënderbeu, ajo që të bën përshtypje dhe duhet të gëzojë gjithë shqiptarët, është fakti se, në Shqipëri ka një ndërgjegjësim e kulturë jashtë politikës në të tilla tubime. Korça tregoi dje se populli nuk del në shesh vetëm kur u lëshojnë mashtrime politikanët, të cilët kanë dekada që premtojnë tallen me me qytetarët. Dhe në këtë tubim paqësor, qyteti i Korçës tregoi se jeton me futbollin, ndaj kërkon nga UEFA që të mos e dënojnë ekipin e qytetit të tyre. Në një peticion me shumë pika kërkesash, qytetarët korçarë i kërkojnë UEFA-s që të mos të mos ua heqë këtë histori suksesi të skuadrës së tyre. “Na ndihmoni të ecim përpara në këtë rrugë evropiane! Mos na dënoni!”, kështu mbyllet ky peticion, në të cilin qytetarët korçarë, Skënderbeun nuk e quajnë thjesht një emblemë, por edhe si një histori e tërë lavdie dhe krenarie e këtij qyteti, dhe jo vetëm. “Qyteti i Korçës jeton me futbollin. Jemi Skënderbeu, i cili në 8 vitet e fundit ka qenë gëzimi i një qyteti. Futbolli për Korçën është me shumë se një lojë, është besim, ku të gjithë kanë besuar dhe besojnë tek loja e ndershme e kësaj skuadre, e cila ka fituar gjashtë Tituj Kampionë në Kategorinë Superiore shqiptare, por edhe ka marrë pjesë me dinjitet në Evropë. Korça sot reagon, ju bën thirrje: Të jesh një qytetar i mirë, sot është të duash drejtësinë, dhe ne kemi nevojë për një suport, dhe jo për një dënim, pasi ky do të ishte një dënim i të gjithë futbollit shqiptar! Me anë të këtij peticioni, duam t’i kërkojmë UEFA-s që të mos dënojë ekipin e Skënderbeut, pasi në këtë mënyrë do të dënojë një qytet të tërë, një histori krenarie të futbollit shqiptar në vitet e fundit. Historia e Shqipërisë në futboll është shumë e varfër, aq sa kujtohen vetëm 3 momente kryesore: Fitorja historike e Flamurtarit me Barcelonën, Kualifikimi historik i Kombëtares Shqiptare të futbollit në “Euro 2016” dhe përfaqësimi i Skënderbeut në Evropa Ligë. Skënderbeu për Korçën është gjithçka, ndaj dhe ne sot kërkojmë suport, dhe jo dënim”, thuhet mes të tjerash në këtë peticion, që kërkon nga UEFA të mos ja u heqë këtë histori suksesi. Pas tubimit të djeshëm, qytetarë të shumtë firmosën në peticionin që do t’i dërgohet UEFA-s. Nga shoqata e tifozëve të Skënderbeut në Çikago dhe Boston, ditën e shtunë tubimi do të zhvendoset në SHBA.
Historia e Shqipërisë në futboll është shumë e varfër, aq sa kujtohen vetëm tre momente kryesore: 1) Fitorja historike e Flamurtarit me Barcelonën; 2) Kualifikimi historik i Kombëtares Shqiptare të futbollit në “Euro 2016”; 3) Përfaqësimi i Skënderbeut në Evropa Ligë 
Viti i Skënderbeut, me dënimin e Skënderbeut!
Rastësia e sjell në Shqipëri. Emri i skuadrës që mund të dënohet nga UEFA është Skënderbeu, ndërkohë që qeveria shqiptare e ka shpallur 2018-ën si vitin e Heroit tonë Kombëtar, Skënderbeut. “Ky ekip ka mundur ta përfaqësojë me dinjitet emrin që mban. Në përvjetorin mbarëkombëtar të Vitit të Skënderbeut, Heroit tonë Kombëtar, një dënim i ekipit të qytetit të Korçës do të ishte një goditje e rëndë edhe për figurën e Heroit Kombëtar Shqiptar. Në kohën kur UEFA kërkon të zgjerojë futbollin në çdo shtet, dënimi i Skënderbeut do të sillte një goditje të rëndë për futbollin në Shqipëri, duke e detyruar që gjithçka të rinisë nga e para”, është kjo një pjesë e peticionit të qytetarisë korçare drejtuar UEFA-s.
Sigal