Trajneri i Flamurtarit, Gentian Mezani: Detyra jonë është fusha e lojës, jo debatet jashtë saj

452
Sigal

INTERVISTA/ Pas
barazimit në Vlorë me Partizanin, flet për “Telegraf” trajneri i Flamurtarit,
Gentian Mezani

 

 Nga
Agron KAJA

 

Mezani, si
ndjeheni në stolin e Flamurtarit në këto dy muaj teknik i kësaj skuadre?

Normalisht kur
je ne drejtim të Flamurtarit, gjithçka është ashtu si duhet. Por unë nuk jam
tek Flamurtari vetëm gjatë kësaj periudhe, por jam prej muajit qershor me
Maganin. Dhe natyrisht ndihem mjaft mirë tek Flamurtari, pasi mbi të gjitha është
skuadra e qytetit tim, që do të thotë se gjithmonë do të jap maksimumin për këtë
skuadër sa herë të më kërkohet.

Si ka ndryshuar
skuadra pas ardhjes suaj si trajner i tij?

Po e them që tek
Flamurtari unë jam prej muajit qershor, pra nuk kam ardhur tashmë në skuadër.
Kam punuar me Gugash Maganin, të cilin unë e vlerësoj maksimalisht dhe e cilësoj
një trajner me shumë vlera.

Çfarë ka ndryshuar
prej jush në momentin kur keni marrë drejtimin e skuadrës së Flamurtari?

Mendoj se
thjesht mentalitetin dhe një lojë sulmuese të skuadrës. Megjithatë, Flamurtari është
një skuadër që gjithmonë kërkon të luajë në sulm dhe të japë  maksimumin, pse jo edhe të marr maksimumin.
Loja ka ardhur në rritje dhe më shumë se unë, merita i takon mbi të gjitha
lojtarëve, të cilët në fushë gjithmonë kanë dhënë maksimumin.

Në çfarë situate
e përshkruani Flamurtarin sot në javën e 16-të?

Nuk jemi në
pozicionin që duhet të qëndrojë kjo skuadër, sepse sot duhet të kishim edhe gjashtë
pikë më shumë. Unë besoj në rikthimin e pikëve, pasi janë fituar me djersë në
fushën e lojës. Megjithatë, edhe pa ato, ky Flamurtar mendoj se nuk ka
pozicionin që duhej të kishte në renditje, e besoj se gjithçka do të ndryshojë  më vonë,  për këtë të jeni të sigurt.

Mendoni se ka
ndikuar në psikologjinë e skuadrës suaj edhe fakti që ka pasur luhatje
financiare?

Jo nuk e mendoj
aspak kështu, ndryshe, zgjidhja e situatës financiare ka krijuar më shumë qetësi
tek lojtarët. Por, në asnjë moment nuk besoj se ka ndikuar tek ana  psikologjike e lojtarëve, kjo edhe për faktin
se lojtarët kanë qënë plotësisht të bindur në zgjidhjen e anës financiare, me të
cilën ja ku jemi. Në futboll duhen pranuar të gjitha dhe nuk mund të fitosh
gjithmonë, por që ka patur ndikime psikologjike, jo. Këtë e them me bindje, pasi
këta lojtarë kanë dhënë gjithmonë maksimumin në fushën e lojës.

Ka pasur disa
herë debate të drejtuesve të Flamurtarit me FSHF-në, kanë ndikuar këto në punën
tuaj me skuadrën?

Unë e kam thënë
gjithmonë, se trajneri dhe skuadra shohin vetëm fushën dhe nuk kemi hyrë asnjëherë
në debatet e tilla. Unë si trajner thjesht të mendoja shtu si edhe skuadra, vetëm
për fushën e lojës dhe ndeshjet që na presin apo kemi zhvilluar. Kjo është
detyra jonë dhe jo debatet, por vetëm fusha e lojës.

Në javën që
shkoi keni thyer një nga pretendentët për titullin kampion, Partizanin, do të
ketë të tilla sfida edhe me skuadrat e tjera?

