Tre skenarët e “frikshëm” të grupit B

538
Sigal

Nga grupi A, Skënderbeu dhe Kukësi e kanë siguruar biletën për në gjysmëfinalet e Kupës së Shqipërisë

Skënderbeu dhe Kukësi – dy vendet e para të grupit A – janë dy skuadrat e para gjysmëfinaliste të edicionit të 61-të të Kupës së Shqipërisë, ndërkohë që për dy biletat e grupit B janë në lojë tri skuadra: Bylisi, Laçi dhe Flamurtari, ku dhe “skenarët” janë tepër intrigues, kjo për vetë renditjen e skuadrave dhe diferencave në golaverazh. Ndeshjet e fundit çerekfinale (të gjashtat në grup) do të luhen sot dhe përballë do të jenë çiftet: Kukësi-Skënderbeu dhe Shkumbini-Kastrioti (nga grupi A), si dhe Laçi-Bylisi dhe Flamurtari-Teuta (nga grupi B). Tri skuadrat e grupit B të çerekfinaleve të Kupës së Shqipërisë, Flamurtari, Bylis dhe Laçi do të luajnë sot ndeshjet e fundit dhe vendimtare duke hedhur të gjitha forcat në fushë. Dy prej këtyre skuadrave do të kalojnë në gjysmëfinale, ndërsa, ekipi i katërt, Teuta është prej kohësh jashtë loje. Bylis kryeson grupin me 12 pikë, Flamurtari dhe Laçi vijnë më pas me nga nëntë pikë. Por një fitore e Flamurtarit kundër Teutës në Vlorë dhe e Laçit me Bylisin në fushën e vet, do të ngatërronte keqazi çështjen e kualifikimit. Ky “skenar” do t’i dërgonte të gjitha skuadrat me pikë të barabarta (12) në fund të eliminatoreve. Sipas Rregullores së Kupës së Shqipërisë, në këtë rast do të vlenin pikët në ndeshjet direkte. Ky skenar lë gjithashtu gjithçka të hapur pasi pikët në ndeshjet direkte do të ishin sërish të barabarta (secila do t’i kishte marrë njëra-tjetrës nga 6 pikë). Ajo që vlen më pas është golaverazhi në ndeshjet direkte. Nëse Laçi-Bylis përfundon me një gol diferencë në favor të vendasve, atëherë edhe golaverazhi do të ishte i njëjtë për të gjithë (I barabartë). Vetëm në këtë rast do të hynte në punë golaverazhi i përgjithshëm që për momentin shpërblen Bylisin, ndërsa Flamurtari për të mos u eliminuar duhet të shënonte të paktën katër herë kundër Teutës. Nëse kjo ndodh atëherë do ta pësonte Laçi.

Llogaritë e skuadrave- Sidoqoftë, secili nga klubet i ka në duart e veta fatet e kualifikimit. Bylisit që kryeson renditjen i duhet të mos mundet me dy gola diferencë në Laç. Një humbje minimale e kualifikon në çdo rast (pavarësisht se çfarë bën Flamurtari në Vlorë). Diskutimi I kundërt  për Laçin: duhet të mundë me dy gola diferencë Bylisi. Një tjetër mundësi për laçjanët është të fitojnë me një gol diferencë kundër Bylisit dhe Flamurtari të mos fitojë me katër gola diferencë ndaj Teutës.  Vlonjatët kanë një detyrë më të vështirë: duhet të fitojnë me katër gola diferencë për të mos pyetur se çfarë ndodh në Laç. Nëse nuk fitojnë dot kaq thellë (por mjaftohen me një fitore, e domosdoshme për ta) duhet të shpresojnë që Laç nuk do e mundë Bylisin me vetëm një gol diferencë. Kjo është mundësia e vetme ku ata do e shihnin veten jashtë.

