UEFA dënon e gjobit Skënderbeun, Takaj do të apelojë, ka 60 ditë afat

159
Nga Agron KAJA
DËNIMI/ Më 21 mars është marrë vendimi për skuadrën korçare, dje është bërë publik dokumenti zyrtar prej 23 faqesh, kundërshtohet nga Presidenti
UEFA ka vendosur të dënojë me 10 vite përjashtim nga aktivitetet evropiane skuadrën e Skënderbeut, sikundër edhe kërkuan komisarët në Komisionin e Etikës dhe Disiplinës në UEFA, për çështjen e trukimeve. Dënimi është dhënë më 21 mars, dhe përveç dënimit, korçarët janë gjobitur me 1 milion euro, por Skënderbeu ka 60 ditë afat që të kundërshtojë këtë vendim të rëndë, që shkatërron si klub. Vetë Presidenti i Skënderbeut, Ardian Takaj, në një deklarim mediatik dje në mbrëmje, theksonte se e priste këtë vendim, por të bindur në pafajësi. “Ne si klub jemi të pastër nga kjo histori, dhe dihej që ky do të ishte vendimi. Ne jemi të bindur për pafajësinë, edhe nëse KAS lë në fuqi këtë vendim, e do të shkojmë deri në Gjykatën Federale të Zvicrës. Tifozët e Skënderbeut i garantoj se do të jemi pjesë e Ligës së Kampionëve këtë sezon”, ka qenë ky deklarimi i Presidentit të Skënderbeut, Ardian Takaj. Dhe duke menduar se zbatimi i këtij vendimi ka 60 ditë afat, deri atëherë të gjitha verdiktet e sezonit në mbyllje kanë marrë rrugën e tyre. Dokumenti zyrtar prej 23 faqesh, ku UEFA jep dënimin me “dorë të hekurt” ndaj Skënderbeut: 10 vite mospjesëmarrje në Kupat e Europës dhe 1 mln euro gjobë, tregon se tashmë bomba ka plasur, dhe te Skënderbeu ndoshta po bëhen edhe llogaritë e dëmit. Por më parë, do të shkojë në KAS, ashtu si ishte paralajmëruar para pak ditësh, dhe ndërkohë gjithçka është më e qartë. Nëse KAS-i e refuzon apelin e UEFA-s, Skënderbeu “vdes”, sepse Takaj nuk ka më asnjë shans të investojë si në në të shkuarën, pa të ardhurat nga Evropa. Klubi korçar do të kthehet pronë e bashkisë, ose do të mbahet me kosto minimale e me të rinj, që do të thotë se nuk do të qëndrojë në nivelet e deritanishme. Ndërkohë, nëse UEFA do ta dënojë Skënderbeun, në Kategorinë Superiore “lufta” do të bëhet më e ashpër për vendin e dytë, i cili kësisoj e çon në Ligën e Kampioneve. Kukësi renditet në vendin e dytë në 26 javë, me 45 pikë, dhe mund të jetë skuadra që do të zërë vendin e korçarëve në Ligën e Kampionëve. Më pas, me spostimin e vendeve, në Evropa Ligë shkojnë vendi i tretë dhe i katërt në renditjen përfundimtare, ku aktualisht Laçi, Partizani, Flamurtari e Luftëtari gjenden shumë afër njëri-tjetrit, me 5 pikë diferencë mes tyre. Ky mbetet një nga dënimet më të rënda që skuadrat shqiptare të futbollit kanë përjetuar në historinë e tyre, njëherësh, edhe një kambanë alarmi për FSHF-në, e cila nga ana e saj duhet që të forcojë më shumë pjesën e saj investiguese në lidhje me garën në kategoritë e saj, por edhe bashkëpunimin me evropianët për çka mund të dyshohet, sikundër me Skënderbeun, i cili mbetet në dyshim edhe për titullin Kampion 2015-2016, të cilin Komisioni i Etikës në FSHF ja hoqi me një vendim gjatë vitit të kaluar, por që edhe këtë korçarët e kanë apeluar.
Nëse UEFA do ta dënojë Skënderbeun, në Kategorinë Superiore “lufta” do të bëhet më e ashpër për vendin e dytë, i cili kësisoj e çon në Ligën e Kampioneve. Kukësi renditet në vendin e dytë në 26 javë, me 45 pikë, dhe mund të jetë skuadra që do të zërë vendin e korçarëve në Ligën e Kampionëve
Ndeshjet që fundosën Skënderbeun
1.Krusaders-Skënderbeu 3-2
2.Dinamo Z.-Skënderbeu 4-1 
3.Sporting-Skënderbeu 5-1 
4.Skënderbeu-Lokomotiv M 0-3