Turi i dytë, zbulohen emrat e kundërshtarët të ekipeve shqiptare

557
Sigal

Korçarët kanë një mundësi të artë për të pasur një ecuri të paharrueshme këtë sezon në Europë

Skënderbeu, ka një mundësi të artë për të pasur një ecuri të jashtëzakonshme këtë sezon në Europë, nëse pesë herë kampionët e Shqipërisë do të arrijnë të kalojnë gjigantët e BATE Borisovit. Skuadra korçare barazoi pa gola në “Bonson Arena” në ndeshjen e parë në raundin e dytë paraeleminatore të Ligës së Kampioneve me bjellorusët dhe në rast kualifikimi mund të gjejë sërish përballë hungarezët e Debrecenit, të cilët i kanë eliminuar dy vjet më parë kampionët e Shqipërisë. Ky është verdikti i dalë nga shorti i hedhur dje në selinë e UEFA-s, në Nion të Zvicrë. Në letër shorti me fituesen e ciftit Klifftonville-Debreceni ishte më i favorshmi i mundshëm për “ujqërit e dëborës” që arritën të evitojnë dhe një përplasje të mundshme me danezët e Aalborg. Ekipi hungarez është i favorizuari kryesor për të siguruar kalimin në raundin pasardhës, pasi ka barazuar takimin e parë në transfertë me klubin irlandezo-verior në shifrat 0-0. Skënderbeu ndeshjen e kthimit me Bate Borisov do ta luajë në Korçë më datën 22 Korrik në orën 20:00 dhe ka mundësi të kualifikohet nëse arrin të fitojë këtë sfidë, pasi në të parën ka barazuar 0-0. Me Debrecenin, Skënderbeu u ndesh dy sezone më parë në Ligën e Kampioneve, ku fitoi 1-0 në Korçë dhe u mund 3-0 në Hungari. Duke parë paraqitjet e dobëta, në ndeshjet e para të raundit të dytë që dhuruan skuadrat shqiptare pjesëmarrëse në Europa League dhe mundësitë pothuajse zero për kualifikim, Skënderbeu është i vetmi ekip që mund të mbajë lart flamurin e vendit tonë në kompeticionet kontinentale. Falë një grupi të konsoliduar futbollistësh që luajnë prej vitesh me njëri-tjetrin, por dhe barazimit 0-0 në sfidën e parë ndaj bjellorusëve të Bate Borisov, tifozët korçarë kanë më shumë se një arsye për të shpresuar. Ajo çka shton më shumë besimin se Skënderbeu ashtu si një vit më parë mund të kualifikohet sërish në turin e tretë paraeliminator të Ligës së Kampioneve, është fakti se 5-herë kampionët e vendit sa herë që luajnë në Shqipëri transformohen duke dhuruar gjithmonë ndeshje të mira. Në dy sezonet e fundit në Europë, korçarët i kanë fituar të gjitha takimet që kanë luajtur në shtëpi. Statistikat mbeten statistika megjithatë edhe ato nuk duhen nënvlerësuar kur bëhet fjalë për kompeticione të tilla si Liga e Kampioneve. Ecuria e Skënderbeut në Europë gjithmonë sa i përket ndeshjeve në Shqipëri, nisi në vitin 2012 kur skuadra në atë kohë e drejtuar nga çeku Stanislav Levi, mposhti 1-0 në Korçë hungarezët e Debrecenit. Një humbje 3-0 në sfidën e kthimit bëri që Skënderbeu të eliminohej, megjithatë kampionët e Shqipërisë u korrigjuan në 2013. Pasi barazuan 0-0 në Azerbaxhan ndaj Neftçi Bakut, fituan pas kohës shtesë 1-0 sfidën e kthimit në Korçë duke u kualifikuar për herë të parë në historinë e tyre në raundin e tretë paraeliminator të Ligës së Europës. Ecuria pozitive e skuadrës korçare përpara publikut të saj vijoi edhe në këtë fazë, ku Skënderbeu edhe pse kishte pësuar një humbje të rëndë në 90 minutat e para të luajtura në Kazakistan ndaj vendasve të Shakhter Karagandi, me shifrat 3-0. Korçarët arritën të triumfonin në ndeshjen e dytë në “Qemal Stafa” me rezultatin 3-2. Forca në shtëpi u tregua dhe pas eliminimit në Champions nga kazakët, me formacionin e Mirel Josës që vijoi ecurinë në Europa Ligë, duke fituar në Tiranë 1-0 me Çernomorets Odesa. Rezultat që ishte i njëjtë me atë të takimit të vajtjes, por nga pika e bardhë penalltitë nuk i buzëqeshën “ujqërve të dëborës”, të cilët nuk arritën të sigurojnë një vend në fazën e grupeve të Ligës së Europës.