  GRUPI A

 KUKËSI-SKËNDERBEU

Të dyja ekipet e kanë siguruar kualifikimin dhe ndeshja ka vlera simbolike për vendin e parë në grup, pasi dhe shorti i gjysmëfinaleve është i lirë dhe “goglat” mund t’i përballin sërish në gjysmëfinale. Skënderbeu i ka fituar të pesta ndeshjet, përfshirë dhe atë me Kukësin me rezultatin 4-2, njëherësh edhe humbja e vetem e kuksianëve. Trajneri Mirel Josa pritet të hedhë në fushë Fagun (të rikthyer pas një dëmtimi shtatë mujor) dhe Tomiçin. Që të marrë vendin e parë në grup, Kukësi duhet të fitojë 7-0 me kampionët në fuqi, pasi aktualisht Skënderbeu e ka golaverazhin +12 (15 pikë), ndërsa kuksianët e kanë +6 (12 pikë). Gjë që ka pak gjasa të ndodhë. Skënderbeu mbërrin në “Zeqir Imeri” pas fitores 3-1 me Shkumbinin në Korçë, ndërsa Kukësi pas fitores 3-0 me Kastriotin në Krujë. Skënderbeu ka golashënuesin më të mirë në Kupën e Shqipërisë, Sebino Plakun (6 gola). Për Kukësin është Igli Allmuça (2). Për korçarët, që humbën sezonin e kaluar në finale kundër Tiranës kjo do të jetë hera e 9-të që mbërrin në gjysmëfinale, ndërkohë që për kuksianët është një arritje historike. Kukësi do të jetë për herë të parë midis katër më të mirave të një edicioni të Kupës së Shqipërisë, ndërkohë që formacioni i Armando Cungut ka dhe meritën se eliminoi Tiranën, fituesen e edicionit të kaluar.

  SHKUMBINI-KASTRIOTI

Të dyja skuadrat janë jashtë loje dhe përballja midis tyre është vetëm për statistikë. Priten që trajnerët Mile dhe Dollaku të aktivizojnë lojtarët me më pak minuta në këmbë. Shkumbini i ka humbur të pesë ndeshjet e luajtura, ndërkohë që Kastrioti ka humbur katër nga pesë takimet. Nuk përjashtohet një goleadë festive nga të dyja skuadrat, nëse ndeshje do të jetë e kuotuar në kompanitë e basteve.

 GRUPI B

 FLAMURTARI-TEUTA

Flamurtari është para një misioni jo të vështirë kur të përballet me Teutën në ndeshjen e fundit në fazën e grupeve të çerekfinaleve, kjo dhe për faktin se durrsakët i kanë humbur të pesë ndeshjet e deritanishme (madje kanë një golevarezh negativ -12). Flamurtari nuk humbet prej pesë ndeshjesh (katër në kampionat dhe një në Kupë) dhe të gjithë besojnë se, optimizmi që ka futur trajneri Ernest Gjoka do t’i mbajë ngrohtë vlonjatët edhe për ndeshjen kundër Teutës. Në fakt, Flamurtari dhe Teuta do të përballen dy herë brenda katër ditëvë midis tyre, pasi do sfidojnë njëra-tjetrin edhe të dielën për kampionat, teksa Flamurtari ndodhet në vendin e tretë me dy pikë më pak se Teuta e vendit të dytë, dhe një fitore e vlonjatëve do të thoshte automatikisht vendi i dytë pas Skënderbeut. Flamurtari do të vuajë tri mungesa të rëndësishme përballë Teutës për kupë:  Rajoviç, Mici e Arbri kanë plotësuar numrin e kartonëve. Ndërkaq, Memelli, golashënuesi më i mirë i kampionatit (15 gola) nuk do të luajë në takimin për kampionat, po për shkak kartonësh. Në ndeshjen e parë, të luajtur në “Niko Dovana”, Flamurtari fitoi 3-2 (dopjetë e Migen Memellit, e shoqëruar me golin e Gjergj Muzakës), pikërisht në debutimin e trajnerit të ri, Ernest Gjoka, i emëruar në atë detyrë pas shkarkimit të spanjollit Hulian Rubio pas humbjes 0-1 me Bylisin, në Vlorë. Flamurtari vjen pas fitores 3-2 me Bylisin në Ballsh (për kupë) dhe 3-0 me Shkumbinin në Peqin (për kampionat), teksa të gjithë lojtarët kuqezinj ndihen në top formë, pas një serie prej pesë fitoresh rresht. Teuta po bën shumë mirë në kampionat, por në çerelfinalet e kupës nuk ka mundur të grumbullojë asnjë pikë.

