Trajneri i Kamzës vlerëson Partizanin, Ndreu: Tri pikët na japin stabilitet

451
Edhe për trajnerin e Kamzës, Ramadan Ndreun, ndeshja e javës së 27-të ndaj Partizanit, vlerësohet si një sfidë shumë e vështirë. Në deklarimin e tij për gazetën “Telegraf”, Ndreu theksoi mes të tjerave, se çdo skuadër kërkon maksimumin për të realizuar synimet. “Natyrisht që Partizani është një skuadër e fortë, dhe do të jetë një ndeshje e vështirë, edhe pse luajmë në fushën tonë. Për vetë pozicionin që kemi në renditje, neve na duhen tri pikët, sepse na japin stabilitet”, kështu theksoi fillimisht trajneri i Kamzës, i cili i kushtoi rëndësi thirrjes së klubit për hyrjen falas në stadium në ndeshjen me Partizanin. “Mendoj se klubi e ka menduar mirë që hyrja të jetë falas, sepse kështu tifozët do të na motivojnë më shumë për të realizuar synimin. Në këtë ndeshje ne do të kemi dy mungesa të rëndësishme, Frashërin e Idrizin, por alternativat e tjera më kanë bindur”, përfundoi trajneri i Kamzës, Ramadan Ndreu. 
Sigal