Tregon De Biazi: Shqipëria pret drejtësinë e munguar

69
Përtej optimizmit që ka ngjallur fitorja me Armeninë dhe fakti që Shqipëria është shumë pranë kualifikimit për një veprimtari madhore futbollistike, Xhovani De Biazi, trajneri i kuqezinjve, është një njeri me këmbët në tokë dhe këtë kërkon edhe nga skuadra e tij. Në një prononcim ekskluziv për AlbanianSport.net, trajneri i Kombëtares kuqezi bën një analizë të punës së tij 3-vjeçare, flet për shanset e Shqipërisë për t’u kualifikuar për në Euro 2016, si dhe u përgjigjet kritikëve të skemave dhe zgjedhjeve të tij.De Biazi shpreson te drejtësia në Lozanë pas pak ditësh, si dhe zbulon anën “shqiptare” të tij. Vetëm pak ditë na ndajnë nga vendimi i KAS-it për ndeshjen Serbi-Shqipëri dhe Xhovani De Biazi shpreson tek vendosja e drejtësisë. Italiani i bankinës kuqezi kërkon që ta mbajë skuadrën larg euforisë, duke deklaruar se ka ende ndeshje për të shkuar në Francë. “Jo, sigurisht që jo, sepse jemi ende në mes të rrugëtimit tonë dhe prandaj nuk e shohim dot akoma me sy Parisin dhe duhet të qëndrojmë këtu, me këmbët në tokë. Në shtator kemi dy ndeshje shumë të vështira, më datë 4 me Danimarkën dhe 7 me Portugalinë, dhe këto janë me të vërtetë dy sfida duhet t’i kapërcejmë”, thotë De Biazi, i cili për ndryshimin e bërë në kombëtaren shqiptare do të deklaronte: “Ka ndryshuar ajo që kemi punën e dy viteve të mia të para, ku, sipas meje, kemi bërë një punë të mirë për rinovimin e grupit të lojtarëve dhe kemi arritur të gjejmë lojtarë të mirë, që po punojnë për grupin dhe po japin gjithçka për Kombëtaren tonë”. Me fat, apo jo? Kjo ka qenë pyetja për De Biazin, i cili ka dhënë këtë përgjigje: “Fati gjithmonë është aty dhe të ndihmon, sidomos kur është i mirë. Por unë besoj se ju e mbani mend që kur erdha në Shqipëri po mbyllej një cikël i kësaj skuadra. Ishin shumë lojtarë të rëndësishëm, të tillë si Bogdani apo Lala, të cilët po e mbyllnin me fanellën kuqezi dhe prandaj ishte një periudhë e vështirë. Dyvjeçari i parë nuk ka qenë i lehtë, por besoj se kemi bërë një punë të mirë dhe prandaj edhe presidenti Duka vendosi të na ofrojë rinovimin e skuadrës”. 
Kritika – De Biazi e ka pasur një përgjigje për kritikët ndaj skuadrës së tij: “Më duket normale që të ketë kritika, sepse të gjithë trajnerët e Kombëtares kritikohen, qoftë ku fitojnë, qoftë kur humbin. Unë besoj që nëse kritikat vazhdojnë kështu, unë jam i kënaqur sepse ato tregojnë që gjërat po shkojnë mirë. Por besoj se një skuadre si Shqipëria që të ecë përpara i duhet të ruajë baraspeshën, prandaj nuk duhet të rrezikojmë duke u hedhur në sulm dhe duke prishur ekuilibrat, sepse rrezikojmë të bëjmë një figurë të keqe ndaj skuadrave si Danimarka apo Portugalia
Lozana – E premtja duhet të sjellë atë që presin të gjithë shqiptarët, pra trepikëshin e munguar ndaj Serbisë. “Kemi një shpresë, një shpresë se do të vendoset drejtësia. Besoj që ajo që ndodhi me Rusinë në Malin e Zi mund të jetë një motiv për ne për të shpresuar që do të bëhet drejtësi. Në Beograd nuk u krijuan kushtet për të bërë një ndeshje normale dhe prandaj shpresoj që në Lozanë të vendoset drejtësia, sepse ajo humbje në tavolinë që na dha UEFA na penalizon, Pra na ka mundur vetëm Disiplina”.
Pasaporta shqiptare – “Për mua, pasaporta shqiptare ishte një vlerësim për punën që unë kam bërë për këto 3 vjet e 3 muaj që jam në Shqipëri. Mund të them se jam shndërruar në një ambasador për promovimin edhe të Shqipërisë si vend dhe besoj që kjo i ka shkuar në vesh presidentit Nishani, të cilin e falënderoj, dhe jam mirënjohës për këtë dhuratë që mu bë”, ka përfunduar De Biazi, i cili pret tashmë që Shqipërisë t’i jepet drejtësia nga Lozana të premten.