 LAÇI-BYLIS

Kjo është dhe ndeshja që pritet me më shumë interes në ditën e gjashtë dhe të fundit të çerekfinaleve. Në fakt, Bylisi ka tri pikë më shumë se Laçi (9), por renditja e grupit B, e komplikon jo pak situatën. Ballshiotët kanë fituar katër nga pesë ndeshjet (përfshirë dhe atë 2-1 me Laçin) dhe kanë një golaverazh +7, ndërkohë që Laçi (dy humbje) ka 9 pikë dhe golaverazhin +4. Pra, që të kualifikohet Laçi duhet të fitojë të paktën 3-0 me ballshiotët, për t’i barazuar me pikë. Përballë njëri-tjetrit janë dy trajnerë me përvojë, Stavri Nica i Bylisit dhe Naxhi Shensoj i Bylisit.

  Flamurtari kualifikohet…

1) Fiton me çdo rezultat kundër Teutës dhe Laçi nuk fiton me Bylisin ose fiton me 2 gola a më shumë diferencë.

2) Fiton me katër gola diferencë a më shumë kundër Teutës.

3) Barazon me Teutën dhe Laçi humbet me Bylisin.

  Bylisi kualifikohet…

1) Fiton, barazon ose humbet me vetëm një gol diferencë kundër Laçit, pavarësisht se çfarë ndodh në ndeshjen Flamurtari-Teuta.

2) Humbet me dy a më shumë gola diferencë dhe Flamurtari nuk fiton dot ndaj Teutës.

 Laçi kualifikohet…

1) Fiton me Bylisin me 2 gola diferencë.

2) Fiton me Bylisin me një gol diferencë dhe Flamurtari nuk fiton me katër a më shumë gola kundër Teutës

   Rregullorja e Kupës

 Nëse dy ose më shumë ekipe kanë grumbulluar të njëjtën sasi pikësh, renditja e tyre në tabelën e klasifikimit përcaktohet duke mbajtur në konsideratë kriteret si më poshtë:

a) pikët e grumbulluara në ndeshjet e zhvilluara

midis ekipeve përkatëse;

b) diferenca e golave të shënuar dhe të pësuar

në ndeshjet e zhvilluara midis ekipeve përkatëse;

c)diferenca e golave të shënuar dhe të pësuar

gjatë ndeshjeve te grup.

d) numri më i madh i golave të shënuar gjatë

ndeshjeve ne grup.

e) me short.

KUPA E SHQIPËRISË

EDICIONI I 61-TË

RRUGA DREJT FINALES

TURI I PARË PARAELIMINATOR

12.09.2012

Sukthi-Luzi 2008     2-1

Veleçiku-Olimpiku    1-3

Gramozi-Tepelena     3-0

Skrapari-Albpetrol   1-3

TURI I DYTË PARAELIMINATOR

19.09.2012

Sukthi-Olimpiku      1-2

Gramozi-Albpetrol    3-0

TURI I PARË ELIMINATOR

25.09/03.10.2012

GRUPI A

Skënderbeu-Olimpik   7-2 (2-2)

Tirana-Partizani           1-0 (2-1)

Kastrioti-Himara     2-1 (2-0)

Vllaznia- Iliria          2-1 (2-0)

Shkumbini-Butrinti   3-0 (0-2)

Apolonia-Elbasani    1-0 (0-0)

Kukësi-Besëlidhja    1-2 (4-2)

Kamza-Dinamo         1-0 (1-0)

GRUPI B

Teuta-Gramozi   *    3-0 (4-0)

Flamurtari-Naftëtari 4-1 (1-0)

Bylis-Tërbuni        1-0 (2-0)

Laçi-Mamurrasi       0-0 (3-0)

Tomori-Ada           1-0 (1-2)

Luftëtari-Gramshi    5-0 (0-1)

Besa-Burreli         6-1 (4-1)

Pogradeci-Lushnja    0-2 (0-5)

– Në kllapa janë rezultatet e ndeshjeve të para. Teuta-Gramozi nuk u luajt, rezultati është i fitores në tavolinë.

