“Tre tenorët” ndahen në Lodër, Ronaldo më i miri

645
Nga Agron KAJA
FIFA “THE BEST”/ U organizua dje në Londër veprimtaria që shpalli më të mirët e vitit, për individë e skuadër, dominojnë nga futbolli spanjoll
Pas një procesi të gjatë, në të cilin kanë marrë pjesë trajnerë, figura të njohura të sportit botëror e më gjerë, dje në Londër konkurrentët u zbardhën. Kanë qenë pesë çmime: Futbollisti më i mirë i FIFA-s, Trajneri më i mirë i FIFA-s, Portieri më i mirë i FIFA-s, Çmimi “Pushkash” dhe Çmimi i Tifozëve, të cilët u përcollën mes emocioneve. Jo vetëm nga të pranishmit në sallën e Londrës, por nga një audiencë e madhe, e cila ka qenë e interesuar pikërisht për fituesit, të cilët me luk të ndryshëm nga ai që përfaqësohen në fusha e stadiume, dje sollën edhe risitë e ndryshimet në jetën e tyre personale. Tre ishin lojtarët kandidatë për Futbollistin më të mirë, i cili fillimisht nisi me listën e 24 lojtarëve nga e gjithë Bota, dhe dje në Londër vendosi përballë “tre tenorët” e zakonshëm: Kristiano Ronaldo i Real Madrid, Lionel Mesi i Barcelonës dhe Neimar i PSG-së. Ata e mbajtën në “ankth” këtë ceremoni, pasi ishin të fundit që hipën në podium, pasi ishin votuar nga një panel i legjendave të FIFA-s. Dhe ishte pikërisht Ronaldo ai që fitoi çmimin “The Best”, si futbollisti më i mirë mashkull për vitin, ku fitoi Ligën e Kampioneve dhe La Ligan me Realin e Madridit. Në çmimin e Futbollistes më të mirë, ra në sy mungesa e fitueses, holandezes Like Mertens, e cila nuk ishte e pranishme në ceremoni, por çmimin e dorëzoi një nga legjendat e futbollit holandez, Marko Van Basten. Jo pa interes u ndoqën edhe çmimet e tjera që kjo ceremoni i shpall në këtë stinë të vitit, ku te trajnerët, në treshen Zidan Real Madrid, Alegri Juventus e Konte Çelsi, më i mirë u shpall Zidan, si fitues i La Ligas në Spanjë dhe i Ligës së Kampioneve në sezonin e shkuar. Nuk mund të shkonte në tjetër vend çmimi për Portierin më të mirë, dhe Xhixhi Bufon i Juventusit sfidoi edhe Navas të Real Madrid dhe Nojer të Bajern Mynih. I veçantë ishte edhe çmimi i tifozerisë më të mirë, dhe çmimi shkoi në Gllazgou të Skocisë, pikërisht për tifozët e Sëlltikut. Ndërsa çmimin për golin më të bukur (Pushkash), e fitoi francezi Oliver Zhirud, si Skuadra më e mirë e vitit me renditjen taktike 1-4-3-3, doli 11-sh: Bufon; Dani Alvesh, Marcelo, Serxho Ramos, Leonardo Bonuçi; Luka Modric, Toni Kros, Andres Iniesta; Lionel Mesi, Nejmar, Kristiano Ronaldo. 
Futbollisti më i mirë i FIFA-s
Kristiano Ronaldo Real Madrid
Lionel Mesi Barcelona
Nejmar da Silva Santos PSG
Futbollistja më e mirë e FIFA-s
Like Mertens Holandë
Karli Lloid USA
Deina Kastejanos Venezuelë
Futbollistja më e mirë femër për sezonin e kaluar është shpallur Like Martens. Holandezja nuk ishte e pranishme për të pranuar çmimin, pasi është në grumbullim me kombëtaren e saj, por ajo u nderua nga legjenda Van Basten, i cili i dorëzoi çmimin.
Trajneri më i mirë i FIFA-s
Zinedin Zidan Real Madrid
Masimiliano Alegri Juventus
Antonio Konte Çelsi
Zinedin Zidan është shpallur si trajneri më i mirë i sezonit të kaluar, në ceremoninë “The Best” që organizon FIFA. Kandidaturat e tjera ishin edhe dy italianët Konte dhe Alegri. Zidan bëri një paraqitje të shkëlqyer vjet me Realin e Madridit, ku fitoi Ligën e Kampioneve dhe La Liga në Spanjë.
Portieri më i mirë i FIFA-s
Xhanluixhi Bufon Juventus
Keilor Navas Real Madrid
Manuel Nojer Bajern Mynih
Çmimi për portierin më të mirë në sezonin e kaluar, shkoi për gardianin e portës së Juventusit, Xhixhi Bufon. Italiani bëri një paraqitje mjaft të mirë vjet me zonjën e vjetër, edhe pse në fund nuk ia doli të fitonte Ligën e Kampioneve. Gjithsesi ai fitoi kampionatin me Juventusin.
Goli më i bukur (Çmimi Pushkash) 
Oliver Zhirud Francë
Deina Kastelanos Venezuelë
Oskarine Masuluke Afrika Jugut
Ceremonia për ndarjen e çmimeve “The Best”, apo Më të Mirët, i dha çmimin e parë që akordohet në këtë mbrëmje gala, i cili ishte ai i golit më të bukur, apo siç njihet ndryshe Pushkash. Goli më i bukur u zgjodh ai i Oliver Zhirud, me votat e të gjithë tifozëve në Botë.
Çmimi i Tifozëve
Sëlltik Skoci
Dortmund Gjermani
Kopenhagen Danimarkë
Tifozët e Sëlltikut janë zgjedhur si tifozeria më e mirë nga FIFA. Në ceremoninë “The Best”, tifozët skocezë u nderuan për koreografinë që krijuan sezonin e kaluar në stadiumin e tyre. Edhe përfaqësuesi i skuadrës së Selltikut, tha se futbolli nuk është asgjë pa ata.
Formacioni më i mirë
Është zyrtarizuar dje edhe çmimi për formacionin e vitit, nga FIFA. Ja 11 lojtarët që plotësuan formacionin 1-4-3-3: Bufon; Dani Alvesh, Marcelo, Serxho Ramos, Leonardo Bonuçi; Luka Modric, Toni Kros, Andres Iniesta; Lionel Mesi, Nejmar, Kristiano Ronaldo.
Sigal