Ne luajmë
gjithmonë për të fituar, pavarësisht kundërshtarit. Partizani është një skuadër
shumë e mirë, por këtu në Vlorë ne kemi fituar edhe me Skënderbeun e Tiranën, apo
kemi barazuar me Kukësin. Ndaj nuk është çudi edhe ndalesa  e Partizanit, se Flamurtari motivohet më shumë
gjithmonë në takime me skuadrat që kërkojnë titullin dhe janë pretendente, se skuadra
nuk ka nevojë që lojtarët ti motivosh më shumë.

Çfarë mendoni se
shkoi mirë në skuadrën tuaj në barazimin me Partizanin?

Mendoj se ne
jemi goditur në momentin më të mirë tonin dhe e humbasim lehtë përqëndrimin. Me
skuadra të tilla si ajo ndaj Partizanit, gabime të tilla të ndëshkojnë si edhe
ndodhi me golin e pësuar nga ana jonë. Ndërsa më pas, i kemi imponuar lojën tonë
në pjesën e dytë, ku veçanërisht kemi pasur kujdes. Por edhe fakti që shumë
lojtarë kanë pasur probleme me dëmtimet, apo me situatën gripale, kanë pasur
ndikimin e vet.

Edhe dy javë e
mbyllet faza e dytë, ku synon të shkojë Flamurtari në renditjen pas javës së
18-të?

Të marrim
maksimumin e mundshëm në dy ndeshjet e fundit që na kanë mbetur për këtë vit. Natyrisht
që një trainer kërkon të marrë pikët maksimale në çdo ndeshje. Në renditje, do të
doja që pas këtyre dy ndeshjeve të ishim disi më të qetë dhe të larguar nga
vendet që të rrezikojnë.

Në dy ndeshjet,
Flamurtari-Laçi dhe Korabi-Flamurtari, sa pikë parashikoni të merrni?

Fillimisht
mendojmë vetëm Laçin, pasi është kjo ndeshja e radhës, më pas për Korabin. Ne
mendojmë vetëm kundërshtarin që kemi përpara, pastaj atë që vjen më  pas, pra, pasi të kemi mbyllur 90 minutat me
skuadrën që duhet të luajmë. Pres maksimumin me Laçin, fitoren, pastaj shohim
Korabin në transfertë që do të ishte perfekt ta mbyllnin sa më mirë këtë vit.

Çfarë veçoni për
Kategorinë Superiore në përgjithësi në këtë sezon?

Mendoj së është
një kampionat shumë i fortë, si në krye të tabelës, ashtu edhe në fundin e saj.
Mund të fitosh kudo dhe në çdo fushë, por edhe mund të humbasësh ndaj çdo kundërshtari,
sepse ky kampionat është shumë i fortë. Besoj se deri në fund dilemat mbeten për
tu zgjidhur, sepse gara është shumë e fortë për objektivat që kanë skuadrat.

Do të jetë
Mezani deri në mbyllje të sezonit trajner i Flamurtarit?

Një trajner
varet gjithmonë nga rezultatet. Asnjëherë nuk mund të bësh parashikime.
Fillimisht na duhet ta mbyllim mirë këtë vit, pasi të marrim më të mirën në dy
ndeshje e mbetura.

Dhe, si e parashikoni
Flamurtarin në fundin e Kampionatit 2016-2017?

Vendi aktual që
kemi në renditje nuk është ai që duhej të kishte ky Flamurtar, ndërsa në fund të
kampionatit është ende shpejt të parashikosh diçka, pasi në janar sërish në të
gjitha skuadrat do të ketë ndërhyrje në merkato dhe kësisoj kampionati do të vështirësohet
edhe më shumë. Por Flamurtari asnjëherë nuk besoj se do të luftojë për të
siguruar kategorinë, ndërkohë që për ne në garë mbetet edhe Kupa e Shqipërisë, ku
unë besoj shumë.

