Triumfet fshehin gjendjen e mjerueshme të futbollit në Ballkan

446
Skuadrat e Ballkanit duken të vendosura të prezantohen mirë në Euro 2016, por shumë tifozë ende po largohen nga një sport që e shohin si të zhytur në politikë dhe korrupsion.
Jo më pak se katër skuadra futbolli nga Ballkani, Shqipëria, Kroacia, Rumania dhe Turqia, janë kualifikuar tashmë për Kampionatin Europian të vitit të ardhshëm ndërsa Bosnja mund ti bashkohet atyre nëse fiton kundër Irlandës muajin e ardhshëm.
Është numri më i madh i shteteve në rajon që është kualifikuar ndonjëherë në një kompeticion kaq të madh, por analistët thonë se suksesi është vetëm relativ, për shkak të gjendjes së keqe që ka prekur futbollin në Ballkan.
Ndërsa dhjetëra mijëra njerëz në Shqipëri mbështetën skuadrën kombëtare dhe shprehën gëzimin për kualifikimin në Euro 2016, disa tifozë në Kroaci dhe Rumani shprehin zhgënjim rreth një loje që nuk e shohin më si të tyren.
Në Zagreb, 30-vjeçari Ivan, i cili punon në zyrën e avokatisë, tha për BIRN se megjithëse skuadra kombëtare kroate e futbollit fitoi një vend në Euro 2016, ai nuk kishte qëllim ta ndiqte lojën.
“Kryesia e Federatës Kroate të Futbollit, HNS, po përdor skuadrën dhe federatën për interesat vetjakë dhe nuk dua të bëj tifozllëk për një skuadër suksesi i të cilës mund të forcojë vetëm pushtetin e tyre,” tha ai.
HNS drejtohet nga ish-sulmuesi i famshëm, Davor Suker, ndërsa Zdravsko Mamiç, drejtor i klubit të fuqishëm Dinamo Zagreb besohet se ka një ndikim të madh.
Tifozët kroatë kanë shkaktuar disa skandale në dy vitet e fundit. Në më të fundit, në qershor, një kryq i thyer u valëvit në stadiumin e qytetit Split. HNS është ndëshkuar disa herë nga UEFA.
Shumë mbështetës thonë se janë të zhgënjyer me mënyrën sesi HNS e drejton futbollin në Kroaci, ashtu edhe në disa klube.
Tifozeria fanatike e Dinamos, njohur si Djemtë e Këqinj Blu, e kanë bojkotuar klubin për vite, duke këmbëngulur që Mamiç të largohet dhe duke e quajtur atë të korruptuar dhe autoritar.
Mamiç është akuzuar disa herë se ka detyruar kontrata të pafavorshme te lojtarët që mendohet se ishin të detyruar t’i jepnin atij 25 për qind të rrogave.
Raportet dolën në vitin 2009 pasi lojtari Eduardo da Silva paditi Mamiçin për kushtet e kontratës së tij. Silva fitoi çështjen në janar 2014, kur gjykatësi e shpalli kontratën të pavlefshme.
Mamiç dhe vëllai i tij Zoran, menaxheri i Dinamos, u arrestuan me dyshimin e aktiviteteve korruptive në korrik. Më vonë ata u liruan, por hetimi po vazhdon.
Situata është e ngjashme në Rumani ku disa tifozë nuk kanë të njëjtin entuziazëm për performancën e skuadrës kombëtare.
Gazetari Andrei Craciun thotë: “Ne ishim me fat që zumë një vend në Euro 2016, por e ardhmja është e zymtë”.
“Duhet të jemi të ndershëm dhe të pranojmë se kombëtarja rumune ka luajtur një lloj futbolli të shëmtuar dhe të dobët… kryesisht për shkak të mungesës së strategjisë nga trajnierët dhe nga kryesia e federatës kombëtare”.
Adhuruesit dhe analistët e futbollit thonë se futbolli rumun është në një gjendje të keqe për shkak të korrupsionit dhe mënyrës së dobët të financave të klubeve.
Gjashtë klube në ligën kryesore e kanë filluar këtë sezon pa para dhe janë përfshirë në procedurat e falimentit. Disa zyrtarë futbolli gjithashtu janë dënuar për korrupsion.
