Uashingtoni i bën “gjyqin” Hamdi Salihit

442
Sigal

Sulmuesi shqiptar është shndërruar në çështjen më të nxehtë te skuadra e tij amerikane

Nga një prej transferimeve më të bujshme te DS Junaitid, madje edhe me një rrogë speciale, Hamdi Salihi është shndërruar tani në një problem dhe barrë te skuadra e tij amerikane. Një nga gazetat më të rëndësishme në Shtetet e Bashkuara, “Uashington Post”, në artikullin e saj shkruante: “Janë tri çështje të mëdha për DS Junaitid: 1) A do të ndërtoje klubi një stadium të ri, përpara se ky aktual ‘RFK’ (Robert Fizcxherald Kenedi) të mbush 100?; 2) Sa kohë do të qëndrojë DeRo (mesfushori De Rozario) jashtë fushave dhe, 3) Çfarë do të ndodhë me sulmuesin shqiptar?”. Në ndeshjen e fundit të tij, Salihi luajti si zëvendësues për 23 minuta kundër Nju Ingland. Trajneri Olsen u shpreh optimist për atë që prodhoi Salihi. “Unë mendoj se, Hamdiu bëri një punë të mirë. Është mirë që ia dhashë atij ato minuta”, – tha Olsen. “Unë mendoj se, ai po bënë një rol të mirë për të luajë më përpara, por ai duhet të përparojë në disa pika në një të ardhme të afërt. Ne kemi shumë besim te ai. Ai mund të shënojë gola dhe unë mendoj se ai do të luajë një pjesë nëse ne do të kemi sukses në këto ndeshjet e ardhshme”.

SALIHI

Sulmuesi shkodran u transferua në muajin shkurt te DS Junaitid, duke mbërritur në Shtetet e Bashkuara nga Rapidi i Vjenës (Austri). Pas një fillimi shumë të mirë (dy gola në dy ndeshje), Salihi nuk e ka më impaktin që pritej nga një sulmues i mirëpaguar, dhe i përfshirë në listën speciale të pagesave në futbollin amerikan, të emërtuar “Designated Player”. Lojtari i Kombëtares shqiptare tani është shndërruar në një problem për vetë klubin dhe, sidomos për trajnerin Ben Olsen, ky i fundit nuk e ka më në preferencat e tij Salihin, edhe pse dikur fliste me superlativa për shkodranin. Hamdiu ka shënuar pesë gola në 19 ndeshje për DC Junaitid, por ai nuk realizon një gol nga 30 qershori i këtij viti, pra prej një periudhë të gjatë kohore. Hamdiu u ble gjatë merkatos dimërore nga ana DS Junaitid, pasi skuadra amerikane vlerësonte shumë aftësinë e tij për të finalizuar gola në zonën e penalltisë, duke mbushur kështu edhe një nevojë thelbësore të një vije të parë të mrekullueshme sulmuese të skuadrës së kryeqytetit amerikan.

KONTRASTI

Në tetë ndeshjet e fundit, ai ka luajtur vetëm 53 minuta, ndërkohë që nuk luan si titullar nga 21 korriku. Shumë herë, ai ka luajtur vetëm në minutat e fundit, dhe tani nuk i ka më kreditet e një golashënuesi. Edhe tani, kur sulmuesi titullar Duajn De Rozario është i dëmtuar, Salihi mbetet një opsion i dytë. “Unë nuk kam qenë kurrë më parë në këtë situatë, duke mos luajtur”, – citohet Salihi nga “Uashington Post”, me gazetën që shton se, Hamdiu është një anëtar i rregullt i ekipit Kombëtar shqiptar dhe që ka shënuar një “thes me gola” në kampionatin austriak përpara se të transferohej te Major League Soccer. “Ju duhet ta pranon vendimin. Është paksa e vështirë për mua. Unë po përpiqem të punoj. Po përpiqem të bëj diçka gjithmonë dhe më të mirë dhe të marr sa më shumë minuta”. Salihi ka luajtur së fundi më shumë minuta me ekipin Kombëtar, sesa me skuadrën amerikane. “Nuk është e lehtë kur ju nuk luani për klubin tuaj dhe ju shkoni në ekipin Kombëtar dhe luani për 90 minuta, – tha Salihi. “Do të thotë shumë për mua, pasi në një optikë ju mendoni se nuk mund të luani. Më ka ndihmuar shumë”.

TRAJNERI

Kur Salihi u ble nga skuadra amerikane, trajneri Olsen u shpreh gjatë prezantimit të lojtarit shqiptar në stadiumin “Robert Kenedi”: “Ne ishim në kërkim të një sulmuesi të pastër prej një kohe të gjatë, dhe unë mendoj se e gjetëm atë”. Por, shtatë muaj më pas, Salihi po shpenzon më shumë kohë në bankinë se në formacionin titullar. Sa herë që Olsen është pyetur për inaktivitetin e Salihit, përgjigja e trajnerit ka qenë e njëjtë: “Ai është në pozicion miks, ai është dukë bërë një punë të mirë, por dikush tjetër është duke bërë mirë se ai ose është nga pikëpamja fizike më i përshtatshëm për ndeshje të veçanta”. Salihi e nisi ndeshjen pesë herë nga fillimi në gjashtë ndeshjet e para, por nuk shënoi asnjë herë. Koha e tij e të luajturit ra dhe ai nuk shënoi deri në ndeshjen e dhjetë. Më pas shënoi dhe katër gola të tjerë, por sërish grafiku i tij pësoi rënie. Zyrtarët e DS Junaitid nuk duan të besojnë në paaftësinë e tij, pavarësisht se Salihi arrin të shfaqë perfomanca të mira gjatë stërvitjes, por jo në lojë. Sipas specialistëve amerikanë të futbollit, Salihi ka një prekje të rëndë të topit dhe kjo nuk i lejon atij të krijojë shumë. Tashmë, ai është një lojtar konfuz.