Trukimet dhe vizitat pa bereqet të UEFA-s

605
Sigal

Edhe pse të dërguarit e Platinisë e kanë vizituar shpesh Tiranën, duket se askush nuk ka frikë

Java e fundit e sezonit 2013-2014 tregoi me “rezultate” se, shqetësimet e gjithhershme të UEFA-s, në lidhje me nivelin e lartë të dyshimeve të trukimit të ndeshjeve në Shqipëri kanë mesa duket një bazë reale. “Komeditë” që prodhon futbolli ynë, në emër të aleancave të fshehta apo të hapura, lënë të hapur dhe dyshime reale. Fakte janë, ashtu si dhe shqetësimet që ka vetë qeveria e futbollit europian. UEFA në vazhdimësi po tregon një vëmendje të posaçme. Më 25 prill, një delegacion i nivelit të lartë, i përbërë nga Ulf Kluser oficer i Integritetit në UEFA dhe Emilio Garsia, shef i Komisionit të Disiplinës në këtë institucion mbërriti në kryeqytetin shqiptar me një axhendë të qartë. Të dërguarit e Mishel Platinisë, përtej takimeve rutinë me drejtuesit e Federatës Shqiptare të Futbollit zhvilluan edhe një takim të veçantë në Prokurorinë e Përgjithshme nga Drejtori i Hetimit, Adnan Xholi. Sipas FSHF-së, takimet e tyre ishin në vijim të takimeve të zhvilluara në muajin nëntor të vitit të kaluar, mes përfaqësuesve të lartë të UEFA-s kryesuar nga zëvendëssekretari Teodor Teodoridis, atyre të Federatës Shqiptare të Futbollit dhe Prokurorisë Shqiptare. Gjatë një takimi të zhvilluar në Shkup në prill të vitit të kaluar, ku merrnin pjesë oficerët e integritetit nga Shqipëria, Bullgaria, Kroacia, Hungaria, Maqedonia, Mali i Zi, Rimania, Serbia dhe Sllovenia, për të parë progresin në fushatën kundër fiksimit të ndeshjeve,

