Trajneri i Argjentinës e merr me sportivitet: Fitojmë ndeshjen e radhës, Messi lideri ynë

489
Sigal

Trajneri i Argjentinës, Jorge Sampaoli, nuk e ka bërë dramë barazimin 1-1 kundër Islandës. Pas përfundimit të ndeshjes ai u shpreh se do korrigjohen gabimet dhe më pas do mendohet fitorja në takimin e ardhshëm.

“Sot bëmë disa gabime, por luajtëm ndaj një skuadre të strukturuar mirë dhe nuk arritëm të jemi shumë të rrjedhshëm në aksionet tona sulmuese. Do të shohim me vëmendje se ku kemi gabuar, për t’u përmirësuar që nga ndeshja e radhës. Jemi një skuadër shumë cilësore, që mund të përballet dhe të mposhtë cilindo kundërshtar, ndaj besimi është ende shumë i madh”, tha Sampaoli.

Tekniku argjentinas nuk la pa komentuar as 11-metërshin e humbur nga Lionel Messi, që edhe sot tregoi se nuk është i njëjti me atë të Barcelonës, kur luan me Kombëtaren.

“Të humbësh penallti nuk ka asgjë të jashtëzakonshme, as kur këtë e bën Messi. Është lideri dhe ylli ynë, te i cili besojmë plotësisht dhe e dimë që do të na udhëheqë drejt suksesit. Ndaj Islandës, ashtu si e gjithë skuadra, edhe Messi vuajti të gjejë hapësira, pasi kundërshtari luante shumë i ngjeshur në prapavijë. Gjithsesi do të punojmë për të fituar, duke filluar që nga ndeshja e radhës”, u shpreh trajneri I Argjentinës.