Në qershor, prokurorët anti-korrupsion akuzuan Gheorghe Chivorchian, sekretarin e përgjithshëm të Federatës Rumune të Futbollit, FRF, se ka abuzuar me pozicionin dhe ka falsifikuar dokumente.
Vitin e shkuar, tetë drejtues të lartë dhe personalitete menaxhimi u dënuan me burg nga gjykatat që i shpallën fajtorë për transferimin e çrregullt të lojtarëve të futbollit jashtë shtetit.
Rastet e ndeshjeve me rezultate të manipuluara dhe transferime të paligjshme të lojtarëve janë ekspozuar vazhdimisht nga media.
Lidhja e futbollit me politikën është një tjetër arsye për uljen e reputacionit. Shumë në Rumani thonë se kryesia e FRF përbëhet tani nga njerëz që janë të afërt me koalicionin qeverisës, ndërsa trajneri i skuadrës kombëtare të futbollit është një ish-deputet brenda një partie në koalicionin qeverisës.
Politika dhe fubtolli janë gjithashtu të ndërthyrura në Kroaci, ku Mamiç dhe kryesia e HNS janë të lidhur me Bashkimin Demokratik Kroat, HDZ, nga qendra e djathtë në opozitë.
Mamiç nuk e ka fshehur lidhjen e tij me HDZ gjatë viteve, duke marrë pjesë në protestat politike dhe duke financuar fushatat elektorale të presidentes kroate mbështetur nga HDZ, Kolinda Grabar Kitaroviç.
Dinamo e mbështeti publikisht HDZ në zgjedhjet parlamentare të 2007 me një reklamë ku deklaronte mbështetjen, firmosur nga lojtarët dhe stafi.
Nga ana e tyre, politikanët kroat shuajnë borxhet e ish-klubeve të zotëruara nga shteti si Dinamo dhe Hajduk Split, që u privatizuan, duke i kushtuar publikut miliona euro.
Marko Mustapiç, një kërkues na Instituti i Kërkimit Social Ivo Pilar në Zagreb, thotë se politikanët e kanë përdorur prej kohësh popullaritetin e futbollit për arsye politike.
Politikanët shqiptarë gjithashtu janë përpjekur të përdorin entuziazmin e publikut për skuadrat e futbollit dhe ta përdorin atë në avantazhin e tyre.
Pas kualifikimit të papritur të Shqipërisë në Euro 2016, kryeministri Edi Rama iu bashkua festimeve në Tiranë, ku fishekzjarrët shpërthyen gjatë natës dhe mori pjesë në një program televiziv duke komentuar për ngjarjen.
Ai gjithashtu u përpoq të promovojë veten si një ndërmjetës pas incidentit në të cilin një dron me një flamur të Shqipërisë Etnike fluturoi mbi fushë në ndeshjen e parë shkatërrimtare mes Shqipërisë dhe Serbisë në Beograd në 2014.
Analistët thonë se ndërsa format e nacionalizmit sportiv kanë evoluar gjatë dekadave të shkuara, sporti mbetet një mjet i fuqishëm për të përhapur ndjenjën kombëtare ose ideologjinë.
“Megjithëse përdoret për qëllime politike dhe bashkëdrejtohet nga elitat politike, është bërë më banal,” vëzhgon Dario Brentin, kërkues në Qendrën e Stuimeve Europiano Juglindore në Universitetin Grac.
“Nacionalizmi sportiv sot strehon lidhje emocionale me kombin dhe shkakton patriotizëm fakultativ çdo ditë. Këtu për fat të keq shoh një vazhdim të fortë të viteve 1990, kur futbolli kryesisht funksiononte si një tregues i diferencave,” shtoi ai.
Në disa vende të Ballkanit, veçanërisht në Rumani dhe Kroaci, futbolli ka nevojë për katarsis. Klubet tradicionale të futbollit po falimentojnë prej pretendimeve për nepotizëm, korrupsion, strukturave alla mafia të klubit, dhunës që lidhet me futbollin dhe mungesës së përgjithshme të cilësisë ose konkurrencës.
“Të gjitha këto zhvillime tregojnë për seriozitetin e çështjes në të gjithë rajonin,” thotë Dario Brentin. “Nuk mund të bëj parashikime, por kultura e tanishme e futbollit në rajon nuk duket se do të jetë e qëndrueshme në kuptim afatgjatë”./BIRN/
Sigal