U21 nis aventurën e “Euro 2017”, Lihtenshtejni është destinacioni i parë

465
Kombëtarja e Shpresave në futbollin shqiptar, nis nesër aventurën e quajtur “Euro 2017”, duke luajtur takimin e parë kualifikues kundër modestëve të Lihtenshtejnit, një skuadër që për hir të së vërtetës nuk paraqet rrezikshmëri, të paktën në letër, për të besuarit e Skënder Gegës. Sa i takon këtij fakti, trajneri është shprehur se do ta vlerësojnë maksimalisht takimin edhe pse kundërshtari nuk paraqitet aq i fortë
“Është ndeshje e rëndësishme, pavarësisht se konsiderohen si kundërshtar i lehtë. Ekipi më ka kënaqur deri tani edhe pse kemi pasur probleme jo të vogla. Kemi mungesa të rëndësishme për arsye dokumentacioni por edhe dëmtimi. Megjithatë ekipi është mirë dhe po jep maksimumin. Shpresoj ta nisim mbarë këtë eliminatore. Jemi munduar të eliminojmë euforinë. Të gjitha ndeshjet janë njëlloj. Kemi treguar në të shkuarën se gabojmë ndaj skuadrave të vogla dhe marrim maksimumin ndaj të mëdhave. Kemi parë kundërshtarin që duhet thënë se në ndeshjet e fundit nuk kanë marrë rezultate pozitive, por edhe ata shohin tek ne mundësinë për të dalë me sukses”. Shqipëria ndodhet në grupin 4, bashkë me Portugalinë, Izraelin, Greqinë, Hungarinë dhe Lihtenshtejnin dhe sa i përket këtij grupi, Gega është shprehur se është grup i fortë, por se nuk do të bëjnë parashikime. “Nuk duhet të bëjmë parashikime. Është një grup i fortë por do të luajmë me dinjitet. Është një mundësi për djemtë që të ekspozohen pasi skuadra shpresa është një nivel i lartë. Shpresoj të japin maksimumin”. Ndërkohë sot, të rinjtë kuq e zi do të kryejnë edhe seancën e fundit stërvitore para se të luajnë takimin me Lihtenshtejnin. 
Sigal