“Triple” Kapllani, durrsaku “shtyp” Dinamon e Drezdenit

542
Sigal

 Sulmuesi shqiptar realizoi tre gola në fitoren e bujshme të FSV Frankfurtit në transfertën e Drezdenit

Edmond Kapllani shënoi tre gola të mrekullueshëm në fitoren 3-0 kundër Dinamos së Drezdenit, në javën e katërt të Bundesligës 2 gjermane, duke konfirmuar momentin magjik pas grumbullimit me Kombëtaren në miqësoren e fituar 2-0 ndaj Armenisë. Për sulmuesin durrsak, i cili shënoi për herë të parë një “tripletë” në Gjermani, këta ishin golat me numër 52, 53 dhe 54 në karrierën e tij thuajse dhjetëvjeçare në kampionatet gjermane, midis Bundesligës 1 dhe asaj 2, ku dhe durrsaku ka shpenzuar pjesën më të madhe të karrierës së tij, pas aktivizimeve me Partizanin dhe Besën në Shqipëri, si dhe Rijekën në Kroaci. Këtë sezon, Kapllani ka shënuar edhe një gol në Kupën e Gjermanisë.

NDESHJA – FSV Frankurti vinte në transfertën e Drezdenit, pas fitores minimale 1-0 kundër Bohumit, teksa në dy ndeshjet e para kishte humbur Karlsruherin dhe 1869 Munih. Dinamo e Drezdenit pësoi për herë të dytë rresht tre gola në shtëpi, ndërkohë që s’ka fituar asnjë takim në katër ndeshjet e deritanishme të sezonit. Një dështim i plotë për ish-trajnerin Hamdi Salihit te Rapid i Vjenës, Peter Pakult, tashmë të Dinamo e Drezdenit. Nga ana e tij, trajneri i Frankurtit, Beno Mëhleman i besoi të njëjtin formacion, me të cilin ai fitoi takimin kundër Bohumit. Sulmuesi Edmond Kapllani e nisi takimin si titullar, ndërkohë që mesfushori Odise Roshi qëndroi gjatë gjithë kohës në bankinë. Dinamo e Drezdenit e nisi me ofensivë takimin, por rastin e parë për gol e pati pikërisht Edmond Kapllani në minutën e 5-të, por pa shënuar dot. Gjithsesi, goli i parë i durrsakut dhe i takimit erdhi në minutën e 44-t, kur Kapllani shënoi thuajse me portën bosh pas një pasimi të Metju Lekit. Pesë minuta nga fillimi i pjesës së dytë, ishte sërish Kapllani që dyfishoi shifrat me një goditje nga rreth 16 metra pas punës përgatitore të Gërlicit, çka solli edhe reagimin agresiv të tifozëve vendas kundër skuadrës së tyre. Goli i tretë i Frankfurtit ishte produkt i një loje logjike të sulmit dhe të ndodhjes “në kohën e duhur në momentin e duhur” të Kapllanit. Epshtajn goditi shtyllën, topi u rikthye në lojë dhe sulmuesi shqiptar shënoi lehtësisht në minutën e 69-të nga një distancë e shkurtër. Pesë minuta më pas, ai u ndërrua nga trajneri për arsye taktike, por me tifozët e FSV Frankfurtit që e duartrokitën gjatë. Sipas mediave gjermane, dy lojtarët më të mirë në fushë ishin Edmond Kapllani dhe Metju Leki, që të dy të FSV Frankfurtit.

Golat sipas ekipeve

Karlsruher SC

118 ndeshje, 26 gola, 7 asistë

FSV Frankfurt

30 ndeshje, 14 gola, 5 asistë

SC Paderborn 07

23 ndeshje, 8 gola, 1 asist

TuS Koblenz

17 ndeshje, 5 gola, 1 asist

FC Augsburg

8 ndeshje, 1 gol, 0 asistë

Total

196 ndeshje, 54 gola, 14 asistë

 Skuadra e dytë e qytetit të Frankfurtit

 FSV Frankfurti është ekipi i dytë i qytetit të Frankfurtit, pasi është Ajntrahti skuadra më e madhe në të gjitha termat. Sezoni i kaluar ishte edhe më i miri në historinë e FSV Franfkurtit, pasi kurrë më parë ata e kishin përfunduar kampionatin në vendin e katërt në Bundesligën 2. Dhe për këtë një meritë të jashtëzakonshme, pa dyshim ka dhe sulmuesi Kapllani, i cili me 11 golat e tij ishte dhe realizuesi më i mirë i skuadrës. Golat e tij kanë qenë shumë të vlefshëm, ndërsa nuk duhet të harrojmë se një gol e ka shënuar edhe mesfushori i Kombëtares, Odise Roshi.

 Odise Roshi

 Përveç sulmuesit Edmond Kapllani, te FSV Frankfurti luan edhe mesfushori Odise Roshi. Kapllani jeton prej disa vitesh në Gjermani dhe është një njohës i mirë i gjuhës gjermane, çka e ka ndihmuar edhe Roshin në fillimet e tij. Roshi shënoi sezonin e kaluar dy gola: një kundër St. Paulit dhe një tjetër kundër Dinamos së Drezdenit. Këtë sezon nuk realizuar, teksa është aktivizuar në tri nga katër ndeshjet e deritanishme, ose në total 203 minuta.

