U zhvillua seanca dëgjimore, vendimi pas disa ditësh për Skënderbeun

574
Nga Agron KAJA
SKËNDERBEU NË UEFA/ Dje kanë dëshmuar në Komisionin e Apelit në UEFA Sabien Lilaj, Bledi Shkëmbi, Bernard Berisha, Liridon Latifi e Bakari Nimaga
Pas dhënies së dënimit për 10 vite pa ndeshje në Evropë, Skënderbeu nuk ka qëndruar inferior, duke u mbrojtur në të gjitha nivelet gjykuese në KAS të Lozanës, ndërsa nga zyrtarë të klubit korçar është thënë se mundet që tëapelohet edhe në Gjykatën Federale në Zvicër. Kështu, Skënderbeu qartazi po përgatitet për betejën finale në KAS kundër dënimit të UEFA-s me 10 vite pa ndeshje ndërkombëtare, por ndërkohë dje e kishte radhën përballja me Komisionin e Apelit në UEFA. Është një procedurë e nevojshme kjo, mbi të gjitha për të fituar kohë, sepse klubi korçar e di mirë që UEFA nuk do të bëjë asnjë ulje dënimit prej 10 vitesh. Dje, avokatët zviceranë që përfaqësojnë Skënderbeun i kanë marrë gjërat radhë, ndryshe nga përballja e para dy viteve me UEFA-n, kur u bënë gabime nga përfaqësuesit ligjorë të Skënderbeut. Përveç atyre që përfaqësojnë skuadrën korçare, do të dëshmojnë dhe 5 futbollistë, dhe ish-futbollistë të skuadrës. Kështu, Sabien Lilaj e Bakari Nimaga janë ende në ekip, ndërsa Bledi Shkëmbi si ish-kapiten, aktualisht trajner te Liria në Kosovë, si edhe ish-lojtarët Bernard Berisha, aktualisht lojtar i Groznit në kampionatin rus, dhe Liridon Latifi, aktualisht lojtar i Akademisë Pushkash në Hungari. Emrat e Latifit dhe Berishës janë një surprizë, pasi ishin deklaruar vetëm tre të parët, por i ka kërkuar vetë avokati i Skënderbeut në këtë dëshmi. Ndërkohë, Nimaga ka dëshmuar dje nga ambientet e stadiumit “Skënderbeu”, nëpërmjet një video konference, nën masa të forta sigurie, ku nuk është lënë askush nga media të filmojë, apo qoftë edhe fotografojë. Ndërkohë, dje në Lozanë të Zvicrës u zhvillua seanca dëgjimore lidhur me kërkesën që ka bërë Skënderbeu për dënimin e UEFA-s, por vendimi do të zbardhet në ditët në vazhdim. Pritet një vendim, por gjithsesi shpresat më të mëdha për drejtuesit të Skënderbeut mbështeten te Gjykata Ndërkombëtare e Arbitrazhit Sportiv, dhe nëse do të duhet, edhe në Gjykatën Federale në Zvicër. Më pas, Skënderbeu do të ketë kohë për të apeluar në KAS dhe për të përgatitur strategjinë mbrojtëse. Duke menduar se zbatimi i atij vendimi ka 60 ditë afat, nga 21 marsi e deri më 21 maj, të gjitha verdiktet e sezonit në mbyllje kanë marrë rrugën e tyre. Por, për futbollin shqiptar, kjo situatë e Skënderbeut është e pazakontë, pasi nuk kishte ndodhur në asnjë rast që një skuadër shqiptare të dënohej, madje rëndë nga UEFA për trukime të ndeshjeve të futbollit.
Dje në Lozanë të Zvicrës u zhvillua seanca dëgjimore lidhur me kërkesën që ka bërë Skënderbeu për dënimin e UEFA-s, por vendimi do të zbardhet në ditët në vazhdim. Pritet një vendim, por gjithsesi shpresat më të mëdha për drejtuesit të Skënderbeut mbështeten te Gjykata Ndërkombëtare e Arbitrazhit Sportiv dhe, nëse do të duhet, edhe në Gjykatën Federale në Zvicër
Dënimi nga UEFA me 10 vite për Skënderbeun
Më 21 mars është marrë vendimi për skuadrën korçare, me një dokument zyrtar prej 23 faqesh.
UEFA vendosi ta dënojë me 10 vite përjashtim nga aktivitetet evropiane skuadrën e Skënderbeut, sikundër edhe kërkuan komisarët në Komisionin e Etikës dhe Disiplinës në UEFA, për çështjen e trukimeve. Dhe përveç dënimit, korçarët janë gjobitur me 1 milion euro, por Skënderbeu kishte 60 ditë afat që ta kundërshtonte këtë vendim të rëndë, që shkatërron si klub. Dhe kështu është vepruar, madje që në mbrëmjen e 21 marsit 2018, vetë Presidenti i Skënderbeut, Ardian Takaj, në një deklarim mediatik theksonte se e priste këtë vendim, por të bindur në pafajësi.
Sigal