Fitoret në shtëpi

 Në dy sezonet e fundit, Skënderbeu ka arritur ti fitojë të katërta ndeshjet europiane në shtëpi dhe këtë herë ndaj Bates, fitorja, pavarësisht se në çfarë shifrash është rezultati që do t’i garantonte kampionëve përballjen me shumë gjasa me Debrecenin në raundin tjetër. Një fitore që e parë nga statistikat nuk duket dhe aq e pamundur.

LIGA E EUROPËS

 Flamurtari nëse do të arrijë të bëjë mrekullinë duke eliminuar Petrolul Ploestin do të përballet në raundin e tretë të Europa League, me gjigantët çekë të Victoria Plzen, ndërsa Laçi, që pothuajse është eliminuar pas humbjes në shtëpi 0-3 me Zorjan, do të përballet me fituesin e çiftit Molde-Nova Gorica, me norvegjezët që kanë fituar 4-1 takimin e parë.

TURI I DYTË ELIMINATOR

 LIGA E KAMPIONEVE

Skënderbeu/BATE-Klifftonville/Debreceni

LIGA E EUROPËS

Flamurtari/Petrolul-Viktoria Plzen

Laçi/Zorja- Molde-Nova Gorica

LIGA E KAMPIONEVE

 Turi i dytë eliminator

 15 korrik 2014

BATE Borisov-Skënderbeu 0-0

22 korrik 2014

Skënderbeu-BATE Borisov 20:00

 SKËNDËRBEU NË EUROPË

 LIGA E KAMPIONEVE

Sezoni 2001-2012

Skënderbeu-Apoel 0-2, 0-4

Sezoni 2012-2013

Sënderbeu-Debrecen 1-0, 0-3

SEZONI 2013-2014

LIGA E KAMPIONEVE

Turi i dytë eliminator

Skënderbeu-Neftçi    1-0, 0-0

Turi i tretë eliminator

Shahkter-Skënderbeu 3-2, 0-3

LIGA E EUROPËS

Çernomerets-Skënderbeu 1-0, 0-1

(Çernomerets fitoi 7-6 me pen.)

SEZONI 2014-2015

Liga e Kampioneve

Bate Borisov-Skënderbeu 0-0

Bilanci: 11 ndeshje, 4 fitore, 2 barazime, 5 humbje

  Konfirmohet largimi i Mentor Zhdrellës

 Mentor Zhdrella nuk është më pjesë e të kuqve. Mesfushori kosovar mungoi në seancat e djeshme të Partizanit në kampingun e Mavrovës, duke konfirmuar kështu largimin nga 15 herë kampionët e Shqipërisë. “Më vjen keq ta them, por unë nuk do të jem më pjesë e Partizanit. Që kur erdha këtu, ua pata thënë drejtuesve se do ta kisha të vështirë të qëndroja larg familjes sime. Më vjen keq edhe për përkrahjen tuaj e të tifozëve. Problemi është se nuk mund të qëndroj larg familjes. Më vjen keq. Faleminderit shumë për gjithçka”, – deklaroi Zhdrella për mediat. Partizani vazhdon përgatitjet në Maqedoni, teksa të enjten e ardhshme ka planifikuar një ndeshje miqësore kundër Gostivarit.