TURI I DYTË ELIMINATOR

24.10/07.11.2012

GRUPI A

Skënderbeu-Kamza     2-1 (1-0)

Tirana-Kukësi        3-2 (0-4)

Kastrioti-Apolonia   0-0 (2-1)

Vllaznia-Shkumbini   2-1 (0-1)

GRUPI B

Teuta-Lushnja        4-1 (0-0)

Flamurtari-Besa      1-1 (1-0)

Bylis-Luftëtari      3-1 (1-2)

Laçi-Tomori          1-0 (0-0)

– Në kllapa janë rezultatet e ndeshjeve të para.

KUPA E SHQIPËRISË

FAZA ÇEREKFINALE 

Grupi A

Java: 1

Shkumbini-Skënderbeu 1-4

Kukësi-Kastrioti     1-0

Java: 2

Skënderbeu-Kukësi    4-2

Kastrioti-Shkumbini  4-2

Java: 3

Kastrioti-Skënderbeu 1-2

Kukësi-Shkumbini           2-0

Java 4

Skënderbeu-Kastrioti 5-1

Shkumbini-Kukësi           0-2

Java 5

Kastrioti-Kukësi           0-3

Skënderbeu-Shkumbini 3-1

Java 6

Kukësi-Skënderbeu    14:00

Shkumbini-Kastrioti  14:00

GRUPI A

1 SKËNDERBEU    5    15

2 KUKËSI        5    12

3 Kastrioti     5    3

4 Shkumbini     5    0

Grupi B

Java: 1

Flamurtari-Bylis           0-1

Laçi-Teuta          4-0

Java: 2

Teuta-Flamurtari           2-3

Bylis-Laçi           2-1

Java: 3

Flamurtari-Laçi      2-1

Bylis-Teuta          5-0

Java 4

Laçi-Flamurtari      1-0

Teuta-Bylis          2-3

Java 5

Teuta-Laçi           1-2

Bylis-Flamurtari           2-3

Java 6

Laçi-Bylis           14:00

Flamurtari-Teuta           14:00

GRUPI B

1 Bylis         5    12

2 Laçi          5    9

3 Flamurtari    5    9

4 Teuta         5    0

Hristo Stojçkov: “Armando

Vajushi, një talent i madh!”

