Trajneri Zidan kërkon që Reali të fitojë, Rumenige “nxeh” sfidën

578
Nga Agron KAJA
LIGA E KAMPIONEVE/ Sot dhe nesër, në Madrid dhe Romë luhen dy sfidat e kthimit për gjysmëfinalet, ja situata e skuadrave
Sot dhe nesër do të luhen dy ndeshjet e kthimit të turit gjysmë-final të Ligës së Kampioneve, dhe rezultatet që u arritën në takimet e para, i bëjnë këto sfida interesante. Real Madridi do ta luajë sot ndeshjen e kthimit, ku në stadiumin e tij do të ketë përballë Bajern Mynih. Në ndeshjen e parë në Mynih, madrilenët fituan me rezultatin 2-1, por kjo nuk e qetëson plotësisht trajnerin e Realit, Zinedin Zidan, i cili dje në konferencën e shtypit, kërkoi nga skuadra e tij që të arrijë një fitore në “Santiago Bernabeu”. “Nuk ka llogari në këtë ndeshje, pasi duhet vetëm fitore, pavarësisht se kalojmë edhe me një barazim. Nuk kemi për të bërë llogaritje në bazë të ndeshjes së parë, pasi ne do të luajmë vetëm për fitore. Kjo është një gjysmëfinale dhe të gjithë e dimë rëndësinë e saj. Tashmë dihet se çfarë duhet të bëjmë dhe nuk ka asgjë për të ndryshuar”, theksoi fillimisht Zidan, i cili më pas foli edhe për të ardhmen e tij në stolin e Realit. “Pavarësisht nga ajo që do të ndodhë, unë dua të rri këtu, por ajo që ka rëndësi është loja e nesërme (sot), dhe vetëm duhet të mendojmë për këtë. Duke luajtur finalen e tretë radhazi do të ishte diçka e pabesueshme. Ajo që bëmë në Mynih shkoi mirë, por nesër (sot) kemi kthimin dhe ne absolutisht duam të hyjmë për të bërë mirë. Ajo që kemi bërë gjatë viteve është diçka e pabesueshme, dhe vetëm duhet të kemi parasysh që të bëjmë më të mirën. Bajerni është një klub i madh, por nëse japim atë që është në mendjen tonë, mund të bëjmë gjëra të mëdha. Ne do të përpiqemi të shënojmë shpejt”, përfundoi Zidan në këtë konferencë shtypi, lidhur me ndeshjen e sotme gjysmëfinale të Ligës së Kampioneve, Real Madrid-Bajern Mynih. Ndërsa në Mynih, sfidën e sotme në “Santiago Bernabeu” e quajnë si një ndeshje të sezonit. Vetë Shefi i Bordit të Bajernit, Karl Hainz Rumenige, ka deklaruar dje se kjo ndeshje për ta nuk do të jetë një shëtitje. “Reali është pikë referimi në futbollin botëror për klube, por ne nesër (sot), nuk do të shkojmë në Madrid për shëtitje. Duhet të jemi gati për “luftë” në fushën e lojës”, ka theksuar mes të tjerave Rumenige.
Roma-Liverpul, Toti karikon tifozët: Romën ta lyejmë në ngjyrë verdhekuqe
Dje, ish-kapiteni i Romës, Françesko Toti, u ka bërë thirrje tifozëve të Romës, duke kërkuar që në ndeshjen e kthimit ndaj Liverpulit, të bëhet qyteti verdhekuq. Kjo thirrje vjen në shenjë mbështetje ndaj tifozëve të Romës, duke i cilësuar ata si paqësor, të cilët nuk kanë lidhje me ngjarjet e Liverpulit. “Le të ngjyrosim qytetin, bëjeni verdhekuq”, shkruante Toti në një postim në Instagram. Në mbështetje të Totit, ka dalë edhe drejtori sportiv i Romës, Monki, i cili kërkon që në ballkone të vendosen flamuj të Romës. “Do të doja që Roma të lyhej nga verdhekuqtë dhe të gjithë romanistët të shpalosin flamuj në ballkone, të tregojmë se qyteti i Romës po e mbështet Romën. Ta bëjmë të qartë se, tifozët e Romës nuk janë të dhunshëm”, është shprehur drejtori romanist.
Ndeshjet gjysmëfinale
Takimet e para
Datë 24 prill 2018 
Liverpul-Roma 5-2
Datë 25 prill 2018 
Bajern M-Real M 1-2
Takimet e kthimit
Sot, datë 1 maj 2018 
Real M-Bajern M 20:45
Arbitër: Xhyneit Çakër (Tur)
Nesër, datë 2 maj 2018 
Roma-Liverpul 20:45
Arbitër: Damir Skomina (Sllo)
Sigal