Tre skuadra ndajnë bashkë kreun e kampionatit, me Skënderbeun e Kukësin që ndjekin nga pas

470
Sigal

Superliga vazhdon të ruajë barazitë edhe pas javës së gjashtë

Kjo javë e kampionatit u përcaktua si java e ndeshjeve të mëdha, i derbit të Tiranës dhe java që do ndante luftën për kreun e renditjes, e pasi u mbyll mund të shohim se nuk pati ndryshime të mëdha por takimet e javës së gjashtë në Superligë, sollën rezultate të papritura në disa raste, duke ruajtur edhe një herë balancat e kreut të renditjes me Tiranën, Partizanin dhe Flamurtarin që vazhdojnë të jenë në një hap, por duke lënë pas Skënderbeun që u mund nga Teuta 2-0. Ndeshja më e pritur ishte ajo mes Tirana-Partizani që u nda në një barazim të thjeshtë pa gola dhe pa ndonjë emocion të madh, diçka e pritshme kjo duke parë edhe boshllëkun që mbizotëronte në stadium. Ky rezultat ju dha mundësinë të dyjave të vazhdonin përsëri të ishin në krye të renditjes, duke parë edhe hapat e gabuara që hodhën kundërshtarët direkt që nuk arritën të rrëmbenin asnjë fitore. Ndeshja tjetër e ditës së premte, mes Apolonisë dhe Kukësit u mbyll me fitoren e verilindorëve, një fitore që e ngjit në vendin e 5 të renditjes me pikë të barabarta me Skënderbeun. Ndërkohë kjo e fundit, deri më tani nuk ka arritur të bindë as në lojë dhe as në rezultate, një skuadër që shpesh është rrëzuar duke mos arritur të përmbushë pritshmëritë dhe humbja 2-0 ndaj Teutës është një shembull për këtë, ku tregoi edhe një herë papjekurinë në këtë sezon të kampionëve në fuqi të Shqipërisë. Kjo humbje e vendos edhe një herë në ndjekje të vendit të parë, kur është vetëm një pikë pas kryesuesve. Kryesuesja tjetër e kampionatit, Flamurtari, vuajti në fushën e vet ndaj Laçit që arriti të merrte një barazim të vlefshëm 1-1, barazim që e rikonfirmon edhe një herë si ‘tersin’ e Flamurtarit. Por edhe pse barazuan, kuqezinjtë ndodhen përsëri në kuota të barabarta pikësh me Tiranën dhe Partizanin duke u shfaqur përsëri si pretendente për titull. Ngritje në renditje dhe në lojë ka bërë skuadra e Vllaznisë që gjendet në vendin e gjashtë me 8 pikë, një vend i gjashtë që mund të ishte shumë mirë një vend i parë, duke parë se Vllaznia e ka nisur kampionatin me -3 pikë. Kjo ecuri, pavarësisht luhatjeve të fillimit, tregon se Vllaznia ndeshje pas ndeshje po përmirësohet dhe mund të futet si pretendente për titull. Ndërkohë, Laçi dhe Teuta ndajnë përkatësisht vendin e gjashtë dhe të shtatë me pikë të barabarta, ku të dy skuadrat treguan në këtë javë se mund të jenë ndëshkueset e cilësdo skuadër të kreut. Nga ana tjetër, zhgënjimi i këtij kampionati, Elbasani, vazhdon të ruajë rekordin negativ e të qëndrojë në kuotën e 0 pikëve pas gjashtë javësh kampionat. Me këto rezultate e përforcon pozitën e vet si skuadra që do të bjerë e para nga kategoria. Një javë e vakët kjo në të cilën u shënuan vetëm 6 gola, katër më pak se javën që shkoi dhe gjithashtu bie në sy Partizani që vazhdon të dominojë në mbrojtje duke mos pësuar asnjë gol këto katër javët e fundit.

Ndeshjet e luajtura

Apolonia 0-1 Kukësi

Tirana 0-0 Partizani

Vllaznia 1-0 Elbasani

Flamurtari 1-1 Laçi

Teuta 2-0 Skënderbeu

Nr Skuadra Nd F B H P
1 FK Tirana 6 3 2 1 11
2 KF Flamurtari 6 3 2 1 11
3 KF Partizani 6 3 2 1 11
4 KF Skënderbeu 6 3 1 2 10
5 KF Kukësi 6 3 1 2 10
6 KF Vllaznia 6 3 2 1 8
7 KF Teuta 6 2 1 3 7
8 KF Laçi 6 1 4 1 7
9 KF Apolonia 6 1 1 4 4
10 KF Elbasani 6 0 0 6 0

“Elbasan Arena” drejt përfundimit, në kohë për ndeshjen e 11 tetorit

Duket se punimet në stadium po ecin me hapin e duhur, pasi çdo gjë është drejtë përfundimit, që nga shkallët, stolat, fusha dhe vijëzimi, ndriçimi e deri tek dhomat e zhveshjes. Pavarësisht se punimet aktualisht po bëhen me dyer të mbyllura duke mos lejuar askënd të futet brenda, përveç punonjësve, përsëri bëhet e ditur se çdo gjë po ecën sipas planit dhe stadiumi ka marrë formën e projektuar. Ndeshja hapëse do të jetë pikërisht ajo e Shqipërisë ndaj Danimarkës me 11 tetor, një ndeshje që do ketë emocione të dyfishta, si për stadiumin e ri ashtu edhe për Kombëtaren.