 

 

Ndeshjet/ Java e
17-të

Të dielën, 18
dhjetor 2016

Kukës-Skënderbeu         14:00

Flamurtari-Laçi
   14:00

Tirana-Luftëtari
   17:00

Partizani-Korabi
  17:00

Teuta-Vllaznia
     17:00

RENDITJA

Skuadrat             Nd     Pikë

1.Kukësi               16      32

2.Skënderbeu       16      32

3.Partizani            15      29

4.Tirana               16      23

5.Luftëtari            16      21

6.Vllaznia             16      19

7.Flamurtari                   16      14

8.Laçi                             16      14

9.Teuta                 16      12

10.Korabi             16      8

Ndeshjet/ Java e
18-të

Të enjten,  22 dhjetor 2016

Laçi-Teuta
            14:00

Luftëtari-Kukësi
   14:00

Korabi-Flamurtari         14:00

Skënderbe-Partizan17:00

Vllaznia-Tirana
    17:00

 

 

Kukësi në
Facebook: Bashkë të pamposhtur!

Duket
se barazimi me Korabin i ka “djegur” shumë skuadrës së Kukësit, dhe dje në një
status në facebook, kuksianët bënin thirrje se nuk ka kohë për të humbur. “Së
bashku mbetemi të pamposhtur! Tashmë nuk më më kohë për të humbur e të ndalemi
tek hapat falsë (barazimi 1-1 me Korabin). Ne jemi të parët dhe në fundjavë do
tregojmë se jemi këtu me meritë të plotë. Një hap i gabuar nuk mund të hedhë
poshtë mundin, dëshirën dhe sakrificat e këtyre djemve në fushën e lojës apo
tifozëve në stadium. Në momente të vështira duhet të jemi bashkë, pasi ashtu
bëhemi më të fortë”, kështu shkruhet në facebook-un e Kukësit, për të mbajtur
pozitivisht anën psikologjike të lojtarëve në prag të sfidës me Skënderbeun.

 

 

 

KUPA E BOTËS PËR
KLUBE

Ronaldo, goli i
500-të me të gjithë klubet

Reali i Madridit
debutonin me fitore në Botërorin e Klubeve duke fituar me Club Amerika. Në
gjysmëfinalen e luajtur dje në “Nissan Stadium” të Jokohamës, “galaktikët”
fituan 2-0, me gola të Karim Benzema në fundin e pjesës së parë, dhe të
Kristiano Ronaldos në minutat shtesë, 90+3’. Për portugezin ky ishte goli i
500-të në karrierë me klubet ku ka luajtur, pengesa e fundit për Realin drejt
trofeut do të jenë japonezët e Kashima Antlers, të cilët siguruan finalen pas
suksesit 3-0 ndaj kolumbianëve të Atletiko Nacionalit. Takimi që do të shpallë
fituesin, do të zhvillohet në datën 18 dhjetor 2016, në ora 11:30 me orën
europiane, në Stadiumin Ndërkombëtar të Jokohamës. “Reali e ka fituar katër
herë këtë trofe planetar, të cilin për herë të fundit në vitin 2014.

 

KALENDARI

Datë 12 dhjetor
2016

Kashima
A-Atl. Nacional   3-0

Datë 15 dhjetor
2016

Real
M-Club América       2-0

Datë 18 dhjetor
2016

Kashima
A-Real Madrid  11:30

 

 

MERKATO/
LEGJIONARËT

Beshiktashi e
kërkon Hykën në janar

Edhe pse
zyrtarisht nuk ka nisur, merkato dimërore në letër zhvillohet me intensitet. Në
mesin e lajmeve që portalet sportive evropiane kanë dhënë për këtë moment, është
edhe ai për futbollistin e Kombëtares shqiptare, Jahmir Hyka. Dje, e
përditshmja zvicerane “Bilick” shkruante se për Hykën ka treguar interes
skuadra turke e Beshiktashit. Mesfushorit tiranas i skadon kontrata me Lucernën
në fund të këtij sezoni, ndaj klubi zviceran vështirë se të bëhet pengesë nëse
në drejtim të lojtarit vjen një ofertë e kënaqshme. Në fakt, Jahmir Hyka ka
shfaqur formë të mirë këtë sezon me Luzernën, ku ka luajtur në 15 ndeshje, 12
herë titullar, ku ka shënuar 6 gola. Skuadra e Lucernës renditet në vendin e 4-ët
të Kampionatit zviceran të futbollit, me pikë të barabarta me Sion e vendit të
3-të.