Në fakt, edhe pse të gjithë prisnin një deklaratë të fortë të dy të dërguarve të UEFA-s, Ulf Kluser, oficer i Integritetit në UEFA dhe Emilio Garsia, shef i Komisionit të Disiplinës në këtë institucion, deklarata e këtyre të fundit pas takimit në Prokurorinë e Përgjithshme me drejtorin e Hetimit, Adnan Xholi, kishin më shumë nuanca “diplomatike”. Delegacioni i UEFA-s zbarkoi në Tiranë, për të marrë informacione mbi ecurinë e hetimeve të ndeshjeve të dyshuara për trukim në kampionatin shqiptar duke zhvilluar një takim “kokë më kokë” për rreth 40 minutash me drejtorin Xholi. Në përfundim të takimit, delegacioni i UEFA-s bëri disa komente të shkurtra në dyert e Prokurorisë së Përgjithshme, për t’iu përgjigjur interesimit të madh të gazetarëve, edhe pse përgjigjet e tyre nuk ishin ato që priteshin. Shefi i komisionit të disiplinës pranë UEFA-s, Emilio Garcia ka dribluar çdo pyetje duke falënderuar gazetarët për interesimin. “Mund të them se ishte një vizitë kortezie, e cila vinte pas asaj të bërë vitin e shkuar në funksion të hetimit që kemi nisur me prokurorinë. Pata një takim të frytshëm me zotin Xholi, por duhet të saktësoj se është një vizitë e zakonshme që bën UEFA edhe me vend të tjera të Europës. Dosje në hetim? Preferoj që të mos komentoj një gjë  të tillë. Ishte një mbledhje e frytshme dhe ne jemi të kënaqur me atë çka po bëjmë, duke i njohur meritën edhe federatës shqiptare e cila po bashkëpunon për gjithçka që ka të bëjë edhe me zyrën e prokurorit. Ndeshje të fiksuara? Preferoj që të mos i përgjigjem faleminderit për kohën tuaj”. Në fakt, ndeshjet e kampionatit tonë – kryesisht atyre të Superligës – vazhdimisht kanë qenë në qendër të “hetimeve” të Sistemit të Zbulimit të Mashtrimeve të Basteve, BFTS, organizmit që bashkëpunon ngushtë me UEFA-n, për vetë shumat e luajtura në kompanitë e basteve dhe rezultateve të dyshimta që ato prodhojnë. Rezultati më i përsëritur në ndeshjet e fundit është 4-2 (ose +6 me gjuhën e basteve), qoftë kur fitues kanë qenë vendasit apo udhëtuesit. Më 21 nëntor 2013, një delegacion i nivelit të lartë të qeverisë europiane të futbollit, i kryesuar nga zëvendëssekretari i UEFA-s, Teodoros Teodoridhis u takua me Prokurorin e Përgjithshëm të Shqipërisë, Adriatik Llalla, duke i përcjellit “njëshit” të hetimeve në Shqipëri mesazhin e Presidentit Mishel Platini, në lidhje me shqetësimet që ekzistojnë në Nion, përsa u përket çështjes së trukimit të ndeshjeve në Kategorinë Superiore. Misioni “Teodoridhis” ishte shumë i qartë. Gjatë viteve të fundit, UEFA e ka bërë publike shqetësimin e saj përmes raporteve që ka dërguar në FSHF në lidhjet me ndeshjet e dyshuara si të trukuara, duke e renditur kampionatin shqiptar ndër më të dyshuarit për trukime të ndeshjeve. “Biseduam me Prokurorin e Përgjithshëm për çështjen e ndeshjeve të trukuara. Nuk dëshiroj të flas për raportet e mëparshme, por për faktin që kemi ndërtuar marrëdhënie direkte me Prokurorinë e Përgjithshme. Për çdo sinjalizim do të lajmërojmë direkt si FSHF-në ashtu dhe Prokurorinë e Përgjithshme”, – tha atëherë Teodoros Teodoridhis, i konsideruar si numri 3 i UEFA-s, pas presidentit Mishel Platini dhe sekretarit të Përgjithshëm, Xhani Infantino. Edhe pse morën premtime për parandaluar trukimin e ndeshjeve, mesa duket UEFA ende nuk e parë reagimin e pritshëm. Imazhi i futbollit shqiptar u trondit rëndë, kur më 13 dhjetor 2011 u publikua në mediat një dosje e UEFA-s dërguar FSHF-së, në të cilën jepej alarmi për trukime të rezultateve në Superiore. Sistemi i sofistikuar i UEFA-s, i quajtur Sistemi i Zbulimit të Mashtrimeve të Basteve, BFTS, është një nga sitet kryesore të të gjithë kampionateve europiane. Ky sistem monitoron paratë e luajtura për ndeshje të caktuara dhe lëvizjet e koeficienteve që, sipas specialistëve, sjell përcaktimin përfundimtar nëse një ndeshje është e fiksuar apo jo. Jo vetëm kaq, por edhe çdo lëvizje në fushë, karton i verdhë, karton i kuq dhe aksion, monitorohet për t’i dhënë një pasqyrë më të plotë panoramës së takimeve të trukuara. Nisur nga sa më sipër, UEFA dërgoi një listë prej 13 ndeshjesh të sezonit 2010-2011, të konsideruara si të dyshuara për trukim. Pesë ndeshje të javës së 29-të të Superiores në sezonin 2010-2011 rezultonin të trukuara dhe vetëm ndeshja Vllaznia-Tirana i kishte shpëtuar trukimit. Pas kësaj UEFA dërgoi edhe dy dosje të tjera, teksa nuk u mjaftua me kaq, por në Shqipëri erdhi edhe përfaqësuesi i zyrës juridike, Pier Korni. Ky i fundit pati një takim edhe në Prokurorinë e Përgjithshme, pikërisht në lidhje me bashkëpunimin sa më efikas dhe të ngushtë mes këtij institucioni, FSHF-së dhe UEFA-s.

Disa nga ndeshjet e këtij sezoni

Java 17

Teuta-Lushnja 6-2

Java 18

Flamurtari-Besa 1-4

Java 22

Lushnja-Flamurtari 2-4

Java 24

Lushnja-Skënderbeu 2-4

Java 25

Kukësi-Flamurtari 4-2

Java 27

Skënderbeu-Tirana 2-3

Java 29

Kastrioti-Vllaznia 2-4

Lushnja-Flamurtari 2-3

Java 33

Skënderbeu-Laçi 1-2

Teuta-Vllaznia 1-3

Lushnja-Partizani 2-4

“KAMPIONË” NË EUROPË

 Shqipëria është “kampione” për trukimin e ndeshjeve. Kjo gjë u konstatua disa muaj më parë nga një raport i detajuar i një kompanie lider në botë për analizat dhe hulumtimet në shitjen e ndeshjeve, sikundër është “Sport Radar”. Kompania pati bërë analiza të hollësishme të një numri të madh të ndeshjeve të kampionatit shqiptar. Sipas saj, brenda një periudhe prej dy vitesh e gjysmë, në Shqipëri dyshohet se janë manipuluar 97 ndeshje futbolli, përfshi kampionat dhe kupë. Shqipëria renditet e para dhe pas saj vjen Italia, me 70 ndeshje të dyshuara si të manipuluara, 20 prej të cilave janë të Serisë A, 36 të serisë B dhe 14 të Lega Pro. Në vendin e tretë ishte Moldavia me 66 ndeshje të dyshuara, më pas Estonia me 46 ndeshje, Greqia me 45 ndeshje, Rusia 42 ndeshje, Maqedonia 37 ndeshje, Bullgaria 35 ndeshje, Letonia dhe Estonia me 31 ndeshje.

