Trajneri Panuçi në Francë, ndjekur Ivan Balliun te Metz

595
Agjenda e trajnerit të Kombëtares sonë, Kristian Panuçit, duket shumë intensive këto javë pasi ka marrë drejtimin e stolit kuqezi. Nëpërmjet një njoftimi të tij në Facebook, mësohet se, pasi udhëtoi drejt Zvicrës për të ndjekur një ndeshje të Bazelit dhe për të biseduar me Taulant Xhakën në lidhje me rikthimin në kombëtare, ai ishte në fundjavën e shkuar në Francë, për të vëzhguar nga afër mbrojtësin e krahut të djathtë që luan për Metz, Ivan Balliu. Futbollisti 25-vjeçar e filloi si titullar ndeshjen hapëse të Ligës së parë franceze, por Metzi u mposht në fushën e tij me rezultatin 1-3 nga Gingamp. Edhe pse takimi filloi me gol për skuadrën e shqiptarit, që kaloi në avantazh në minutën e 14-të, Guingamp barazoi në minutën e 39-të, ndërsa e përmbysi rezultatin në pjesën e dytë duke shënuar dy gola të tjerë. Ende nuk janë dhënë përshtypjet e Panuçit për Balliun, duke kujtuar se në pësimin e golit të dytë, ai ishte në një pozicion inferior, duke e lënë kundërshtarin të zbuluar. Gjithsesi, një vëzhgim tjetër do të ketë edhe për këtë futbollist, pasi edhe vetë Panuçi e ka pranuar se duhet më shumë njohuri për këtë futbollist.
Sigal