 Të shtunën e kaluar, Liteksi e mposhti CSKA-në e Sofjes, jo vetëm në fushë, por dëshmoi përfundimisht se ishte më shumë se i “kuq” dhe përtej kësaj ngjyre. Djemtë e Loveçit u dëshmuan 31-herë kampionëve të Bullgarisë, se si mund të realizohet një projekt futbolli, pa pasur nevojën për të pasur burime të pafundme financiare. Të menduarit progresiv dhe afat gjatë, si dhe politikat sportive qëndrojnë në atë, që as Federata e Futbollit dhe as faktorët të tjerë nuk mund ta parashikonin atë. Liteksi po fiton gjithmonë e më shumë simpati midis spektatorëve asnjanës, kjo falë punës që po bën më të rinjtë trajneri Hristo Stojçkov. Dhe midis këtyre 11 lojtarëve, të cilët nuk mund të quhen yje, një njeri mund të veçohet në derbin me të “kuqtë” e Sofjes, dhe ai është shqiptari Armando Vajushi. Lojtari i ri shqiptar mbërriti te Liteksi në merkaton dimërore të vitit 2011, me një transksion tipik për klubin nga Loveçi. Normale, për një transfertë modeste të paguar për një të ri të panjohur, por lojtar të talentuar. Vetëm 100 mijë euro mori klubi shqiptar i Vlaznisë së Shkodrës, dhe që duket se e ka justifikuar deri në qindarkën e fundit. Liteksi tregoi një aftësi të mirë zbulimi dhe akoma më të mira në negocim, pasi pagoi shumën më të vogël të paguar ndonjëherë për një lojtar që kishte debutuar për ekipin Kombëtar të Shqipërisë. Gjatë sezonit 2010-2011, Vajushi ishte shpallur lojtari më i mirë i Shqipërisë, çka konfirmohej edhe në faqen në internet të UEFA-s. Arriti t’i bindë drejtuesit e Këlnit, pas provës së kryer në Gjermani, por gjermanët e refuzuan kërkesën e Vllaznisë, në shumën e 300 mijë eurove. Vetëm pak muaj më vonë, Stojço Stojilov dhe kompani ia dolën ta zvogëlonin çmimin deri në tri herë, duke thënë se ishin më shumë të interesuar të blinin holandezë nga gjigantët e Ajaksit, gjermanë të Hamburgut apo Shtutgardit, zviceranë të Tunit apo kroatë të Dinamos së Zagrebit. Vajushi ishte me shumë fat te Liteksi, pasi u prezantua në të njëjtën ditë kur legjenda Hristo Stojçkov mori drejtimin e ekipit. Pronari i klubit, Grisha Gançev bëri të ditur shkurtimin e shpenzimeve dhe nisjen e një projekti që do të bazohej në rolin kyç të lojtarëve të rinj. Kështu që, Liteksi pati si fillim prioritet futbollistët e dalë nga klubi i tij, por shpejt e kuptoi se talenti nuk ka kombësi. Qysh në fazën përgatitore të Liteksit në Sandaski, Vajushi tregoi se jo më kot kishte rënë në sytë e “spiunëve portokalli”. Shpejtësi, aftësi në kontrollin e topit, agresivitet – këto ishin përshtypjet e para për të. Megjithë terrenin e keq, Vajushi tregoi se kishte teknikë, e cila tani është përmirësuar. Gjëja më e rëndësishme është se, që nga minuta e parë që veshi bluzën e katër herë kampionëve, ambicia e tij është rritur gjithmonë e më shumë. Hristo Stojçkov ka mbajtur një qëndrim atëror kundrejt lojtarët duke e stimuluar atë. Për të ai është thjesht “Armando” dhe shqiptari i është përgjigjur me profesionalizëm dhe u stërvitur seriozisht. Vajushi dhe Liteksi duket se janë bërë për njeri-tjetrin. Sytë blu të Vajushit e bëjnë të vështirë t’ia lexosh emocionet, por gjithçka e tij e bën të mendojë për futbollin. Dhe Stojçkovi e di mirë këtë. Në fund të vitit 2012, Liteksi përfundoi në vendin e tretë në pjesën e parë të sezonit. Sipas një opionioni të përgjithshëm, lojtari më i dashur në ekip dhe që gëzonte simpatinë e drejtusve të klubit ishte Vajushi. Armandoja tashmë ishte aklimatizuar, Stojçkovi i kishte dhënë më shumë shanse dhe ai ia kishte shpërblyer: 5 gola në 15 ndeshje dhe më shumë vazhdimësi dhe qëndrueshmëri në lojë.

Polonia Varshava: “Çani, ilegal te Katania!”

 “Edgar Çani ka luajtur ilegalisht me Katanian”. Ky është mendimi i zëdhënësit për shtyp të klubit të Polonia Varshavës, Adam Drygalsk, i cituar nga mediat sportive polake. Polonia Varshava, ish-klubi i sulmuesit të Kombëtares shqiptare (10 ndeshje, 3 gola), i ka dhënë kështu jetë një tjetër beteje me ish-futbollistin e saj më të mirë, i cili të dielën debutoi në gjashtë minutat e fundit për Katanian në humbjen kundër Interit (2-3), në Serinë A. Kjo edhe pse FIFA e teseroi në mënyrë zyrtare futbollistin, pas kërkesës së vetë Çanit dhe klubit të tij të ri, Katanias.  Vetë lëshoi një javë më parë një komunikatë në të cilën shkruhej: “Gjyqtari i Komitetit të Statusit të lojtarit, Chuck Blazer ka autorizuar kalimin e Edgar Çanit te “Calcio Katania”, pas përfundimit të mosmarrëveshjeve legale që kanë të bëjnë me lirimin e lojtarit nga Polonia Varshava. Në bazë të këtij vendimi, Federata italiane pritet të zyrtarizojë kalimin dhe Çani do të jetë në dispozicion të trajnerit. “Çani dhe Polonia e Varshavës sërish kundër njëri-tjetrit”, shkruan gazeta “Przeglad Sportowy”. Gazeta citon zëdhënësin e klubit të Polonia Varshavës: “Në opinionin tonë, lojtari nuk mund të luajë me Katanian sepse nuk ka pasur një transferim midis dy klubeve”, tha Drygalski. Të dielën, Edgar Çani u paraqit në stol gjatë ndeshjes Katania-Inter dhe në pesë minutat e fundit, trajneri Maran e aktivizoi në vend të sulmuesit tjetër Bergezio.