 Sulmuesi kavajas ka shënuar 58 gola. Kapllani vjen i dyti me 54 gola. Skela kompleton podiumin me 53 gola

 Altin Rraklli, “bomberi” më i mirë në tokën gjermane

 Altin Rraklli është lojtari shqiptar, që ka shënuar më shumë gola në Gjermani. Trajneri aktual i Kombëtares së femrave realizoi në total 58 gola: 16 në Bundesliga 1 (në 111 ndeshje) dhe 42 gola në Bundeliga 2 (në 171 ndeshje). Realizuesi i dytë më i mirë tashmë është Edmond Kapllani, i cili ka realizuar 54 gola, ose katër më pak se Rraklli. Kapllani ka veshur fanellën e pesë skuadrave midis Bundesligës 1 dhe 2, duke shënuar në total 54 gola në 196 ndeshje: 3 në Bundesligën 1 (në 54 ndeshje) dhe 51 në 142 ndeshje në Bundesligën 2. Emdondi i të gjitha mundësitë të thyejë rekordin e Rrakllit, pasi është ende në aktivitet. Ervin Skela është shënuesi i tretë më i mirë në Gjermani. Fantazisti ka realizuar 53 gola, pesë më pak se Rraklli, por Ervini është realizuesi më i mirë shqiptar në Bundesligën 1: 23 gola, kundrejt 16 të Rrakllit. Skela ka shënuar 21 gola në 168 ndeshje në Bundesliga 1 dhe 32 gola në 145 ndeshje në Bundesliga 2. Fatmir Vata ka realizuar 38 gola në karrierën e gjatë të tij në Gjermani: 8 gola në Bundesligën 1 (88 ndeshje), 30 gola në Bundesligën 2 (131 ndeshje) dhe 1 gola në Bundesligën 3 (15 ndeshje). Igli Tare ka shënuar 28 gola në Gjermani, 4 në Bundesligën 1 (34 ndeshje) dhe 24 gola në Bundesligën 2 (64 ndeshje), por karriera e ish-kapitenit më shumë është zhvilluar në Itali. Ish-sulmuesi kavajas, Skerdilaid Curri, ka shënuar 28 gola në Gjermani: 20 në Bundesligën 2 (182 ndeshje) dhe 8 në Bundesligën 8 (63 ndeshje). Alban Meha, mesfushori i i Padebornit dhe i Kombëtares, ka shënuar 11 gola në Gjermani, që të gjithë në Bundesligën 2 (58). Altin Lala, legjendari i Hanover 96, realizoi 10 gola në Gjermani: 1 gol në Bundesligën 1 (181 ndeshje) dhe 9 gola në Bundesligën 2 (115 ndeshje). Rudi Vata ka shënuar 2 gola, 1 në Bundesligën 1 (31 ndeshje) dhe 1 në Bundesligën 2 (58 ndeshje). Odise Roshi, i cili tani luan si i huazuar me FSV Frankurtin , ka shënuar 3 gola: 1 në Bundesligën 1 (20 ndeshje) dhe 2 në Bundesligën 2 (21 ndeshje). Jahmir Hyka nuk shënoi asnjë gol në 13 ndeshjet e tij me Maincin.

 Golashënuesit shqiptarë

Altin Rraklli        58 gola

Edmond Kapllani      54 gola

Ervin Skela          53 gola

Fatmir Vata          39 gola

Igli Tare            28 gola

Skerdilaid Curri           28 gola

Alban Meha           11 gola

Altin Lala           10 gola

Odise Roshi          3 gola

Rudi Vata            2 gola

 Rraklli “blen” tre kosovare

 Po shtohet numri i futbollisteve kosovare në kombëtaren shqiptare. Karshi djelmoshave kosovarë që e kanë vërshuar kombëtaren kuqezi të meshkujve, këtë kanë filluar ta bëjnë edhe vajzat kosovare. Ky tashmë ka filluar të bëhet trend i zakonshëm në ekipet kombëtare, në të dy konkurrencat. Javën e kaluar ftesë për t’iu bashkangjitur ekipit kombëtar kuqezi U-19 kanë pranuar tri vajzat e skuadrës mitrovicase Trepça’89, Jehona Ademi (17 vjeçe), Arta Rama (17 vjeçe) dhe Egzona Zeka(16 vjeç). Ftesa për në Kombëtare  ka ardhur pas një sërë ndeshjesh miqësore të zhvilluara ndaj ekipeve të Shqipërisë dhe Kosovës, të cilat ishin si vëzhgime për përzgjedhësin e kombëtares, Altin Raklli. Në Kombëtaren U-19 të femrave luan edhe kosovarja Blerina Musa, e cila tashmë është grumbulluar në kombëtaren A.

   Vila, super gol në “thriller”-in e Tripolit

 Goli i mrekullueshëm i realizuar nga durrsaku Emiljano Vila nuk i mjaftoi PAS Janinës të merrte një fitore të çmuar në barazimin “thriller” 3-3  kundër Asteras Tripolis, në ndeshjen e vlefshme për javën e parë të kampionatit grek. PAS Janina e katër shqiptarëve: Andi Lilës, Emiljano Vilës, Simon Rumbullakut dhe Arben Muskajt kaloi tri herë në avantazh, por po aq herë barazuan vendasit, teksa golin e fundit të takimit e realizoi Pol në minutën e 87-të. PAS Janina kaloi në avantazh me anë të Tsukalasit me penallti (11’), por pas dy minutash barazoi Usero po me penallti. Sërish kaloi PAS Janina në avantazh me anë të Çavezit (28’), ndërsa Asteras Tripoli barazoi me De Blazis. Emiljano Vila realizoi golin e tretë në minutën e 57-të, me një gjuatje të bukur nga distanca, duke mos i dhënë asnjë mundësi Gjeorgakopulosit për të frenuar sferën. Njëzet minuta më pas Pol i çoi shifrat në 3-3, për të mbyllur kështu dhe serialin e golave.