Trajneri i Tiranës, Arian Fetishaj: Kampionët, rezultat i punës në grup

663
Nga Agron KAJA
Nëse tre rekordet që u thyen dje, i quajtën si “qershiza mbi tortë”, 11 kampionët e Tiranës ishin më shumë se kaq në garat e ditës së parë të Kupës së Shqipërisë në not. Në bisedë me trajnerin e pasionuar, Arjan Fetishaj, jo vetëm që dallon qartazi punën që ka bërë me ekipin e tij, meshkuj e femra, por nëpërmjet tij mëson edhe se si përgatitet një notar dhe një ekip kampion. “Unë të gjitha këto vende të para që arritën notarët e Tiranës, së pari do t’i quaja një përfaqësim dinjitoz i Tiranës në këtë Kupë të Shqipërisë, një vlerësim për çdo event. Ndjehem mirë, sepse rezultatet e punës stërvitore po japin efekt, por edhe pse nuk janë vetëm vendet e para në 11 gara, pasi në shumicën prej tyre edhe janë përmirësuar kohët prej notarëve”, ishte kjo deklarata e trajnerit të Tiranës, Fetishaj, i cili shpjegoi se ky rezultat nuk është i çastit. “Kjo është një punë e vazhdueshme në vite, sepse një kampion nuk bëhet për një sezon. Kemi punuar fort, madje këtë stinë verore thuajse kemi “fjetur” në pishinë. Është një grup notarësh e notaresh, të cilët kanë pasion, stërviten si të tillë dhe po japin rezultate të mira. Më duhet këtu që të prek edhe një moment të rëndësishëm, falënderoj të gjithë prindërit e notarëve të Tiranës, të cilët në çdo stinë u kanë krijuar atyre kushtet më të mira në familje. Ka shumë rëndësi ky detaj për një notar sot”. Dhe, nëse i referohemi vendeve të para që notarët e Tiranës arritën dje në ditën e parë të garave të Kupës së Shqipërisë në not, trajneri Fetishaj kishte edhe djalin e tij, Keisin, i cili doli kampion në garën e 400 metrave katërnotim për meshkuj, por që ai me modestinë e tij njerëzore e profesionale, tha vetëm pak fjalë. “Keisi është i ri, punon me pasion dhe e ka kohën para. Sot (dje) tregoi se kur punon shpërblehesh. Si trajner e falënderoj”. Ndërkohë, Fetishaj deklaroi dje, se edhe në garat e ditës së sotme, Tirana do të jetë protagoniste me kampionë e kampione, madje ai shpreson edhe për ndonjë rekord kombëtar. “Shpresoj shumë që edhe nesër (sot) të kemi shumë kampionë, madje pres edhe ndonjë thyerje rekordi kombëtar, por nuk po ja u deklaroj që sot, kam pak emocion në këtë pikë”.
3 rekorde
Në ditën e parë të garave të Kupës së Shqipërisë, u thyen vetëm tre rekorde kombëtare, dy nga 13 vjeçari Binald Mahmuti i Butrintit, dhe një nga Sara Dande e Stelës
Sigal