Tropojani i bankinës së “demave” nënshkruan për një vit e gjysmë

510
Sigal

Vjen Gega, largohen koreani Hyon Uk dhe shkodrani Hysenaj. Barcelona bën merkato në Modena

Partizani ka blinduar trajnerin Skënder Gega. 55-vjeçari ka nënshkruar kontratën e rinovimit edhe për 1 vit e gjysmë me 15 herë kampionët e vendit. Rezultate e arritura, harmonia dhe fryma pozitive kanë bërë që Presidenti Demi mos ta verë në dyshim nënshkrimin e kontratës me parametra financiarë më të përmirësuara. Gega ka firmosur një kontratë 6-mujore dhe nuk ngurroi ta rinovonte atë pas ecurisë së shkëlqyer me të kuqtë. Pavarësisht se shquhet për qetësinë e tij, titulli për trajnerin 55-vjeçar është kthyer në sfidë personale. Të kuqtë udhëheqin kampionatin në gjysmën e parë të sezonit me një diferencë +3 pikë nga ndjekësit kuksianë. Gega dhe Partizani do të vazhdojnë bashkëpunimin edhe në të ardhmen, ndërsa dy futbollistë jo. Koreani So Hyon Uk është larguar nga “Demat e Kuq” dhe aventura e tij te Partizani është mbyllur. Mbrojtësi nuk ka bindur teknikun Gega dhe ka luajtur vetëm katër ndeshje këtë sezon, të katërta nga stoli dhe ka vetëm 58 minuta lojë në emrin e tij. Edhe 19-vjeçari shkodran Senad Hysenaj ka ndërprerë bashkëpunimin me të kuqtë dhe tashmë është lojtar i lirë.

Barcelona “plaçkit” Sassuolon

 Kevin-Prince Boateng tashmë u ka thënë lamtumirë bashkëlojtarëve gjatë drekës së djeshme dhe pritet t’i kryejë testet mjekësore ditën e sotme. Sipas mediave italiane klubet kanë arritur marrëveshje huazimi në vlerë 2 milionë euro, me Barçën që ka si opsion për ta blerë pastaj për 8 milionë euro të tjera në fund të sezonit. Por gjiganti katalonas nuk do kthehet vetëm me ganezin nga Modena bisedimet kanë përfunduar edhe për mesfushorin Sensi, por për sezonin e ardhshëm. 23-vjeçari është kërkuar edhe nga Milani dhe ka kontratë me Sassuolon deri në qershor të vitit 2020.