SHQETËSIM NDËRKOMBËTAR

 Në fakt, fiksimi i ndeshjeve dhe korrupsioni në futbolli po shndërrohet në një problem që po shqetëson gjithë botën sportive, por dhe organizmat më të larta, përfshirë FIFA-n, UEFA-n, Bashkimin e Europian. Raportet e specializuara të hartuara nga organizatat “IRIS” dhe “Forrest” kamë pasqyruar një listë të gjatë të skandaleve në futboll, të cilat kanë përfshirë Europën, por edhe vendet aziatike e ato afrikane. Skandalet, sipas raportit të “Forrest” janë regjistruar në Kinë, Shqipëri, Malajzi e Singapor, ndërkohë që jashtë infektimit nuk mbetën edhe ligat kryesore europiane si ato në Gjermani, Itali, Spanjë, por dhe në Rusi, Turqi, Kroaci, etj,. Sipas UEFA-s, ekziston një rrjet ndërkombëtar i krimit të organizuar të cilët merren me trukimin e ndeshjeve në Europë, të cilat besohen se janë të fiksuara për arsye bastesh.

 Në kërkim të formulës perfekte

 Struktura e kampionatit për sezonin 2014-2015 të Kategorisë së Parë e vë Federatën Shqiptare të Futbollit para përgjegjësisë për të gjetur formulën e duhur që në Kategorinë Superiore të ngjiten skuadrat me të forta, për të ruajtur rivalitetin në elitën e futbollit shqiptar. Kategoria e Parë sezonin e ardhshëm do të ndahet në dy grupe me nga 10 skuadra, në bazë të pozitës gjeografike dhe parashikohet që e para e çdo grupit të ngjiten në Superiore. Mirëpo kjo ndarje në fakt nuk siguron një garë të barabartë pasi në grupin e Jugut do të ketë më shumë skuadra të forta, siç janë Besa, Lushnja, Shkumbini, Tomori, Pogradeci, Bylis apo Luftëtari, ndërsa në grupin tjetër skuadrat që mund të pretendojnë ngjitjen janë më të pakta, më konkretisht Dinamo, Kastrioti e ndoshta edhe Tërbuni i Pukës. Në këtë situatë të krijuar Komitet Ekzekutiv i Federatës Shqiptare të Futbollit, i cili pritet të mblidhet pas një jave, do të marrë në shqyrtim disa propozime, për të gjetur formulën e duhur, që të nxitet një garë e fortë në të dy grupet. Një mundësi është spostimi i Besës apo Lushnjën në Grupin e Veriut, që detyrimisht duhet të shoqërohet me kalimin ndoshta të Kamzës apo Ilirisë në Grupin e Jugut, ndërsa nuk përjashtohet mundësia që ta pranohet një tjetër formulë, në bazë të së cilës 4 skuadrat më të mira të çdo grupi, të zhvillojnë ndeshje shtesë me 4 më të fortat e grupit tjetër në një minikampionat, që do t’u jepte mundësi skuadrave më të forta, qofshin këto në të njëjtin grup, për t’u ngjitur në elitën e futbollit shqiptar.

  Alban Meha “fluturon” në Bundesligë

 Paderborni i Alban Mehës siguroi matematikisht ngjitjen në Bundesligë. Skuadra ku aktivizohet mesfushori i kombëtares fitoi 2-1 ndeshjen e fundit në shtëpi ndaj Aalen duke siguruar kalimin mes klubeve më të mira të vendit, ku një kontribut të jashtëzakonshëm ka dhënë padyshim dhe gjeniu i goditjeve të dënimit. Meha, i cili luajti për më shumë se 70-të minuta në ndeshjen e fundit të kampionatit, në total këtë vit ka realizuar 12 gola në 23 ndeshje të luajtura, duke qenë shpeshherë vendimtar me finalizimet e tij. Ndërkohë, Grojther Fyrthiskuadra tjetër e shqiptarëve Mavraj dhe Azemi do të luajë në “play-off” me Hamburgun, për ekipin e 18-të të vitit të ardhshëm në Bundesligë. Edmond Kapllani e mbylli me gol këtë vit me Frankfurt, teksa shënoi në fitoren 2-0 ndaj Këlnit, që kishte siguruar më parë rikthimin në Bundesligë.

 U-19, miqësore Itali-Shqipëri

 Kombëtarja shqiptare U-19 do të luajë kundër homologëve italiane, një miqësore, më 14 maj. Ekipi i Foto Strakoshës do te vazhdoje kështu fushatën seleksionuese dhe përgatitore për Europianin e ardhshëm të asaj moshe. Ndeshja do të luhet në Itali në stadiumin “Livio Luci” në Camerino.