Zvicerani do të prezantohet gjatë një konference shtypi në Shkodër

 Baldo Raineri, trajneri i ri i Vllaznisë

 Baldo Raineri është trajneri i ri i Vllaznisë. Lajmin e dhanë mediat zviceran (Ticinoneës.ch). Ish-trajneri i Belinzona dhe Biaska do të drejtojë ekipin më të vjetër në Shqipëri. Në fakt, Raineri është përzgjedhur nga shoqëria zvicerane “Gea Sport” e drejtuar nga Roberto Nava e që pritet të marrë edhe administrimin e Vllaznisë. Në aventurën e tij të parë në Shqipëri, Baldo Raineri do të ndiqet nga Davide Beloti, aktualisht lojtar i ABC dhe trajner i Team Ticino në Zvicër. Beloti ka bashkëpunuar më parë me Rainerin te Kiaso. Sipas portalit zviceran, Vllaznia është një prej skuadrave më të titulluara në Shqipëri, me nëntë tituj kampionë, gjashtë Kupa dhe dy Superkupa të Shqipërisë. Prezantimi zyrtar i Baldo Rainerit në stolin e Vllaznisë do të bëhet sot gjatë një konference shtypi të organizuar në Shkodër. Raineri do të jetë trajneri i vetëm i huaj ndër 10 skuadrat që formojnë Superligën, ndërkohë që në Kategorinë e Parë të Bylisi është nigeriani Emanuel Egbo. Sezonin e kaluar drejtuan tre trajnerë të huaj: kosovari me pasaportë turke, Naxhi Shensoj, drejtoi Kukësin; nigeriani i “shqiptarizuar”, Emanuel Egbo, ishte të në bankinën e Bylisit, si dhe italiani Roberto Sorrentino i Teutës. Duke parë kombësinë e 28 trajnerëve, janë 15 të tilla, ku mbizotërojnë ata kroatë (6) dhe çuditërisht ata argjentinas (4). Kështu tek Dinamo kanë drejtuar kroatët:   Luka Bonaçiç, Ivan Kataliniç, Slavko Kovaçiç dhe Zlatko Daliç; tek Tirana kaën qenë Ilija Lonçareviç dhe Misho Kristeçeviç. Argjentinasit kanë punuar në dy skuadra: 3 te Dinamo (Pedro Pablo Paskuli, Ramon Cabrero dhe Luis Manuel Blanko) dhe 1 te Lushnja (Mario Kempes). Italianët janë tre: Ticiano Gori (Erzeni, Partizani), Leonardo Menikini (Tirana) dhe në sezonin aktual, Mauro De Vekis (Kamza). Dy boshnjakët janë sistemuar te Tirana: Enver Haxhiabdiç dhe Bllazho Sllavkoviç, dy rumunët janë shpërndarë: Aurel Cikleanu (Dinamo, Lushnja) dhe Silviu Dumitresku (Apolonia, Besa). Mali i Zi prezantohet me Dervish Haxhiosmanoviçin (Vllaznia, Erzeni) dhe Mojash Radonjiçin (Vllaznia). Tete shtete të tjera kanë nga një përfaqësues: Hungaria me Miklos Temeshvarin (Tirana); Bullgaria me Nikolai Arabovin (Partizani, Flamurtari, Naftëtari); Gjermania me Ulrih Shulsen (Vllaznia), Serbia me Esad Karishikun (Apolonia, Elbasani); Maqedonia me Nikola Ilievskin (Bylis); Spanja me

Hulian Rubion (Tirana); Kosovë/Turqi me Naxhi Shensoin (Bylis) dhe Çekia me Stanislav Levin (Skënderbeu).

 TRAJNERËT E HUAJ QË KANË DREJTUAR  NË SHQIPËRI

 

1. KROACI

Luka Bonaçiç (Dinamo)

Ivan Kataliniç (Dinamo)

Slavko Kovaçiç (Flamurtari)

Zlatko Daliç (Dinamo)

Misho Kristeçeviç (Tirana)

Ilija Lonçareviç (Tirana)

 

2. ARGJENTINË

Mario Kempes (Lushnja)

Pedro Pablo Paskuli (Dinamo)

Ramon Cabrero (Dinamo)

Luis Manuel Blanko (Dinamo)

 

3. ITALI

Ticiano Gori (Erzeni, Partizani)

Leonardo Menikini (Tirana)

Mauro De Vekis (Kamza)

Roberto Sorentino (Teuta)

 

4. BOSNJË

Enver Haxhiabdiç (Tirana)

Bllazho Sllavkoviç (Tirana)

 

5. RUMANI

Aurel Cikleanu (Dinamo, Lushnja)

Silviu Dumitresku (Apolonia, Besa)

 

6. MALI I ZI

D. Haxhiosmanoviç (Vllaznia, Erzeni)

Mojash Radonjiç (Vllaznia)

 

 

7. HUNGARI

Miklos Temeshvari (Tirana)

 

8. BULLGARI

N. Arabov (Partizani, Flamurtari, Naftëtari)

 

9. GJERMANI

Ulrih Shulse (Vllaznia)

 

10. SERBI

Esad Karishik (Apolonia, Elbasani)

 

11. MAQEDONI

Nikola Ilievski (Bylis)

 

12. SPANJE

Hulian Rubio (Tirana)

 

13. KOSOVE-TURQI

Naxhi Shensoi (Bylis)

 

14. ÇEKI

Stanislav Levi (Skënderbeu)

 

15. NIGERI

Emanuel Egbo (Bylis)

 

16. ZVICËR

Baldo Raineri (Vllaznia)